HomeTe tjera“Me porosi të Enver Hoxhës dënohet me gjashtë vjet heqje lirie, me...

“Me porosi të Enver Hoxhës dënohet me gjashtë vjet heqje lirie, me akuzën ‘agjitacion e propagandë’”- Historia e trishtë e Dr. Dishnicës: Me ndërhyrjen e xhaxhait të tij, Esatit, ai…

Advertismentspot_img

Ymer Dishnica (1912-1992), ka qenë një nga figurat më simpatike, më të mençura, më fisnike dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ai u lind në fshatin Dishnicë më 21.2.1912, 4 km. afër qytetit të Korçës. Ymer Dishnica është moshatar me pavarësisë kombëtare dhe është bir i denjë i një familje me tradita të shquara atdhetare, e cila i ka dhënë Shqipërisë pesë dëshmorë, përfshi edhe një vëlla të doktor Ymer Dishnicës. Ai është një nga veprimtarët më të shquar antifashistë frankofonë të Shqipërisë. Njerëzit si Ymer Dishnica kishin cilësi të ralla kulturore, komunikative e propagandistike bindëse. Ai ishte i aftë të bisedonte bindshëm me njerës të natyrave dhe karaktereve të ndryshme.

ymer dishnica

I edukuar në një ambient fshatar por edhe qytetar si Korça, apo Evropian si Parisi dhe Franca, kishte aftësi bindëse të çuditshme. Agjitator i jashtëzakonshëm i tipit të ri antifashist, Ymeri e kuptonte me lehtësi hallexhiun nga fshati, qyteti apo aleatët e huaj.

Ai nuk ishte njeri i nënshtruar dhe nuk ndjente komplekse inferioriteti ndaj askujt, sidomos ndaj përfaqësuesve të aleatëve. Me përfaqësuesit e forcave kundërshtare të djathta, doktor Ymeri bisedonte pa kërcënime dhe fyerje dhe ishte në gjendje të kuptonte kompromisin nga nënshtrimi.

Ministri i Shëndetësisë i qeverisë të parë demokratike shqiptare. Anëtar i Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të PKSh-së, anëtari Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar. Besnik i kauzës antifashiste dhe komuniste e bindjeve të tij të cilat, i kishte përqafuar që shumë kohë para formimit të PKSh-s֝ë, kur ndodhej në Francë.

Ky personalitet i shquar i kapaciteteve të mëdha, i kalonte përmasat e Shqipërisë, me integritetin e tij intelektual e moral. Më pas, Ymer Dishnicën e përjashtuan nga Komiteti Qendror i PKSh-së e Byroja Politike dhe kështu filloi kalvari i tij i gjatë, i të përndjekurit politik.

Dr Ymer Dishnica më 4.7.1943 në Labinot të Elbasanit, zgjidhet anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UANÇSh. Arsimin fillor e nisi në vendlindje dhe përfundoi në Korçë, ndërsa arsimin e mesëm me rezultate të shkëlqyera e përfundoi në Liceun kombëtar francez të këtij qyteti (1932). Pas kësaj Ymer Dishnica u nis për në Francë, ku do të studionte pë tetë vjet në Universitetin e Lionit dhe më pas atë të Parisit për mjekësi (1932-1941), duke u lauruar e specializuar për patologji.

Ymer Dishnica nga natyra ishte njeri intelektual me kërkesa dhe kapacitete të larta kulturore. Ai në ato vite kurrsesi nuk mund të mos vizitonte Tyleritë dhe muzeumin e famshëm të Luvrit si dhe muzetë e shumtë të Parisit dhe qyteteve të Francës. Arkitekturën klasike dhe moderne të Francës. Ai vizitoi teatrot dhe galeritë e shumta të arteve të “kryeqytetit të botës”.

Paralel me studimet ai nuk mund të mos vizitonte pyjet dhe parqet e rrethinave të Parisit, brigjet e plazhet e lumit Sena e tij. Por ai ishte edhe një militant komunist që i përqafoi idetë e majta në Francën antifashiste e cila ishte ngritur e gjitha në këmbë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë e kërcënuar nga fashizmi italian, ai fankist spanjoll dhe nazizmi gjerman. Në Evropë po frynin e rërat e barutit të luftës dhe po buçisnin oshtimat e artilerisë dhe aviacionit.

Gjatë qëndrimit në Francë doktori i ri ka qenë për tetë vjet anëtar i Partisë Komuniste Franceze dhe drejtues i komunitetit antifashist shqiptar. Gjatë qëndrimit në Francë, si njëri prej drejtuesve të atij komuniteti, së bashku me Nako Spirun, Qamil Çelën, Sejfulla Maleshovën, Dhori Samsurin, Gogo dhe Kozma Nushin e shokë të tjerë.

Atje ka organizuar protesta të fuqishme në mbështetje të popullit spanjoll kundër rebelimit fashist të Frankos dhe mbështetjes të vullnetarëve shqiptarë që luftonin në Spanjë si: Mehmet Shehu, Skënder Luarasi, Petro Marko, Mane Nishova, Asim Vokshi, Justina Shkupi që ka punuar spitalet dhe infermieritë me doktor Betynin e famshëm, “Mjekun e tre kontinenteve” e, shumë të tjerë.

Madje pati edhe shumë dëshmorë nga luftëtarët shqiptarë. Ymeri ka pritur e përcjellë vullnetarët shqiptarë për në front. Të parin ndër ta ai ka takuar Petro Markon, e më pas edhe të tjerët. Gjatë ditëve të prillit 1939, kur trupat fashiste italiane pushtuan Shqipërinë, Ymer Dishnica me shokë, emigrantë, punëtorë dhe studentë shqiptarë që bëheshin disa qindra, organizuan manifestime të fuqishme dhe shkruan protesta e pamflete të fuqishme në gazetat dhe revistat e emigracionit shqiptar dhe atij të huaj si dhe botuan në shtypin antifashist francez.

Duke qenë një nga aktivistët veteranë të Grupit Komunist të Korçës, me kulturë të shëndoshë evropiano –perëndimore, që mbante lidhje të rregullta me Atdheun, kthehet në Korçë si mjek i kualifikuar por, edhe si antifashist me përvojë, hap klinikën e tij mjekësore private, para se sa të themelohej PKSh-ja. Në këtë klinikë kryheshin më shumë aktivitete politike antifashiste klandestine dhe takime pune partie me anëtarët e grupeve atdhetare, se sa vizita mjekësore.

Kishte filluar Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare e popullit shqiptar, për jetë a vdekje. Shumë shpejt policia sekrete e pushtuesve ra në gjurmët e aktivitetit politik të doktor Ymerit, kështu ai ishte i detyruar të kalonte në ilegalitet të thellë. Angazhohet në një aktivitet shumë të dendur e të rrezikshëm, si kuadër kryesor në veprimtarinë drejtuese të Qarkut të Korçës dhe në këtë kohë u kooptua si anëtar i Komitetit Qendror të PKSh-së.

Në Konferencën e Parë Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Pezës, më 16 shtator 1942, Ymer Dishnica si delegat i PKSh-së, luajti një rol të rëndësishëm organizativ, sidomos në marrëdhëniet e ndërsjellta me personalitetet nacionaliste. Në Pezë ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm ANÇ të Përkohshëm. Ymer Dishnica gjatë kësaj kohe shpalosi fuqishëm të gjithë talentin e kapacitetet e tij intelektuale dhe organizativo-teorike.

Në Konferencën e Parë të Vendit të PKSh-së (1943) u shqua për zotërimin e aftësive oratorike brilante. Më 4.7.1943 në Labinot të Elbasanit, Dr. Ymeri zgjidhet anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UANÇSh. Në mbledhjen e rëndësishme të Mukjes, e cila i filloi punimet në shtëpinë e Ihsan Toptanit në fushën e Tiranës, ku më vonë u strehua edhe koloneli anglez Nikols, i plagosur rëndë në këmbë, (ku dhe vdiq si rezultat i gangrenës së pashërueshme) dhe më pas i zhvilloi punimet në muajin gusht të vitit 1943 në Mukje.

Ymer Dishnica, kryetar, Mustafa Gjinishi dhe një delegacion i gjerë që përfaqësonte forcat e majta dhe Frontin Nacional-Çlirimtar, kurse ‘Ballin Kombëtar’ e kryesonte Mit’hat Frashëri dhe një delegacion po aq i gjerë sa ai i Frontit Nacional-Çlirimtar, biseduan gjerë-gjatë për problemet e Luftës së përbashkët kundër pushtuesit dhe Shqipërisë etnike, çka binte ndesh me synimet e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës si emisarë të Partisë Komuniste Jugosllave dhe Josif Broz Titos pranë Komitetit Qendror të PKSh-së, që drejtonte Luftën në Shqipëri.

