nga Prof.Dr.Pal Nikolli
Në një raport të publikuar më 13 tetor 2025 nga platforma ndërkombëtare Numbeo, Tirana del si një qytet që po humbet garën me të tjerët. Në një kohë kur retorika publike flet për rritje, zhvillim dhe modernitet, treguesit e cilësisë së jetës flasin një gjuhë krejt tjetër: atë të qytetit të lodhur, të shtrenjtë dhe gjithnjë e më pak të jetueshëm.
Raporti i Numbeo-s nuk është një listë e ftohtë shifrash. Ai është një diagnozë e asaj që ndodh në përditshmërinë e një qyteti që jeton në kontrast me veten. Në krahasim me Prishtinën, kryeqyteti shqiptar del më i dobët në pothuajse çdo tregues: fuqia blerëse në Tiranë është vetëm 41.45, kundrejt 62.98 në Prishtinë; kujdesi shëndetësor, një nga hallkat bazë të mirëqenies, arrin 47.29, ndërsa në Prishtinë është 68.61; dhe ndotja, një tregues që flet për cilësinë e frymës që marrim, është 86.98 në Tiranë – një nivel alarmant krahasuar me 68.68 në Prishtinë.
Në pamje të parë, duket sikur Tirana është viktimë e suksesit të vet: më shumë ndërtime, më shumë konsum, më shumë lëvizje. Por pas fasadës së gjallë të një metropoli në ndërtim, fshihet një realitet që po bëhet i padurueshëm për banorët e tij. Me një kohë udhëtimi mesatare prej 38 minutash, qyteti ka humbur lidhjen me ritmin njerëzor të jetës; me një raport çmim-pronë ndaj të ardhurave 17.82, banesa është kthyer në luks; dhe me një fuqi blerëse të ulët, Tirana është bërë një vend ku puna nuk mjafton për jetesë të denjë.
Prishtina, në anën tjetër, duket më e vogël, më e thjeshtë, por më e balancuar. Ajo ofron një siguri më të lartë, një raport më të drejtë midis të ardhurave dhe çmimeve, një kujdes shëndetësor më efikas dhe, ç’është më e rëndësishmja, një kosto jetese që lejon frymëmarrje. Në mënyrë paradoksale, kryeqyteti i një shteti më të vogël e më të ri po ofron kushte jetese më të mira se metropoli që synon Evropën prej tri dekadash.
Por tabloja bëhet edhe më e zymtë kur Tirana vihet përballë standardeve europiane. Qytetet si Zyrihu, Kopenhaga, Vjena apo Amsterdami kanë indekse të përgjithshme të cilësisë së jetës që kalojnë vlerën 200, ndërsa Tirana ndalet në 94.40. Fuqia blerëse në këto qytete është mbi 100, shpesh shumëfish më e lartë se në Tiranë. Kujdesi shëndetësor matet me indekse 75–80, trafiku është më i lehtë, ndotja më e ulët, dhe raporti çmim-pronë ndaj të ardhurave është më i përballueshëm falë politikave sociale dhe planifikimit afatgjatë.
Në këtë panoramë, Tirana duket sikur jeton në një Evropë imagjinare – jo në atë reale. Një Evropë që përmendet në fjalime, por nuk përjetohet në ajrin që marrim, në çmime, në orët e trafikut apo në rendin e spitalit. Ky është paradoksi i një qyteti që aspiron standardet europiane, por pa investuar në themelin e tyre: mirëqenien.
Treguesit e Numbeo-s nuk flasin vetëm për ekonomi, por për filozofinë e jetesës. Ata tregojnë se Tirana është kthyer në një qytet që prodhon stres, jo qetësi; shpenzim, jo kursim; lëvizje, jo zhvillim. Në të gjitha përmasat e saj, Tirana po përballet me krizën e vet urbane: mungesën e ekuilibrit midis njeriut dhe hapësirës, midis çmimit dhe vlerës, midis qytetit dhe jetës.
Ndërsa qytetet europiane po bëhen gjithnjë e më të gjelbra, më të heshtura, më të orientuara drejt cilësisë së ajrit dhe transportit publik, Tirana ecën në drejtim të kundërt – me ndotje të lartë, mungesë hapësirash publike dhe dominim të betonit mbi frymëmarrjen. Kjo nuk është thjesht çështje infrastrukture, por një problem kulturor e institucional: mungesë vizioni, planifikimi dhe kujdesi për njeriun.
Në thelb, ky raport është një pasqyrë e ndershme që i vihet përballë një qyteti që shpesh e lavdëron veten pa u parë vërtet në sy. Nuk është turp që Tirana të ketë mangësi – turp është t’i mohojë ato. Nuk është turp të mos jemi si Zyrihu – por të mos duam të mësojmë prej tij.
Në fund të ditës, qyteti nuk matet me numrin e kullave, as me sipërfaqen e asfaltit. Ai matet me kohën që njerëzit kanë për të jetuar, me ajrin që thithin, me qetësinë që gjejnë në shtëpi dhe me shpresën që ndiejnë për të nesërmen. Në këtë matje, Tirana ende nuk është në garë me Evropën – ajo është në garë me vetveten. Dhe nëse nuk ndryshon drejtim, do ta humbasë edhe këtë garë.