Socialistët kanë vendosur të mos presin më opozitën për të kaluar në parlament Avokatin e Popullit, duke propozuar që kandidati të jetë nga rradhët e shoqërisë civile.
“Jo anëtari i një partie politike, por një përfaqësues i nderuar i shoqërisë civile me kontribute në jetën sociale të vendit. Kësaj radhe nuk e kanë të drejtën ta mbajnë peng 3 vjet zgjedhjet e avokatit të popullit”, tha Taulant Balla.
Për demokratët kjo është përpjekja e radhës e maxhorancës për të zaptuar një tjetër institucion kushtetues.
“Duan të marrin dhe të vetmin institucion që e kanë pasur në një ujdi me opozitën”, tha Sali Berisha.
Pavarësisht se maxhoranca ka shumicën në drejtimin e dy komisioneve, atë për reformën zgjedhore dhe territoriale, socialistët janë të gatshëm të bëjnë edhe lëshime me qëllim nisjen nga puna sa më parë.
“Jemi të hapur për një diskutim me opozitën, ku kemi pasur dhe përbërje paritare, pra barazi”, tha Balla.
Por selia blu nuk heq dorë nga dy kushtet e saj.
“Nuk mund të ketë reformë zgjedhore pa praninë e ODHIR-it. Për reformën territoriale ne kemi një kusht të panegociushëm, praninë e përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës”, tha Berisha.
Një tjetër pikë që ndan palët është edhe projektligji për barazinë gjinore, për të cilin socialistët kanë theksuar nevojën e saktësimeve të termave, ndërsa demokratët kanë dorëzuar më herët një draft që thekson se ka vetëm dy gjini.
Në një deklaratë për gazetarët këtë të hënë, kreu i grupit Parlamentar i PS ka bërë me dije se socialistët do të zgjedhë Avokatin e Popullit, edhe nëse opozita nuk bëhet pjesë e procesit.
Balla u shpreh se opozita nuk mund ta mbajë me peng zgjedhjen e Avokatit të Popullit, një proces që sipas tij duhet të bëhet së shpejti.
“Të ndërtojmë së bashku një proces. Por jemi këtu në këtë situatë 3 vjet me vonesë për shkak të mungesës së dëshirës së opozitës për tu bërë pjesë e këtij procesi. Tani nuk e kanë as mbajtjen peng të këtij procesi, sepse nëse nuk do të bëhet pjesë ne do ti japim Shqipërisë Avokatin e Popullit”, tha Balla.
“Uroj që në seancën e të enjtes të kenë mundësi të flasin të gjithë deputetët. Ne do i japim Shqipërisë Avokatin e popullit, me shpresën që do t’i japim një njeri me integritet, i fushës së jurisprudencës”, shtoi ai.
Komisioni i Ligjeve, në mbledhjen e kësaj të hëne, ka shpallur vakancën për pozicionin e Avokatit të Popullit, duke i dhënë mundësinë të interesuarve të depozitojnë dokumentacionin e nevojshëm për t’u kualifikuar si kandidatë, 20 ditë nga vendimi.
Opozita nuk ishte dakord me procedurën, pasi sipas saj, vakanca është shpallur një herë, gjatë legjislaturës së kaluar dhe nuk është më e nevojshme.
Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, tha e ku argument i opozitës nuk qëndron pasi një pjesë e deputetëve të legjislaturës së kaluar, që kanë firmosur në mbështetje të kandidaturave, sot nuk janë më pjesë e Kuvendit, dhe si rrjedhojë procedura e mëparshme e shpalljes së vakancës nuk është më e vlefshme.
Vakanca për detyrën e Avokatit të Popullit u shpall për së dyti vetëm me 8 votat e socialistëve në Komision, ndërsa 5 deputetët e opozitës bojkotuan votimin.
Në unitet mes socialistëve dhe demokratëve, me 13 vota u shpall vakanca edhe për detyrën e Komisionit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Zgjedhja e Avokatit të Popullit në Kuvend kërkon 84 vota, teksa Erinda Ballanca po e ushtron detyrën përtej afateve kushtetuese, pasi i ka mbaruar mandati që prej Marsit të vitit 2022.
Ajo u zgjodh në detyrë si Avokate e Popullit me 22 maj 2017, me një mandat 5-vjeçar, në bazë të vendimit të Kuvendit nr. 70/2017, pas marrëveshjes së famshme Rama-Basha. Megjithëse mandati i saj ka përfunduar prej 3 vitesh, ajo vijon të ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e pasardhësit, siç parashikohet nga ligji.
Në legjislaturën e kaluar, pati disa tentativa për të gjetur një emër konsensual mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, por këto përpjekje dështuan. Emri i fundit që u propozua nga PD ishte ai i Besim Ndregjonit.
Këtë radhë, me 83 vota të garantuara në Kuvend dhe mbështetjen e mundshme të tre mandateve të Partisë Socialdemokrate (PSD), Partia Socialiste është teorikisht në gjendje të zgjedhë një Avokat të Popullit edhe pa dakordësinë e opozitës.