Kryeministri Edi Rama do të presë nesër, 13 tetor, në orën 09:50, Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Ceremonia e mirëseardhjes do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.
Në orën 10:00 do të zhvillohet një takim kokë më kokë mes Kryeministrit Rama dhe Presidentes von der Leyen, i cili do të pasohet nga takimi bilateral mes dy delegacioneve.
Më pas, në orën 11:15, Kryeministri Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian do të zhvillojnë konferencë të përbashkët për shtyp në Kryeministri.
Presidentja e Komisionit Evropian, ka zhvilluar takime herë pas here me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me në fokus procesin e negociatave për anëtarësim. Që kur ka marrë këtë detyrë, Von der Leyen e ka shprehur se është e përkushtuar ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ky takim në Tiranë vjen në sajë të turit që Von der Leyen nis nesër zyrtarisht në Ballkanin Perëndimor.
Përpos procesit të negociatave, do të diskutohet edhe Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024–2027.