Çmimet e kriptomonedhave ranë ndjeshëm, pak pasi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se do të vendoste tarifa shtesë 100% ndaj Kinës dhe kontrolle mbi eksportet e softuerëve.
Sipas të dhënave nga Coinglass, investitorët panë pozicione me vlerë më shumë se 7 miliardë dollarë të likuiduara në më pak se një orë.
Siç raporton Bloomberg, Bitcoin fillimisht ra me më shumë se 12% pasi Trump bëri njoftimin nëpërmjet një postimi në platformën Truth Social. Kriptomonedha më e madhe, e cila më parë këtë javë kishte arritur një nivel rekord prej më shumë se 125,000 dollarësh, po tregtohej me rreth 113,000 dollarë të premten në mbrëmje (10 tetor) në Nju Jork.
Dobësia në tregun e kriptomonedhave ishte e dukshme që të premten. Në 24 orët e fundit, rreth 9 miliardë dollarë baste mbi kriptomonedha janë zhdukur, duke përfshirë 7.5 miliardë dollarë në long dhe 1.5 miliardë dollarë në short, në valën më të madhe të likuidimeve që nga fillimi i prillit.
Tokenët më të vegjël dhe më pak likuidë janë goditur më rëndë: XRP, memecoin i dashur DOGE dhe ADA e Cardano kanë rënë përkatësisht me rreth 19%, 27% dhe 25% në 24 orët e fundit.
“Një mosmarrëveshje e re tregtare midis Kinës dhe SHBA-së shpërtheu të premten, duke shkaktuar pasiguri në tregje dhe një kolaps të aseteve me risk”, tha Ravi Doshi, bashkëdrejtues i tregjeve në ndërmjetësin kryesor FalconX. “Divizioni i derivateve të kompanisë pa kërkesë të tepërt për mbrojtje nga rëniet gjatë gjithë ditës”, shtoi Doshi.
Përshkallëzimi i retorikës midis SHBA-së dhe Kinës ka dërguar valë tronditëse në tregje, duke goditur aksionet, naftën dhe kriptovalutat, ndërsa ka shkaktuar një zhvendosje drejt obligacioneve të thesarit dhe arit, të cilat janë strehë e sigurt.