Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet Negociuese për Anëtarësim i Këshillit të BE-së (COELA), i shoqëruar nga presidenca daneze, ndodhet këtë javë në Tiranë në kuadër të një misioni faktmbledhës mbi ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së zhvilluan sot takime me Kryeministrin Edi Rama, Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, si dhe me Kryetarin dhe nënkryetaren e Komisionit Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Albana Vokshi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri rikonfirmoi mbështetjen e saj, duke theksuar se “procesi ecën bazuar në meritë dhe në zbatimin e reformave të prekshme dhe të qëndrueshme”.
“Së bashku, mbështesim reforma të prekshme dhe të qëndrueshme që e afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Evropian, duke siguruar që përparimi të vijojë bazuar në meritë dhe në zbatim konkret,” thuhet në mesazhin e Zyrës së BE-së në Tiranë, duke theksuar seriozitetin dhe angazhimin e BE27.
Misioni i COELA-s do të vijojë takimet me institucionet shqiptare gjatë kësaj jave për të vlerësuar progresin e reformave të ndërmarra dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm të nevojshëm për procesin e integrimit.
Shqipëria ka treguar një ritëm të shpejtë në këtë proces, duke hapur 28 kapituj negociatash në vetëm 11 muaj, ndërsa 4 kapitujt e fundit u hapën më 16 Shtator në Konferencën e 6-të Ndërqeveritare me BE-në.







