HomeEkonomiKuvendi: ERRU, jo rritje tarifash të ujit, nëse ujesjellësit nuk realizojnë ...

Kuvendi: ERRU, jo rritje tarifash të ujit, nëse ujesjellësit nuk realizojnë investimet. AKEP të ul tarifa celulare, përmirësim të mbulimit, zgjerim të investimeve në rrjetin 5G

Advertismentspot_img

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një paketë rekomandimesh drejtuar Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për vitin 2025, me qëllim forcimin e mbikëqyrjes dhe përmirësimin e performancës së sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në vend.

Rezoluta i kërkon ndër të tjera ERRU-së të mos miratojë kërkesat nga shoqëritë rajonale të ujësjellësit për rritje tarifash nëse ato nuk plotësojnë planet e investimeve për konsumatorët.

Rritja e bashkëpunimit dhe stabilitetit sektorial

Kuvendi kërkon që ERRU të luajë një rol aktiv dhe koordinues me të gjithë aktorët e sektorit të ujit për zbatimin e objektivave strategjikë dhe për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për shoqëritë UK, duke siguruar shërbim të përmirësuar për qytetarët.

Siguria e infrastrukturës dhe sistemet inteligjente të monitorimit

ERRU duhet të nxisë dhe të promovojë, në bashkëpunim me AKUK-un, vendosjen e sistemeve inteligjente të monitorimit dhe mbrojtjes perimetrale, siç janë kamerat e sigurisë dhe sistemet me sensorë. Këto synojnë rritjen e sigurisë së infrastrukturës kritike dhe uljen e kostove operative, duke marrë si shembull projektet e suksesshme në shoqëritë rajonale të Fierit dhe Durrësit.

Funksionalizimi i sistemit të informacionit IPIS

Një tjetër prioritet është vënia në funksion e Sistemit të Integruar të Informacionit të Performancës (IPIS) brenda vitit 2025, në bashkëpunim me AKUK-un.

Ky sistem do të mundësojë unifikimin dhe saktësinë e të dhënave që raportohen nga shoqëritë UK, duke shërbyer si bazë për politika zhvillimore më të mirëplanifikuara.

Metodologjia e re e tarifave dhe analiza e performancës

Pas aplikimeve të para për tarifa të reja nga 6 shoqëri rajonale, Kuvendi i kërkon ERRU-së të asistojë shoqëritë e tjera gjatë procesit të miratimit të tarifave sipas metodologjisë së re.

Përpara vendosjes së objektivave të performancës, ERRU duhet të kryejë analiza tekniko-ekonomike të detajuara dhe të mos miratojë rritje tarifash në rastet kur objektivat nuk arrihen.

Trajtimi i ankesave të konsumatorëve

Krijimi i shoqërive rajonale ka sjellë sfida të reja në raport me konsumatorët. Kuvendi kërkon që ERRU të intensifikojë monitorimin e ankesave, veçanërisht atyre me natyrë teknike që ndikojnë në cilësinë e furnizimit me ujë.

Po ashtu, ERRU duhet të përmirësojë komunikimin publik, duke e bërë faqen zyrtare dhe rrjetet sociale më të aksesueshme për konsumatorët, me theks tek informacioni mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre dhe formularin online të ankesave.

Reduktimi i “ujit pa të ardhura” dhe auditimi energjetik

Një tjetër prioritet është redukimi i ujit pa të ardhura, përmes instalimit të matësave në burim dhe plotësimit të 100% të klientëve me matësa individualë. Kjo masë ndikon në rritjen e eficiencës, uljen e kostove dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit.

Në të njëjtën kohë, Kuvendi kërkon kryerjen e një auditimi të detajuar për efiçiencën e energjisë në të gjitha shoqëritë rajonale UK, me qëllim identifikimin e mënyrave për uljen e konsumit dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme.

Objektiva më agresivë për matjen dhe monitorimin

ERRU duhet të vendosë objektiva më kërkues për rritjen e nivelit të matjes në shoqëritë që aplikojnë për tarifa të reja dhe të monitorojë nga afër zbatimin e tyre, duke i lidhur drejtpërdrejt me përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe indikatorëve.

Kuvendi i kërkon AKEP ulje të tarifave celulare, përmirësim
të mbulimit dhe zgjerim të investimeve në rrjetin 5G

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën për veprimtarinë e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për vitin 2024, duke vlerësuar punën e këtij institucioni si autoritet i pavarur në mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike dhe postare, si dhe në mbrojtjen e ekuilibrit mes interesave të konsumatorëve, shtetit dhe sipërmarrësve. Në rezolutë theksohet rëndësia e miratimit të ligjit të ri nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i cili përafron më tej kuadrin ligjor shqiptar me direktivën evropiane (EU) 2018/1972, rrit pavarësinë institucionale dhe financiare të AKEP-it dhe hap rrugën për ndërtimin e një “shoqërie gigabit”. Kuvendi vlerëson punën e bërë nga autoriteti gjatë vitit 2024, si dhe përcakton një sërë rekomandimesh konkrete për vitin 2025, që synojnë rritjen e konkurrencës, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e sigurisë kibernetike në infrastrukturën kombëtare të komunikimeve elektronike.

Së pari, Kuvendi i kërkon AKEP-it që pas përfundimit të analizës së tregjeve me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet e telefonisë së lëvizshme, të ndjekë zbatimin e masave rregulluese të përcaktuara për sipërmarrësit e shpallur me fuqi të ndjeshme në treg, si dhe të trajtojë problematikat e tjera të dala nga kjo analizë. Ky hap është i rëndësishëm për të siguruar konkurrencë të ndershme dhe transparencë në çmimet e shërbimeve të telefonisë celulare.

Së dyti, Kuvendi rekomandon që AKEP të realizojë analizën e tregut të shërbimeve postare dhe të vlerësojë ofruesit e mundshëm të shërbimit universal në këtë treg. Kjo nismë synon përmirësimin e cilësisë dhe mbulimit të shërbimit postar në të gjithë territorin e vendit, duke garantuar shërbime bazë për të gjithë qytetarët, pavarësisht zonës ku banojnë.

Rekomandimi i tretë lidhet me rishikimin e rregullores “Për mënyrën e zbatimit të portabilitetit të numrit”, në përputhje me përcaktimet e reja të ligjit nr. 54/2024. Ky proces synon të thjeshtojë dhe përshpejtojë procedurat e portimit të numrave telefonikë, duke e bërë më të lehtë për përdoruesit ndërrimin e operatorit pa humbur numrin ekzistues dhe pa hasur barriera teknike apo burokratike.

Së katërti, AKEP-it i kërkohet që gjatë inspektimeve dhe auditeve të ndryshme të mbajë në vëmendje zbatimin e detyrimeve të sipërmarrësve që lidhen me sigurinë dhe integritetin e rrjeteve, mbrojtjen e të dhënave dhe ruajtjen e konfidencialitetit. Kjo masë vjen në një kohë kur rreziqet kibernetike janë shtuar ndjeshëm dhe kërkojnë një qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve dhe operatorëve.

Një tjetër rekomandim i rëndësishëm i Kuvendit është organizimi i një këshillimi publik lidhur me implementimin e ndryshimeve të ligjit nr. 54/2024, duke përfshirë operatorët e tregut, qytetarët dhe grupet e interesit. Kjo do të sigurojë transparencë dhe pjesëmarrje më të gjerë në procesin e zbatimit të ligjit të ri.

AKEP-it i kërkohet gjithashtu të vijojë punën për hartimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për komunikimet elektronike”, në mënyrë që zbatimi i tij të jetë i plotë dhe në përputhje me standardet evropiane. Në të njëjtën linjë, autoriteti duhet të marrë masa për implementimin në kohë të ndryshimeve rregullatore që lidhen me sigurinë dhe integritetin e rrjeteve, bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.

Një aspekt tjetër i përfshirë në rezolutë ka të bëjë me monitorimin e shërbimeve postare, ku Kuvendi kërkon nga AKEP të ndjekë ecurinë e përmirësimit të shërbimit të Postës Shqiptare, pas rritjes së pritshme të kapaciteteve logjistike të saj, me qëllim garantimin e shpërndarjes së dërgesave postare në adresën e saktë të marrësit.

Një rekomandim teknik, por me ndikim të drejtpërdrejtë në çmime, është ai që kërkon implementimin e metodologjive të vendeve të Bashkimit Evropian për përcaktimin e tarifave të terminimit të thirrjeve. Kjo metodologji synon orientimin e tarifave drejt kostove reale të shërbimit, duke shmangur çmime të larta për konsumatorët dhe duke krijuar kushte të barabarta për operatorët.

Kuvendi thekson gjithashtu nevojën që AKEP të rrisë përpjekjet për promovimin e investimeve në rrjetet e shpejtësisë së lartë dhe në rrjetet 5G, duke pasur në vëmendje mbrojtjen e përdoruesve dhe sigurimin e shërbimit universal të komunikimeve elektronike, në përputhje me ligjin e ri dhe përvojat e vendeve të Bashkimit Evropian.

Së fundmi, AKEP duhet të vijojë monitorimin e treguesve të cilësisë së shërbimit (QoS) në telefoninë e lëvizshme në të gjitha zonat e vendit, përfshirë akset rrugore dhe zonat turistike, dhe të kërkojë nga operatorët përmirësimin e mbulimit në zonat ku sinjali nuk përmbush parametrat e përcaktuar. Ky proces synon të garantojë që cilësia e shërbimeve të jetë e njëjtë si në qendrat urbane, ashtu edhe në zonat rurale dhe turistike. 

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular