Pas një fitoreje të tillë, nuk mund t’i gjesh dot fjalët as shkronjat në tastierë!
Serbi o-1 Shqipëri
Rey Manaj vendimtar me golin e shënuar në fundin e pjesës së parë!
Kryevepër kuqezi, Shqipëria shkruan historinë në Serbi, triumfon 0-1 në derbin e Ballkanit duke mbajtur të ndezur ëndrrën për t’u kualifikuar në Botëror. Rey Manaj realizoi një super gol, për më tepër një gol historik duke thyen rivalët e përjetshëm brenda në Leskovac. Në një ndeshje të luftuar fort diferencën e bërë shpirti i djemve të Sylvinhos.
Me peshën e një kombi mbi supe, djemtë e Sylvinjos i bënë ballë presionit të Serbisë në fillimin e pjesës së parë, ku Vlahovic me shokë tentuan në disa momente të gjenin golin e avantazhit, por Strakosha u tregua perfekt duke ndalur çdo tentative. Nuk kishte të pranishëm tifozë ultras, por në stadiumin e Leskovacit nuk munguan thirrjet “Kosova është Serbi”. Në frymën e fundit, në shtesën e pjesës së parë, Rey Manaj me një predhë të vërtetë brenda në zonë dërgoi topin në trekëndësh duke bërë që tifozët kuqezi në të të gjithë botën të shpërthenin në festë. Nuk mungoi as festa me shqiponjë nga Rey Manaj, pikërisht qershia mbi tortë e këtij episodi. E sigurt që për Manaj ky ishte kartoni i verdhë më i ëmbël në karrierë. Në fraksionin e dytë, ashtu siç pritej, Serbia u hodh në sulm në kërkim të golit të barazimit, por Shqipëria mbrojti me fanatizëm këtë rezultat historik që i jep kuqezinjve vendin e dytë në Grupin K.
Pas fitores së madhe ndaj Serbisë, Kombëtarja shqiptare është rikthyer në stërvitje, për përgatitjet e ndeshjes së radhës, miqësoren ndaj Jordanisë.
Gazetari Irgis Hysenaj, raporton për Klan News, se ka nisur stërvitja në “Shtëpinë e Futbollit”. Pjesa më e madhe e lojtarëve kanë dalë në fushë. Atmosfera është e qetë. Fitorja ka sjellë entuziazëm në grupin e lojtarëve, por edhe tek të gjithë shqiptarët.
Është një seancë stërvitore, menjëherë pas ndeshjes me Serbisë ku stafi dhe Silvinjo do të punojnë me lojtarët që morën më pak minuta dhe ata që nuk u aktivizuan. Të gjithë titullarët kanë harxhuar energji dhe kanë punuar në palestër. Ushtrimet e tyre, do të jenë të lehta, në krahasim me pjesën tjetër.
Kjo mund të përdoret për të parë formën e lojtarëve. Ndeshja e radhës është miqësore me Jordaninë. Stafi përgatitet për këtë sfidë. Do të shërbejë për të shikuar lojtarët e rinj. Në grup janë futbollistë të rinj, si Gripshi dhe Cake. Gjasat janë të mëdha, që ndaj Jordanisë të jenë edhe ata në formacion.