Aksioni i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të Tiranës ka vijuar edhe këtë fundjavë në disa zona të cilësuara problematike, për shkak të dendësisë së popullsisë dhe ndërtimeve pa kriter.
Në njësinë nr. 14, në lagjen e Astirit, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake bllokuan 4 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi pa leje, ndërsa ka nisur procedura për shembjen e objektit. Pallati i ndërtuar nga biznesmeni S.Ll., sipas një njoftimi nga Bashkia e Tiranës, ishte në shkelje flagrante të rregullave të ndërtimit.
Ndërkohë, policia e Tiranës, në një njoftim të shkurtër për mediat tha se kishte ndaluar biznesmenin në fjalë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 6 ndaluan shtetasin S. Ll., 50 vjeç, pasi është konstatuar se në objektin e tij (pallat në ndërtim), në Yzberisht, ka kryer punime ndërtimi pa leje, në hapësirën e përbashkët të pallatit”, thuhet në njoftim.







