Ka hyrë fuqi zyrtarisht vendimi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka miratuar dhënien e mandatit të deputetit Besnik Xhemal Brahimi, si kandidat i listës shumemërore të Partisë Socialdemokrate (PSD) për Qarkun Shkodër. Kjo lëvizje vjen si pasojë e krijimit të një vakance në Kuvend, pas dorëheqjes së ish-deputetit, Tom Doshi, i zgjedhur në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Procedura për dhënien e mandatit vijues është ndjekur në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen…”, i njohur ndryshe si ligji i Dekriminalizimit.
Sipas dokumentacionit të shqyrtuar nga KQZ, mandati i ndërprerë i Tom Doshit i kalon kandidatit vijues në listën e PSD-së për Shkodrën, i cili rezulton të jetë Besnik Brahimi, i renditur me numër rendor 01 në listën me parapëlqim.
Në kuadër të ligjit të Dekriminalizimit, KQZ ka kryer verifikimet e nevojshme për Brahimin. Pasi ka shqyrtuar formularin e vetëdeklarimit dhe informacionet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, është konstatuar se të dhënat e kandidatit nuk përbëjnë kusht për moszgjedhjen e tij në funksionin e deputetit.
Vendimi i jep Brahimit të drejtën për të filluar funksionin e tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke përfaqësuar Qarkun Shkodër nën siglën e Partisë Socialdemokrate.