Pasditen e së martës, kryesia e Partisë Socialiste shpalli zyrtarisht gjashtë kandidaturat për drejtimin e bashkive të Tiranës, Vlorës, Beratit, Matit, Cërrikut dhe Tepelenës.
Menjëherë pas publikimit të emrave, kanë nisur diskutimet për ndryshimet e pritshme brenda mazhorancës, pasi dy nga kandidatët janë aktualisht deputetë në Kuvend.
Ndër kandidatët e bërë publikë është edhe deputetja Ogerta Manastirliu, e cila do të lërë mandatin e saj parlamentar për të kandiduar për kryetare të Bashkisë së Tiranës.
Në rast se ajo fiton në zgjedhjet e 11 majit, vendin e saj në Kuvend do ta zërë Blerina Gjylameti – një figurë e njohur në radhët e Partisë Socialiste dhe me eksperiencë të gjatë si ligjvënëse.
Gjatë zgjedhjeve parlamentare, Gjylameti siguroi 6.167 vota. Kthimi i saj në Parlament realizohet në përputhje me rregullat për kuotat gjinore dhe për të ruajtur balancën e përfaqësimit.
Ajo ishte një nga kandidatet që garoi ngushtësisht me Olta Xhaçkën në zgjedhjet e fundit. Madje, Gjylameti iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë për të marrë pamjet filmike të procesit të numërimit të votave në të gjitha qendrat e votimit në Tiranë.