HomeEkonomiTiranës pritet t’i shtohen edhe 192 mijë m² zyra të reja nga...

Tiranës pritet t’i shtohen edhe 192 mijë m² zyra të reja nga kullat 100-katëshe

Advertismentspot_img

Në Tiranë pritet të pasurohet ndjeshëm oferta për ambiente zyrash, falë projekteve të reja që parashikojnë ndërtimin e kullave nga 40 deri në 100 kate, si dhe zhvillimeve të tjera të mëdha urbane.

Sipas Stela Dhamit nga “Colliers Albania”, këto projekte pritet të ushtrojnë një presion në rritje mbi çmimet e qirave, por efekti i tyre do të varet nga ritmi me të cilin hapësirat e reja do të hyjnë realisht në treg.

Meqenëse ndërtimi dhe vënia në funksion e këtyre ambienteve kërkon kohë, ndikimi në treg mund të shtrihet në një periudhë afatgjatë.

“Tirana e ka konsoliduar veten si një qendër për zhvillime të mëdha me përdorim të përzier. Rreth 192,338 m², hapësira zyrash janë në proces ndërtimi, me projekte të rëndësishme si ‘Book Building’, ‘T’Rock’, Bulevardi i Tiranës, ‘Lake Park Central’, ‘Eyes of Tirana’, ‘The Cliffs Project’ dhe ‘Lion 2 Residence’.

Disa kulla të larta (40–100 kate) janë njoftuar gjithashtu, por janë ende në pritje të miratimit. Meqë shumica e projekteve të reja përfshijnë komponentë zyrash, lokacionet qendrore po përjetojnë konkurrencë të intensifikuar dhe presion në rritje mbi qiratë”, nënvizon ajo.

Po ashtu gjatë vitit 2024, tregu i zyrave në Tiranë u stabilizua dhe filloi të rimëkëmbet pas një periudhe pasigurie. Sasia totale e zyrave mbeti pothuajse e njëjtë rreth 189,6 mijë metra katrorë.

“Kjo tregon se ndërtimet e reja janë në rrugë për t’u përfunduar, pas një rritje të madhe prej 31% në vitin 2023. Në treg ka më shumë zyra të klasës A dhe B+, dhe po lëvizim drejt hapësirave më të mira”, theksohet në analizën e “Colliers Albania”.

Shpërndarja gjeografike e ofertës së zyrave mbeti kryesisht e pandryshuar në vitin 2024. Rreth 82% e zyrave ndodhen në zonën qendrore të biznesit dhe brenda qytetit, ndërsa 18% janë në periferi.

“Zona qendrore tërheq më shumë biznese të reja që kërkojnë zyra cilësore.

Sepse ka pak zyra të mëdha dhe cilësore në zonën qendrore, po ndërtohen edhe godina të reja jashtë qytetit, si në autostradën Tiranë-Durrës dhe në zonën e Farkës. Këto përdoren kryesisht si seli kompanish”, theksohet nga “Colliers Albania”.

2025 pritet të sjellë investime të reja dhe hyrje të markave të tjera ndërkombëtare dhe për retail

“Colliers Albania” në raport nënvizon gjithashtu se viti 2025 pritet të jetë veçanërisht dinamik për sektorin e retail-it në vend. “Fashion Gallery Tirana”, një qendër e re tregtare me sipërfaqe 5,000 metër katror, do të nisë operimin pranë TEG-ut dhe Terminalit Lindor të Autobusëve në Tiranë, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri marka si “Sinsay” dhe “Pepco”.

Po ashtu, projekte si “Eyes of Tirana” dhe Bulevardi i Tiranës do të shtojnë gati 7,900 metër katror hapësira të reja komerciale, ndërkohë që investitorë të njohur rajonalë si “Viva Fresh” nga Kosova kanë hyrë fuqishëm në treg me blerjen e rrjetit “SPAR Albania” nga Grupi BALFIN.

Në zhvillim janë edhe planet për ndërtimin e një qendre logjistike të re nga “Lidl” pranë Durrësit, që do të shërbejë si bazë për zgjerimin e rrjetit të tyre në të gjithë Shqipërinë.

Ndërkohë, BALFIN Group, në partneritet me “Big CEE Europe”, ka paralajmëruar një valë të re të ndërtimit të parqeve tregtare, me projektin e parë në Shkodër, që pritet të hapet në vitin 2027.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit ka qenë edhe shitja e “Fashion Group Albania” (FGA), një nga operatorët kryesorë të markave të modës në qendrat tregtare, duke shënuar një moment kyç në peizazhin e retail-it në vend.

Pas pandemisë së Covid-19, qiratë e dyqaneve u rritën deri 38%

Pas pandemisë së Covid-19, qiratë për dyqane në qendra tregtare dhe rrugët kryesore të Tiranës u rritën deri me 38%.

Në vitin 2020, sipas të dhënave të agjencive imobiliare, çmimet maksimale të ambienteve për dyqane në rrugët kryesore ishin 40 euro për metër katror, ndërsa maksimalja e qirasë për dyqanet në qendrat tregtare arriti 52 euro për metër katror.

Për 2024, sipas “Colliers Albania”, qiratë maksimale kanë arritur në 70 euro për metër katror në muaj për qendrat tregtare dhe 55 euro për metër katror në muaj për rrugët kryesore të shitjes me pakicë.

Qendrat tregtare kryesore janë pothuajse të gjitha të zëna, shpesh me lista pritjeje, duke tërhequr marka ndërkombëtare.

Njësitë tregtare cilësore në qendrat tregtare mbeten shumë të kërkuara. Megjithëse tregtia online vazhdon të rritet gradualisht, shitësit me pakicë online, veçanërisht ata me kosto të ulët, kanë filluar të hyjnë në treg, duke ndikuar disi te shitësit e vegjël fizikë dhe lokalë.

Megjithatë, dyqanet fizike vazhdojnë të dominojnë shitjet me pakicë në përgjithësi.

Në tërësi, sipas raportit të fundit të publikuar nga “Colliers Albania” tregu i pasurive të paluajtshme komerciale në Shqipëri ka shënuar rimëkëmbje të qëndrueshme gjatë vitit 2024, me sinjale pozitive për vijimësinë e këtij trendi edhe në vitin 2025.

Sipas të dhënave, stoku total i hapësirave në qendrat tregtare u rrit në 211,395 m², nga 203,395 m² një vit më parë, falë përfundimit të disa projekteve të reja.

Ndërkohë, norma e vakancës mbeti e ulët në vetëm 3.71%, një tregues ky i kërkesës së fortë dhe të qëndrueshme nga operatorët e retail-it.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular