Claudia Fuller është fituesja e edicionit të dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Dirigjimit “Nikolla Zoraqi”.
Në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, ajo drejtoi me elegancë dhe siguri Orkestrën Simfonike të RTSH-së, duke marrë vlerësimet më të larta të jurisë ndërkombëtare dhe duartrokitjet e zjarrta të publikut.
Konkursi, që u zhvillua përgjatë një jave në Tiranë, mblodhi 85 dirigjentë nga mbi 25 vende të botës, të cilët garuan për të treguar talentin e tyre në një prej skenave më të rëndësishme të muzikës klasike në Shqipëri.
Pas fazave kualifikuese, juria përzgjodhi 15 gjysmëfinalistë, të cilët performuan me Orkestrën për të siguruar një vend në finalen e madhe.
“Kjo fitore është një arritje e madhe për mua, sepse ishte një konkurrencë e fortë mes shumë profesionistëve nga 82 vende, të cilët sollën përvojën e tyre në këtë konkurs të veçantë. Të performosh me Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar është një arritje e madhe profesionale dhe unë falënderoj të gjithë, një e nga një, për suportin që më dhanë. Konkurse të tilla janë shumë të rëndësishme dhe jam shumë e lumtur që isha pjesë e tij”, tha Fuller.
Ky konkurs, i organizuar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, është shndërruar në një platformë prestigjioze ndërkombëtare për dirigjentët e rinj, duke e vendosur Tiranën në hartën e ngjarjeve të rëndësishme muzikore. Finalja u kurorëzua me një koncert gala, që mbylli një javë të jashtëzakonshme arti dhe emocioni. RTSH