Pikërisht për qëndrimin korrekt në këtë mbledhje, u akuzua për oportunizëm dhe u ndëshkua vetëm doktor Dishnica, ndonëse delegacioni i majtë përbëhej edhe nga disa personalitete me shumë influence të LANÇ-it, i qëndroi besnik platformës së miratuar me kohë nga Komiteti Qendror i PKSh-së. Në Plenumin e Helmësit (maj,1944), ku nuk ishin të pranishëm as gjysma e anëtarëve të Komiteti Qendror të Përhershëm të PKSh-së, çka përbën një shkelje të rëndë procedurale të organeve të partisë dhe paramendimin për të akuzuar dhe ndëshkuar vetëm Ymer Dishnicën!

Gjithsesi, LANÇ-i vazhdonte e ky personalitet i mençur dhe i shquar i saj, vazhdonte të militonte, tejet i angazhuar, në organet e LANÇ-it dhe ai drejtonte sektorët që i ishin ngarkuar dhe së bashku me mikun e tij të zemrës, profesor Sejfulla Maleshova, i jepnin gjallëri dhe hare çdo tubimi apo aktiviteti politik të LANÇ-it, me qëndrimi me tyre gazmor dhe intelektual. Në Kongresin e Parë Antifashist Nacional Çlirimtar të Përmetit (maj 1944), u zgjodh anëtar i Komitetit Antifashist Nacional Çlirimtar për Shëndetësinë, që kishte atributet e një Qeverie të Përkohshme Popullore.

Më 22 tetor 1944, në qytetin e Beratit u emërua ministër i Shëndetësisë i Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, e cila hyri në Tiranën e çliruar më 28 nëntor 1944. Paralel me punët dhe aktivitetin e përditshëm që ishte shumë i ngjeshur, sepse në Shqipëri po ngrihej gjithçka nga e para në jetën sociale, së bashku me profesor Sejfulla Maleshovën, doktor Ymer Dishnica, Dhimitër Shuteriqi, poetin Mark Ndoja, publicistin Shefqet Musarai, shkrimtarin Petro Markon por edhe me At Vinçens Prenushin, Andrea Xegën, Dhimitër Paskon, Nexhat Hakiun, Sterjo Spasen, Vedat Kokonën, Selaudin Toton etj., një pjesë e të cilëve më pas u burgosën dhe u persekutuan, krijuan për herë të parë në Shqipëri, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe morën vendim të botohej revista “Bota e Re”, “Letërsia jonë” etj.

Kjo bashkësi ishte me prejardhje jo vetëm nga PKSh-ja dhe LANÇ-i dhe nga e majta, sepse deri atëhere ishte treguar një qëndrim sektar, çka ishte e vërtetë. Pikërisht ato ditë, Sejfulla Maleshova së bashku me doktor Ymer Dishnicën, pritën deri në mesnatë, në sallën e Kinema “Kosova”, shkrimtarin sovjetik me famë botërore, Ilia Erenburg, të cilin e shoqëronte dramaturgu frëngjisht folës, Hetem Haxhiademi.

Por kjo shkëndijë demokracie dhe lirie sociale, siç ishte Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, Sindikatat apo Bashkimet Profesionale, Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Rusi, e cila fillimisht kishte kryetarë: Zëvendëskryeministrin shqiptar, gjeneral lejtenat Koçi Xoxe, anëtarin e Byrosë Politike Nako Spiru, Hysni Kapo, Tuk Jakova e të tjerë, u mbyt shumë shpejt nga regjimi diktatorial.

Në vitin 1947, Ymer Dishnica, për shkaqe thjesht politike, shkarkohet nga detyra e ministrit të Shëndetësisë dhe lihet në dispozicion të ministrisë së Punëve të Jashtme, në një punë të dorës së fundit, ky intelektual dhe antifashist brilant. Me dëshirën e tij, doktori heq dorë përfundimisht nga politika, veshi bluzën e bardhë të mjekut patolog dhe filloi punën në spitalin e Tiranës (1948) dhe punonte si pedagog në shkollën e mesme mjekësore.

Më 2 janar 1950, me vendim të posaçëm dëbohet familjarisht nga Tirana për në Berat, ku punoi si drejtor i Drejtorisë të Shërbimit Shëndetësor, në spital dhe në ambulancën e qytetit. Në qershor të vitit 1955, për ironi të fatit, me porosi të vetë kreut të piramidës partiake, (Enver Hoxha), arrestohet dhe dënohet me gjashtë vjet heqje lirie, me akuzën “për agjitacion e propagandë kundër shtetit”!!! Pas një viti, me ndërhyrjen e njeriut që ndihmoi shumë financiarisht për krijimin e PKSh-së, xhaxhait të tij, Esat Dishnica, i falet dënimi i mbetur (!), por kjo “falje”, u shoqërua me një tjetër vendim çnjerëzor të Komisionit të Dëbim-Internimeve.

Ky organizëm vrastar stalinisto-enverist e internon doktor Dishnicën në qytetin e Beratit, për një afat pesë vjeçar. Ymer Dishnica, ndonëse i internuar, pra i persekutuar politik, ishte njeriu më i vlerësuar, më i respektuar nga populli i thjeshtë i qytetit dhe pacientët e tij të shumtë. Gjithsesi, ai mbeti familjarisht atje ku ishte, i izoluar dhe i mbikëqyrur ashpër nga organet e Sigurimit të Shtetit, deri në kohën e përmbysjes të diktaturës së Enver Hoxhës dhe klikës së tij.

Doktor Dishnica, ndërkohë ishte shumë i kujdesshëm, studionte dhe lexonte literature profesionale të përparuar të kohës, por edhe i ndiqte me vëmendje e kujdes situatat politike të kontinentit. Ai, gjithsesi e ndjente shpresën e madhe të demokracisë dhe liria politike dhe sociale, e cila me gjithsesi me shumë vonesë, po vinte më së fundi edhe në Shqipëri. Personaliteti i madh shqiptar Ymer Dishnica, mundi më së fundi të kthehet i lirë në Tiranë, në vitin 1995, i lodhur por optimist. I përndjekur, por i pa përkulur nga shtypja e gjatë.

Në vitin 1994, me gjithë moshën jo të re, zgjidhet kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar. I pa pajtuar me diktatorin. Pse? Sepse me Enver Hoxhën, divergjencat e doktor Dishnicës, kishin filluar shumë herët dhe ishin të papajtueshme, diktatori njerëzit si personalitetet e tipit të Ymer Dishnicës, me një integritet dhe pavarësi mendimi shembullore, nuk mund t’i duronte si bashkëpunëtorë, ndaj edhe i eliminoi apo i sakatoi fizikisht, një nga një, por nuk mundi kurrë t’i mposhtë moralisht, as atëherë kur i burgosi për një kohë të gjatë apo, i eliminoi fizikisht.

Doktor Dishnica si rezultat i aktivitetit të tij të jashtëzakonshëm antifashist dhe luftarak, ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor, që në legjislaturën e parë dhe i nderuar me shumë dekorata urdhra dhe medalje të RPSh-së dhe të vendeve të tjera aleate. I nderuari Dr. Ymer Dishnica, vdiq në gjirin e familjes, i qetë dhe i respektuar nga familjarët, të afërmit, miqtë, shokët, veteranët dhe luftëtarët e LANÇ-it, më 22.9.1998. Shoqëria shqiptare humbi kështu një njeri emblematik, të edukuar, të shkolluar, të përkushtuar dhe të kulturuar në shkallën më sipërore, që do të kujtohet për një kohë shumë të gjatë dhe do të zërë vendin e merituar në panteonin e nderit të kombit shqiptar.

Autori i këtij studimi biografik, është prej pionierëve veteranë më të vegjël të LANÇ-it si dhe prindët e tij, kanë pasur rastin e lumtur ta njohin nga shumë afër këtë personalitet të shquar e të veçantë të LANÇ-it, si dhe e kanë pasur mik familjar të nderuar që kur u kthye nga studimet universitare nga Franca dhe koleg të prindërve të tij, të cilët gjithashtu kanë qenë luftëtarë antifashistë të orëve të para, që nga koha e para pushtimit fashist e, deri në momentin që doktor Ymer Dishnica u nda nga jeta. Memorie.alNga Prof. As. Dr. Gjergj P. TITANI

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular