HomeKryesorePD: Të shkarkohet Begaj, shkeli 7 herë Kushtetutën! PS: S'do të shkarkohet,...

PD: Të shkarkohet Begaj, shkeli 7 herë Kushtetutën! PS: S’do të shkarkohet, s’ka kryer asnjë shkelje! Presidenca: Sulme për interesa politike. Fabrikime të pavërtetash!

Advertismentspot_img

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka dalë në një deklaratë për mediat këtë të mërkurë, 15 tetor, ku ka deklaruar se opozita ka kërkuar nga Kuvendi sot, fillimin e procedurave parlamentare për shkarkimin e presidentit të republikës Bajram Begaj.

”Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kam dorëzuar sot në protokollin e Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës Bajram Begaj për shkelje të rënda, e në mënyrë të vazhdueshme, të Kushtetutës së Shqipërisë. Kërkesa është e argumentuar gjërësisht në një material prej 80 faqesh, të mbështetura mbi 21 prova shkresore prej 224 faqesh, të cilat dëshmojnë se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e procedurës që kemi inciuar, por po ashtu jemi të bindur se Bajram Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë de iuro Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, funksione të cilat i ka humbur prej shumë kohësh tashmë.”, ka deklaruar Bardhi pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve.

Sipas tij, presidenti Begaj ka konsumuar 7 shkelje kushtetuese të rënda.

“Pas një analize shteruese të provave, fakteve, Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionit të brendshëm dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese nga ekspertët ligjorë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kemi arritur në konkluzionin se Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka konsumuar 7 shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Ligjit, të cilat përbëjnë shkaqe të mjaftueshme për shkarkimin e tij nga detyra”, shtoi Bardhi.

Shtatë shkeljet e Begajt sipas PD-së:

Shkelja e parë, dekretimi i zgjedhjeve në Tiranë, pavarësisht ankimimit të Erion Veliajt.

Shkelja e dytë, ka ndërhyrë në çështjen e mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Shkelja e tretë, ka dekretuar ligjin për ndryshimet në ligjin bazë për komisionet hetimore.

Shkelja e katërt, ka dekretuar një ministre virtuale, Diellën.

Shkelja e pestë, ka lejuar përfshirjen e trupës diplomatike në zgjedhjet e 11 Majit 2025.

Shkelja e gjashtë, ka ndërhyrë përmes kabinetit të tij në procesin e administrimit zgjedhor.

Shkelja e shtatë, dha tendera për interesa personale, për kompaninë ku ishte i punësuar i biri.

Më tej, gjatë deklaratës së tij, Bardhi u tregua akoma më i ashpër ndaj presidentit Begaj, duke u shprehur: “Nuk ma kishte marrë mendja që do të kishim një president që ditën punon si president dhe natën vizitonte për 100 apo 200 euro kompaninë private si konsulent.” Madje në fund e cilësoi presidentin “të paburrë!”.

Balla e bën të qartë: Presidenti nuk
do të shkarkohet, s’ka kryer asnjë shkelje!

“Presidenti nuk do të shkarkohet, s’ka kryer asnjë shkelje!”, kështu deklaroi me bindje sot, 15 tetor, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Me ironi, fill pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ai tha se “opozita nuk ka lënë institucion ndaj të cilit nuk ka bërë kërkesë për shkarkim”.

“Shkeljen e vërteton Kushtetuesja, jo ky personi ”, theksoi ai, referuar kryetarit të grupit të PD-së, Gazment Bardhi.https://www.youtube.com/embed/p-Tz_B_lq0I?si=a0dP4F5uDpTbWoLh

Po pse nuk ngrihet një komision hetimor lidhur me gjithë këto akuza në drejtim të Kreut të Shtetit shqiptar, Bajram Begaj?

“S’më ka ardhur kërkesë për komision. Po si është procedura? Po për këtë pjesë nuk ma ha qeni shkopin”, u përgjigj Balla.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me kerkesen depozituar në Kuvend këtë të mërkurë, 15 tetor, nga Partia Demokratike për nisjen e procedurave për shkarkimin e tij nga detyra.

Begaj: Fabrikime të pavërtetash! I përgjigjem me seriozitet Parlamentit

Në një deklaratë zyrtare nga Presidenca, Begaj ka theksuar se nuk komenton nisma politike, duke respektuar neutralitetin e funksionit të tij kushtetues. Ai ka theksuar gjithashtu se mandatin presidencial e ushtron pa u ndikuar nga sulmet politike apo fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik.

“Publiku është njohur sot me një nismë të Partisë Demokratike për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës nuk komenton nismat politike të asnjërës palë, sepse një gjë e tillë nuk përputhet me neutralitetin e funksionit të lartë kushtetuese. Ai ka zgjedhur të ushtrojë mandatin presidencial, i pa ndikuar në asnjë rrethanë nga sulmet për interesa politike, apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik.“, thuhet në reagimin e publikuar nga Presidenca.

Begaj ka deklaruar gjithashtu se do t’i përgjigjet Parlamentit me seriozitet dhe ndershmëri, duke kërkuar që hetimi mbi pretendimet e PD-së të bëhet me profesionalizëm dhe transparencë.

Presidenti i Republikës respekton të gjitha institucionet e tjera kushtetuese, edhe kur ato marrin pozicione të kundërta me pozicionet që mban Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së tij kushtetuese. Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra është instrument kushtetues i Parlamentit. Parlamenti është i lirë dhe sovran ta ushtrojë sa herë që e gjykon të përligjur. Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta. Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit por si detyrim ndaj të vërtetës dhe  interesit të publikut.”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Ky reagim vjen pasi më herët ditën e sotme, Partia Demokratike depozitoi në Kuvend kërkesën për nisjen e procedurave parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Kërkesa u bë publike nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili akuzoi Presidentin për shtatë shkelje të rënda kushtetuese.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular