Futen në grevë urie pa afat 10 anëtarë të Këshillit Drejtues Sindikal të kompanisë “Bankers Petroleum”.
Ata shprehen të vendosur për t’i shkuar deri në fund kauzës së tyre, ndërsa gjatë ditëve në vijim pritet t’i bashkohen edhe punonjës të tjerë. Dy kërkesat e tyre kryesore janë: rritja e pagës dhe përmirësimi i kushteve të punës.
“Prej 13 vitesh, viti i 14-të, punoj tek Bankers. Kemi hyrë që në fillim me shpresen se në kompani nafte do të trajtoheshim ashtu siç e meriton tregu i naftës. Paga do të justifikojë arsimin e lartë, përkushtimin në punë, vështirësinë në punë”, u shpreh Drtian Rrapushi.
“Qëllimi kryesor është rritja e pagave, të cilat janë shumë të ulëta”, tha Sotiraq Dhimo.
“Këto protesta që po ndodhin sot, nuk është se është hera e parë që po ndodhin, por kanë filluar që në vitin 2023”, u shpreh Malvin Goxhaj.
150 punonjësit e Bankers, së bashku me punonjësit e administratës qëndrore, kërkojnë njëzëri rritje page të paktën 1 mijë euro në muaj. Ata kanë paralajmëruar se nga ora 07:00 e mëngjesit të së enjtes do të ndërpritet puna.
Kjo është protesta e katërt e organizuar nga Sindikata e Bankers gjatë vitit 2025. Kërkesave të tyre nuk u është ofruar asnjë zgjidhje, ndaj ata morën vendimin ekstrem për të hyrë në grevë urie.