nga Sami Osmani
Nuk ishte plumbi i Shkambit qe vrau gjyqtarin. Ai ishte vetem gishti qe shtypi kembezen. Vrasesi i vertete ishte mungesa e shtetit, mungesa e drejtesise, mungesa e pergjegjesise . E vrau nje sistem qe nuk funksionon dhe qe per dekada te tera ka braktisur qytetaret ne meshiren e kaosit, korrupsionit dhe dhunes.
Nuk ishte nje krim i izoluar. Ishte kulmimi i nje plage te hapur: ceshtja e pazgjidhur e pronave, qe per 35 vjet ka qene burim konfliktesh, gjakderdhjesh dhe tragjedish. Reforma e pronesise ka qene nje fushe e minuar me ligje te pafundme, me vendime te kunderta, me interesa te perplasura midis ish-pronareve, zaptuesve, klienteve politike dhe strukturave shteterore te perfshira ne abuzime.
Ne cdo qytet te Shqiperise, gjen nje histori per pronen. Nje vendim gjykate qe nuk zbatohet. Nje dosje qe zhduket. Nje toke qe shitet tre here. Nje konflikt qe nis ne letra dhe perfundon ne gjak. Dhe shteti, ne vend qe te jete arbiter, eshte bere shpesh pale. Ne vend qe te sjelle drejtesi, ka thelluar padrejtesine.
Kur shteti nuk ofron zgjidhje, njerezit e kerkojne ate me mjetet e tyre dhe shpesh keto mjete jane te dhunshme. Cdo vonese, cdo zvarritje, çdo vendim i blere nen dore, eshte nje shkrepje qe pret te ndodhe. Ceshtja e pronave nuk eshte me nje teme e se kaluares, eshte nje krize e vazhdueshme, qe ka vrare me shume sesa cdo kush ka guxuar te pranoje.
E vrau edhe shoqeria jone, qe eshte mesuar te ule koken, te pranoje gjithçka, te behet spektatore e dramave qe perseriten njesoj prej dekadash. E vrau kultura e indiferences, ku me shume vlen pasuria se e drejta, ku me shume nderohet fituesi se sa i drejti. Kur krimi nuk eshte me i papranueshem, por i arsyetueshen, atehere te gjithe jemi bashkefajtore.
Por ka nje rrugedalje. Dhe ajo fillon me vullnet politik te vertete per te zgjidhur ceshtjen e pronave nje here e mire. Jo me ligje gjysmake. Jo me emerime politike ne institucione. Jo me premtime para zgjedhjeve. Por me nje reforme te thelle, te ndershme dhe gjitheperfshirese, qe njeh te drejten historike, mbron te drejten ligjore dhe garanton paqen sociale. Te vendoset nje mekanizem transparent, i depolitizuar, ku vendimi per pronen te mos jete me nje favor personal, por nje e drejte qe zbatohet njesoj per te gjithe.
Drejtesia nuk eshte luks, por kusht bashkejetese. Nese nuk e vendosim kete themel, do te vazhdojme te ndertojme mbi gjak, mbi dhimbje, mbi pasiguri.
Shkambi mund te denohet. Por ai eshte produkti i nje realiteti qe vete kemi krijuar, toleruar dhe ushqyer. Nese nuk ndryshojme sistemin, do te kete gjithmone nje tjeter Shkamb. Dhe gjithmone nje tjetër viktime.