Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Altin Dumani, u takua këtë të mërkurë, 15 tetor, me Drejtoreshën e Zgjerimit në Komisionin Europian, Valentina Superti. Në një postim në rrjetet sociale, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri bëri të ditur se palët patën një diskutim të frytshëm, me fokus te puna e rëndësishme e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar.
“Një diskutim shumë i frytshëm me Kryeprokurorin e Posaçëm, Altin Dumani, gjatë vizitës së Drejtoreshës së Zgjerimit në Komisionin Europian, Valentina Superti, me fokus te puna e rëndësishme e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar.”
Po ashtu, Delegacioni i BE-së bën të ditur se shumë shpejt Dumani do të udhëtojë në Bruksel për të paraqitur arritjet e Prokurorisë së Posaçme gjatë mandatit të tij.
“Së shpejti presim të mirëpresim z. Dumani në Bruksel, ku ai do të paraqesë arritjet e SPAK gjatë mandatit të tij, një kontribut i madh në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, si edhe në përparimin e vendit në rrugën e anëtarësimit në BE”.
“Kjo punë thelbësore duhet të vijojë me të njëjtën vendosmëri dhe forcë edhe nën Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, përzgjedhjen dhe emërimin e të cilit do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër”, thuhet më tej në postimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian.
