Këshilli i Ministrave ka miratuar sot më, 8 tetor, një sërë vendimesh të rëndësishme që prekin fushën e drejtësisë, kulturës, aviacionit civil dhe administratës lokale. Kështu, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja pasditen e datës 6 tetor, në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, janë marrë masa të reja sigurie për gjyqtarët dhe prokurorët.
Masa të reja sigurie për gjyqtarët dhe prokurorët e strukturave antikorrupsion
Në njoftimin e publikuar nga Agjencia për Media dhe Informim, thuhet se qeveria ka ndryshuar vendimin ekzistues që përcakton mbrojtjen personale për gjyqtarët e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Sipas vendimit të ri, këta zyrtarë do të shoqërohen me truproje të nivelit bazë dhe të mesëm gjatë gjithë kohës së mandatit dhe për një periudhë shtesë: Dy vjet pas përfundimit të mandatit për gjyqtarët e GJKKO-së dhe drejtorin e BKH-së si dhe tre vjet për drejtuesin e SPAK-ut.
“Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij.”, thuhet në vendim.