HomeEkonomiMinistria e Financave publikon shifrat: Të ardhurat për 9-mujorin arritën mbi 562...

Ministria e Financave publikon shifrat: Të ardhurat për 9-mujorin arritën mbi 562 miliardë lekë!

Advertismentspot_img

Ministria e Financave ka publikuar këtë të martë, më 14 tetor, të dhënat mbi performancën paraprake të treguesve fiskalë për periudhën Janar–Shtator 2025, të cilat reflektojnë një ecuri pozitive në mbledhjen e të ardhurave dhe realizimin e shpenzimeve publike.

Kështu, rezulton se të ardhurat totale për 9-mujorin arritën në rreth 562.5 miliardë lekë, duke tejkaluar planin me 101% dhe duke shënuar një rritje prej 6.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Ndërkohë, Tatimet dhe Doganat kontribuan me 372.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 8.9%.

Për të njëjtën periudhë, administrata doganore arkëtoi 178.7 miliardë lekë, me TVSH-në në import që kap vlerën 117.8 miliardë lekë (+2.3%). Akciza u rrit me 10.8%, ndërsa taksat doganore me 5.7%.

Tatimi mbi të ardhurat personale u rrit me 26.7%, duke arritur në 63.1 miliardë lekë. Ndërkohë, fondet speciale (sigurimet shoqërore dhe shëndetësore) u realizuan në 132.9 miliardë lekë, me një rritje prej 12.3% dhe tejkalim të planit me 104.4%.

Shpenzimet publike

Shpenzimet publike për të njëjtën periudhë arritën në 515.5 miliardë lekë, me një realizim prej 95.7% të planit dhe një rritje prej 12.2% krahasuar me vitin e kaluar.

Shpenzimet korente kapën vlerën 457.6 miliardë lekë (+11.3%), ndërkohë që shpenzimet kapitale u rritën me 17.6%, duke arritur në 56.8 miliardë lekë.

Sakaq, suficiti buxhetor për periudhën Janar–Shtator 2025 rezultoi në 47.1 miliardë lekë, një rënie prej 32.1% krahasuar me vitin 2024.

Ministria e Financave pritet të publikojë analizën përfundimtare në fund të vitit.

SHIFRAT E PUBLIKUARA NGA MINISTRIA E FINANCAVE

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën Janar-Shtator 2025 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Të ardhurat totale arritën në rreth 562.5 miliardë lekë në 9 mujorin e vitit 2025.

Shpenzimet e përgjithshme publike arritën në rreth 515.5 miliardë lekë në 9 mujorin e vitit 2025.
Performanca Paraprake e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për Janar-Shtator 2025:
Të ardhurat totale, për periudhën Janar-Shtator 2025, arritën në rreth 562.5 miliardë lekë, një realizim në masën 101 % të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 33.6 miliardë lekë më shumë ose 6.4 % më shumë.
Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën Janar – Shtator 2025, janë në shumën 372.3 miliardë lekë, 30.5 miliardë lekë ose 8.9% më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) për periudhën Janar – Shtator 2025 u realizuan në vlerën 178.7 miliardë lekë, 7.5 miliardë lekë ose 4.4% më shumë se Janar – Shtatori i vitit 2024, dhe me realizim në masën 98.5%.
Të ardhurat nga TVSH në import për periudhën Janar – Shtator 2025 janë 117.8 miliardë lekë, 2.7 miliardë lekë ose 2.3% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Të ardhurat nga akciza për periudhën Janar – Shtator 2025 janë realizuar në shumën 52.3 miliardë lekë, 5.1 miliardë lekë ose 10.8% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, si dhe realizim në shumën 1.6 miliardë lekë ose 3.1% më shumë se plani i akcizës për periudhën Janar – Shtator 2025.
Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, për periudhën Janar – Shtator 2025, janë në shumën 1.5 miliardë lekë, një realizim prej 77.5 % kundrejt planit të periudhës Janar – Shtator 2025.
Të ardhurat nga taksat doganore për periudhën Janar – Shtator 2025 janë në vlerën 7 miliardë lekë, 381 milionë lekë ose 5.7% më shumë se Janar – Shtatori i vitit 2024, si dhe realizim prej 89.7% kundrejt planit të periudhës.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar – Shtator 2025 u realizuan në shumën 193.7 miliardë lekë, 23 miliardë lekë ose 13.5% më shumë se Janar – Shtatori i vitit 2024. Krahasuar me planin, të ardhurat e mbledhura janë 1.2 miliardë lekë ose 0.6% më shumë.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në shumën 50.4 miliardë lekë, 7.4 miliardë lekë ose 17.2% më shumë se periudha Janar – Shtatori 2024. Rimbursimet e dhëna për periudhën Janar – Shtator 2025 janë në shumën 19.1 miliardë lekë, 49 milionë lekë ose 0.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, dhe kundrejt planit, 521 milionë lekë ose 2.8% më shumë.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 45.3 miliardë lekë, 1.9 miliardë lekë, ose 4.4% më shumë se periudha Janar – Shtator 2024.
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën Janar – Shtator 2025, janë në shumën 63.1 miliardë lekë, 13.3 miliardë lekë ose 26.7% më shumë se periudha Janar – Shtator 2024, si dhe 6.2 miliardë lekë ose 10.9% më shumë se plani i periudhës Janar – Shtator 2025.
Të ardhurat nga taksat nacionale, për periudhën Janar – Shtator 2025 u realizuan në shumën 34.8 miliardë lekë, 391 milionë lekë ose 1.1% më shumë se Janar – Shtatori i vitit 2024.
Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH për periudhën Janar – Shtator 2025 u realizuan në shumën 132.9 miliardë lekë, 14.5 miliardë lekë ose 12.3% më shumë se periudha e vitit 2024, si dhe me realizim prej 104.4% të planit të periudhës.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 9 mujore të vitit 2025, arritën në rreth 515.5 miliardë lekë me një realizim në masën 95.7% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 ky zë ka rezultuar 12.2% më i lartë ose rreth 55.9 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 9 mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 62.5% e planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 62.4% e planit vjetor sipas Aktit Normativ Nr. 6 datë 11.06.2025 (AN nr.6).
Shpenzimet korente për periudhën 9 mujore të vitit 2025 rezultuan në rreth 457.6 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 11.3% më i lartë ose rreth 46.3 miliardë lekë më shumë. Krahasuar me planin ato janë realizuar në masën 97.1%.
Shpenzimet kapitale për periudhën 9 mujore të vitit 2025 rezultuan në rreth 56.8 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 17.6 përqind më i lartë ose rreth 8.5 miliardë lekë më shumë. Krahasuar me planin ato janë realizuar në masën 85.1%.
Niveli i suficitit në periudhën 9 mujore të vitit 2025 rezultoi në rreth 47.1 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar 32.1% më i ulët ose rreth 22.2 miliardë lekë më pak.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular