Kosova i ka dhënë fund procesit të zgjedhjeve vendore, që vazhduan këtë të diel për 12 orë në 38 komuna të vendit, për të vijuar me fazën e numërimit të votave pas orës 19:00.
Rreth 2 milionë banorë u ftuan për të ushtruar të drejtën e votimit. Deri në orën 19:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) raportoi se pjesëmarrja ishte rreth 39,51 për qind apo gati 800 mijë qytetarë iu drejtuan kutive të votimit në qendrat e përcaktuara.
Këto zgjedhje treguan “maturi politike e demokratike”, u shpreh kryeparlamentari Dimal Basha pas votimit në qytetin e Ferizajt, ndërsa vlerësoi qetësinë në të cilën u mbajt procesi gjithëditor.
Para tij votuan presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, bashkë me gjithë kryetarët e partive kryesore.
“Deri më tani, nuk janë evidentuar parregullsi që do të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve,” tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e radhës për mediet.
Krerët politikë falënderojnë qytetarët për kulturën demokratike
“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi. Falënderoj të gjithë qytetarët për mbështetjen për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe kandidatët tanë nëpër komuna. Ky besim është forca jonë për të vazhduar me punë e përkushtim përpara. Por, tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve,” shkroi kryeministri në detyrë Kurti në Facebook, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, teksa falënderoi votuesit që mbështetën kandidatë e tij.
“Faleminderit Kosovë! Sot fituan qytetarët, demokracia dhe besimi në të ardhmen. Faleminderit për çdo votë, anekënd vendit, me të cilën qytetarët u përcaktuan për modelin më të mirë të qeverisjes lokale – atë të Partisë Demokratike të Kosovës. Vazhdojmë me përkushtim dhe besim drejt rikonfirmimit të fitoreve në çdo komunë ku jemi në balotazh. Kosova meriton ma mirë!” postoi në Facebook edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
“Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë fitore dhe rezultat historik. Çdo garues, çdo komisioner, çdo vëzhgues, çdo njeri që ka kontribuar për këtë rezultat. Ata që sonte e kryen garën, nesër nisjani punës. E pas pak ditësh do t’ia nisin punës edhe kolegët e juaj që më bënë krenar,” tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Disa komuna drejt raundit të dytë të votimeve më 9 nëntor
Në komunat ku asnjëri nga kandidatët për kryetar komune nuk ka arritur të sigurojë mbi 50% të votave, procesi shkon në balotazh. Në këtë rast, përballë njëri-tjetrit vihen dy kandidatët me më shumë mbështetje popullore nga raundi i parë.
KQZ-ja ka bërë të ditur se balotazhet do të mbahen pas katër javësh nga data e sotme, më 9 nëntor 2025.
“Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet rundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet kryetar i komunës,” ka sqaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Rezultatet paraprake të publikuara nga KQZ-ja deri në orën 20:04
Bazuar në rezultatet paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, komuna e Prishtinës pritet të mbesë në duart e kryetarit aktual Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai ndiqet nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Hajrulla Çeko dhe Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës në vend të tretë. Ndërkohë Besa Shahini, ish-ministrja e Arsimit në qeverinë e Shqipërisë dhe një nga dy gratë që kandiduan për të udhëhequr Prishtinën, ka siguruar më pak se 2 për qind të votave sipas rezultatit të përditësuar nga KQZ-ja në orën 21:59.
Deçan
Dragash
Ferizaj
Fushë-Kosovë
Gllogoc
Graçanicë
Gjakovë
Gjilan
Hani i Elezit
Istog
Junik
Kaçanik
Kamenicë
Klinë
Kllokot
Leposaviq
Lipjan
Malishevë
Mamushë
Mitrovicë e Jugut
Mitrovicë e Veriut
Novobërdë
Obiliq
Partesh
Pejë
Podujevë
Prishtinë
Prizren
Rahovec
Ranillug
Skënderaj
Suharekë
Shtërpcë
Shtime
Viti
Vushtrri
Zubin-Potok
Zveçan
Në këto zgjedhje morën pjesë gjithsej 93 subjekte politike – 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Këto formacione kërkojnë të sigurojnë kryetarin e secilës prej 38 komunave të vendit, si dhe të kenë pjesën e tyre në këshillat komunalë respektivë.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për t’u zgjedhur është 5.624. Prej tyre, 205 garojnë për kryetarë komunash dhe 5.419 për kuvendet komunale.
2.025.105 votues brenda territorit të Kosovës kishin të drejtë të ushtronin votën e tyre, ndërsa 43.993 qytetarë u regjistruan për të votuar me postë nga jashtë vendit. Nga votuesit e rinj, 26.654 tetëmbëdhjetëvjeçarë patën mundësinë të votojnë për herë të parë.