HomeKryesoreGati 1 në 5 shqiptarë në rrezik varfërie – jetojnë me më...

Gati 1 në 5 shqiptarë në rrezik varfërie – jetojnë me më pak se 324 mijë lekë në vit

Advertismentspot_img

Treguesit e varfërisë rezultojnë të ketë shfaqur përmirësim në vitin 2024. Në vitin 2024, janë vlerësuar rreth 4,7% më pak individë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, krahasuar me vitin 2023.

INSTAT raportoi se në vitin 2024, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, është 19,2 %, duke pësuar një rënie prej 0,6 pikë përqindje, krahasuar me të dhënat e rivlerësuara për vitin 2023. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2024 është vlerësuar me 324.336 lekë, në krahasim me 262.325 Lekë që ishte në vitin 2023.

INSTAT ka publikuar rezultatet e vitit 2024 të anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material dhe social në njësitë ekonomike familjare në Shqipëri. Treguesit kryesorë për monitorimin e varfërisë relative, shpërndarjen e të ardhurave dhe të treguesve të tjerë të nivelit të jetesës bazohen në objektivin e agjendës së Evropa 2030.

Shkalla e thelluar e privimit material dhe social sipas agjendës Evropa 2030, paraqet përqindjen e popullsisë që nuk përballojnë të paktën 7 nga 13 kategori të privimit material dhe social. Për vitin 2024, ky tregues është vlerësuar 32,8 %, kundrejt 35,9 % vlerësuar në vitin 2023.

Sipas agjendës EU 2030 individët e grupmoshës 18-64 vjeç, të cilët jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim, në vitin 2024, sipas vlerësimeve përbëjnë 8,4 %, kundrejt 9,7 % në vitin 2023, me një rënie prej 1,3 pikë përqindje.

Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE) i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar nga ana materiale dhe sociale, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim:

• Ky tregues, në vitin 2024, sipas agjendës Evropa 2030, është vlerësuar 40,5 %, kundrejt 43,2 % vlerësuar në vitin 2023.

INSTAT sqaron se përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshirë në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër. Ndikimi i përfitimeve sociale është i dukshëm nëse do të vlerësonim rrezikun për të qenë i varfër para dhe pas transfertave:

• Në vitin 2024, 36,7% e popullsisë do të vlerësohej në rrezik për të qenë të varfër, nëse tek të ardhurat e disponueshme do të përjashtoheshin të gjitha përfitimet sociale (duke përfshirë edhe pensionet e pleqerisë/familjare);

• Nëse në nivelin e të ardhurave të disponueshme do të përfshiheshin pensionet e pleqërisë/familjare por jo përfitime të tjera sociale, rreziku për të qënë i varfër do të vlerësohej 22,7 %.

Rreziku për të qenë i varfër sipas grupmoshave dhe gjinisë

Trendi në zbritje vihet re përgjatë grupmoshave, por një zbritje më të madhe kanë grupmoshat 0-17 vjeç ku, rreziku për të qenë i varfër në vitin 2024, në krahasim me vitin 2023, është zvogëluar me rreth 0,9 pikë përqindje në këtë grupmoshë. Grupmosha mbi 65 vjeç ka pësuar një rritje të lehtë në vitin 2024 me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2023.

Rreziku për të qenë i varfër sipas llojit të NjEF

Në vitin 2024, përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër, në NjEF pa fëmijë në varësi, vlerësohet të jetë më e ulët, krahasuar me NjEF me fëmijë në varësi.

Niveli i pabarazisë

Koeficenti Gini mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave, ku vlera 0 % shpreh barazinë e plotë dhe të gjithë individët kanë të ardhura të njëjta, ndërsa një koeficient Gini i barabartë me 100 % shpreh pabarazinë e plotë ku vetëm një person ka të gjitha të ardhurat:

• Në vitin 2024, Gini është vlerësuar 29,8 %, duke pësuar rënie me 0,8 pikë përqindje nga viti 2023.

Raporti kuintileve S80/S20, është një indikator i cili mat pabarazinë në të ardhura me anë të raportit të nivelit më të lartë të të ardhurave disponibël të ekuivalentuara (kuintili i fundit) me nivelin më të ulët të të ardhurave disponibël të ekuivalentuara (kuintili i parë):

• Në vitin 2024 raporti S80/S20 është vlerësuar 4,8, kundrejt raportit 5,0 që u vlerësua në vitin 2023.

Të ardhurat mesatare mujore të disponueshme

Në vitin 2024, të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë/të ekuivalentuara kanë pësuar një rritje me 23,2 %, krahasuar me vitin 2023, duke arritur në 51 mijë lekë. MONITOR

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular