Numri i kartave bankare në Kosovë vazhdon të shënojë rritje të qëndrueshme. Sipas raportit më të ri të Bankës Qendrore, në fund të vitit 2024 janë raportuar 1,684,034 karta aktive të klientëve – duke përfshirë karta debiti, krediti dhe të debiti të vonuar për individë e biznese.
Përdorimi i kartave bankare në Kosovë po njeh rritje të ndjeshme, duke reflektuar një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si qytetarët kryejnë pagesat e përditshme.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë vitit 2024 është regjistruar një rritje e qëndrueshme si në numrin e kartave në qarkullim, ashtu edhe në volumin e transaksioneve që kryhen përmes tyre – qoftë përmes POS terminaleve, ATM-ve apo blerjeve online.
Vetëm gjatë vitit 2024 janë realizuar 1.37 milionë transaksione me karta krediti, me një vlerë që arrin në 150 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 ishin regjistruar 1.47 milionë transaksione me vlerë 138 milionë euro.
Analiza e BQK-së tregon se 69% e transaksioneve janë kryer nga meshkujt, ndërsa 31% nga femrat, me dominim të grupmoshave 26–35 vjeç dhe 36–45 vjeç.
Në aspektin e shumave, 74% e vlerës së përgjithshme të transaksioneve me kredit karta është realizuar nga meshkujt, duke treguar një hendek të ndjeshëm gjinor në përdorimin e këtij instrumenti financiar.
Një nga ndryshimet më të mëdha që vërehet në tregun financiar është rritja e shpejtë e pagesave online.
Në vitin 2024, janë kryer 5.82 milionë transaksione përmes internetit, krahasuar me vetëm 2.99 milionë në vitin 2023.
Edhe vlera e këtyre transaksioneve është rritur pothuajse dyfish, duke arritur në 296 milionë euro, nga 157 milionë euro një vit më parë.
Sipas BQK-së, kjo rritje vjen si rezultat i përhapjes së shërbimeve elektronike të bankave, platformave të tregtisë online dhe përmirësimit të sigurisë në transaksione.
“Përhapja e shpejtë e teknologjive ‘contactless’ dhe aplikacioneve mobile ka bërë që gjithnjë e më shumë qytetarë të përdorin pagesat digjitale në vend të parasë fizike,” thuhet në raportin e Bankës Qendrore.
Rrjeti i terminaleve bankare: 635 ATM dhe mbi 20 mijë POS
Në fund të vitit 2024, në vend janë regjistruar gjithsej 635 bankomate (ATM) dhe 20,913 terminale POS (Point of Sale). Numri i terminaleve për pagesa në pika tregtare është rritur me 21.7 për qind brenda vitit, duke arritur nivelin më të lartë historik.
Krahasuar me dy vitet paraprake, rritja është e qëndrueshme: nga 14,769 POS në vitin 2022, në 20,913 në 2024. Për çdo 1 milion banorë, Kosova ka 13,236 terminale POS dhe 401.9 ATM, ndërsa për çdo 100 kilometra katrorë raportohen 192 terminale POS dhe 6 ATM.
Pjesa më e madhe e terminaleve është përqendruar në Prishtinë, për shkak të numrit më të madh të banorëve, filialeve bankare dhe bizneseve që operojnë në kryeqytet. Në qytetet tjera, si Prizren, Ferizaj, Gjilan, Pejë e Gjakovë, rrjeti është më i kufizuar, por në rritje të vazhdueshme.
Gjatë këtij viti, përmes POS-ve janë realizuar 27 milionë transaksione me kartë, që përbën një rritje prej 36.7% krahasuar me vitin 2023.
Në totalin e këtyre pagesave, 72% janë me vlera nën 20 euro, çka tregon se qytetarët tashmë po i përdorin kartat edhe për blerje të vogla, si kafene, supermarkete apo karburante.
Kjo tregon një zhvendosje të qartë drejt një ekonomie më pa para fizike.
Pavarësisht rritjes së pagesave digjitale, tërheqjet nga bankomatet (ATM) vazhdojnë të mbeten të larta.
Sipas raportit, 60% e tërheqjeve i realizojnë meshkujt, ndërsa 40% femrat, me shumicën e transaksioneve në vlera mes 20 dhe 50 euro.
Megjithatë, rreth 22% e tërheqjeve përfshijnë shuma mbi 200 euro, çka tregon se një pjesë e qytetarëve ende preferon të mbajë para në dorë.
Në aspektin teknologjik, kartelat me çip EMV po e zëvendësojnë plotësisht teknologjinë e vjetër të shiritit magnetik.
Në fund të vitit 2024, 95% e kartave në qarkullim ishin të bazuara në EMV, krahasuar me vetëm 83% në fund të vitit 2023.
Kjo nënkupton një rritje të sigurisë dhe ulje të mundësive për abuzim apo mashtrime financiare.
Gjinia dhe mosha: kush përdor më shumë kartat
Të dhënat e BQK-së tregojnë se meshkujt dominojnë në shumicën e transaksioneve, si në numër ashtu edhe në vlerë, me një pjesëmarrje mesatare prej 70% në pagesat përmes kartave.
Nga ana tjetër, femrat po rrisin ndjeshëm pjesëmarrjen në blerjet online, ku për vitin 2024 arrijnë në 30% të totalit.
Në ndarjen sipas moshës, përdoruesit më aktiv janë ata mes 26 dhe 45 vjeç, ndërsa grupmoshat mbi 56 vjeç përbëjnë vetëm 10% të përdoruesve aktivë të kartave, çka tregon nevojën për edukim financiar dhe digjital në këtë grup.
BQK thekson se trendi i rritjes së përdorimit të kartave, sidomos atyre “contactless” dhe online, është një tregues i fortë i modernizimit të sistemit bankar dhe të ekonomisë familjare në Kosovë.
Në raportin e saj theksohet se “përmirësimi i infrastrukturës digjitale dhe edukimit financiar të qytetarëve do të ndikojë në uljen e përdorimit të parasë fizike dhe rritjen e transparencës në ekonomi”.




Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura