Ina Zhupa, kryetare e Komisionit për Kulturë, Turizëm dhe Diasporë, ka reaguar ashpër duke denoncuar si skandal institucional asfaltimin e një segmenti të rrugës antike Via Egnatia, një pasuri e trashëgimisë kulturore me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gjatë një seance dëgjimore në Kuvend, drejtoresha e IKTK-së, Joli Mitrojorgji, pranoi publikisht se projekti është parë dhe miratuar nga institucioni që ajo drejton, gjë që Zhupa e cilëson si tronditëse dhe të papranueshme.
Ajo akuzoi IKTK-në për mungesë vizioni, papërgjegjshmëri dhe arrogancë institucionale, duke paralajmëruar se ky është një alarm i madh për mënyrën se si po trajtohet trashëgimia kulturore në Shqipëri.
Reagimi i Ina Zhupës:
Skandal!
Institucione të papërgjegjshme dhe të paafta. Drejtoresha e IKTK-së pranon se Asfaltimi i Via Egnatia-s është bërë me miratimin e tyre!
Sot, në Komisionin e Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, gjatë një seance dëgjimore me përfaqësues të IKTK-së, bëra pyetje të drejtpërdrejta mbi ndërhyrjen skandaloze në rrugën historike të Via Egnatia-s:
A ka aplikuar bashkia për këtë projekt?
A e keni parë dhe miratuar ju këtë ndërhyrje?
Përgjigjja e drejtoreshës ishte po: e kemi parë, e kemi miratuar dhe sipas saj, nuk ka asnjë problem.
Ky pranim është tronditës. Tregon qartë papërgjegjshmëri të thellë institucionale ndaj trashëgimisë sonë kulturore. Rruga e Via Egnatia-s nuk është një rrugë e zakonshme , është pjesë e një historie me vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë që ne kemi kërkuar mbrojtje institucionale, restaurim sipas standardeve ndërkombëtare dhe heqjen e çdo ndërhyrjeje të paligjshme që deformon vlerat e rrugës së lashtë, duke e denoncuar si produkt të një injorance dhe arrogance lokale, ndërkohë kjo qenka “mbrojtja” që i ka dhënë IKTK trashëgimisë sonë për “t’i shtuar vlerën”!!!
Absurde kur një institucion që ka për detyrë mbrojtjen e trashëgimisë sonë, e shikon shkatërrimin si diçka “në rregull”. Kjo nuk është më çështje sporadike por është një alarm për mënyrën si mendohet dhe veprohet në dëm të historisë sonë.