HomeKultureLuan Topçiu deshifron tërësisht kodin lasgushian/Nga Ilir MBORJA  

Luan Topçiu deshifron tërësisht kodin lasgushian/Nga Ilir MBORJA  

Advertismentspot_img

Nga Ilir MBORJA 
Libri “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci (tekstualizëm dhe stil)”, Onufri, Tiranë 2024, i studiuesit dhe kritikut letrar dr. Luan Topçiu, shënon një moment të rëndësishëm në fushën e kritikës letrare shqiptare. Pas një sërë studimesh dhe shkrimesh të botuara në shtypin shqiptar e të huaj mbi veprën e Lasgush Poradecit, Topçiu i rikthehet poetit të madh me synimin ambicioz për të zbërthyer dy përmasat themelore të krijimtarisë së tij: tekstin dhe stilin. Ky libër është një përpjekje e thelluar për të deshifruar “kodin lasgushian” dhe për ta vendosur atë në një kontekst të gjerë europian. Sipas autorit, poezia e Poradecit, me përmbajtjen e saj filozofike, thellësinë e mesazhit lirik, rezonancën e brendshme muzikore dhe pastërtinë e vargut, qëndron krahas emrave të mëdhenj të letërsisë së shekullit XX si Baudelaire, Rilke apo Verlaine… 

Me ardhjen e Lasgushit, lirika shqipe hyri në rrjedhat e letërsisë universale. Topçiu ndalet me vëmendje në tiparet e ligjërimit poetik të Poradecit, duke e parë atë si një dukuri europiane në tërësinë e saj, ndërkohë që, përmes një qasjeje krahasimtare, ndërton ura mes traditës sonë poetike dhe modernitetit letrar perëndimor. Në kapitullin e parë, “Poezia, vlera, interpretimi”, autori thekson nevojën për rivlerësimin e vazhdueshëm të kësaj vepre, e cila, sipas tij, mbetet e hapur për interpretime të shumta, si për lexuesin e zakonshëm, ashtu edhe për studiuesin e specializuar. Duke u mbështetur në parimet hermeneutike të Umberto Eco-s mbi karakterin e hapur dhe polisemantik të tekstit, Topçiu na kujton se çdo vepër letrare e madhe kërkon një lexim të ri në kohë të ndryshme, duke mbajtur gjallë dialogun mes saj dhe brezave të lexuesve. Libri studimor është jo vetëm një analizë kritike e hollësishme e poezisë lasgushiane, por edhe një ftesë për ta parë Poradecin jo si një monument të palëvizshëm, por si një zë të gjallë e universal të letërsisë shqipe. Duke iu përgjigjur pyetjes “Çfarë e bën veprën lasgushiane të vështirë?”, studiuesi Luan Topçiu, në mënyrë implicite, zbardh edhe arsyet që e shtyjnë të ndërmarrë një studim kaq ambicioz, të vështirë e njëherazi provokues për letrat shqipe. Sipas tij, “teksti poetik lasgushian mbetet i afërt dhe i pashteruar në kumte, mesazhe, nxjerrja në pah e të cilave provokon dhe zgjon lexuesit e të gjitha kohërave”. Nga ana tjetër, për arsye politike e ideologjike, poezia e Lasgush Poradecit ka mbetur për një kohë të gjatë e pastudiuar, e injoruar dhe e keqinterpretuar, e veshur me mister dhe rrezik. Megjithatë, ky proces shpërfilljeje e përçmimi, nuk e ka zbehur interesin e përgjithshëm për këtë krijimtari, madje mund të përfillet si një dëshmi e vlerës së saj poetike, modernitetit, thellësisë dhe kompleksitetit. Për analizën e mirëfilltë të tekstit poetik, Topçiu operon me mjete moderne e të përshtatura, duke reflektuar arritjet më të fundit të kritikës letrare. Për të ndriçuar anë të panjohura të veprës së Poradecit dhe për të deshifruar ambiguitetin e saj, ai përdor mjete specifike që ia sugjeron vetë natyra e kësaj poezie. Nisur nga ideja bazë se vepra poetike lasgushiane përbën një të tërë integrale, ku uniteti siguron koherencën e universit artistik, Topçiu e paraqet këtë univers si një sistem strukturor, i formuar nga një rrjet lidhjesh ku “organizimi dhe hierarkizimi përbën deri në fund një sistem”. Kapitulli “Karakteri sistemor e strukturor i veprës” zbërthen unitetin e këtij sistemi, duke identifikuar lidhjet korrelative midis cikleve, poezive e poemave, si dhe mënyrën e funksionimit të tij. Vlerësimi i veprës si një ansambël ku pjesët lidhen organikisht me tërësinë dhe anasjelltas, përbën, sipas autorit, çelësin e interpretimit në planin pragmatik. Në nënkapitujt “Simbolika e shenjave të sistemit” dhe “Sistemi dhe përkatësia tekstuale”, Topçiu shpjegon marrëdhëniet midis shenjës dhe interpretuesit, si dhe domethënien e shenjave poetike. Ai ndan universin lasgushian në pesë zona: e qiellit, e tokës, e vdekjes, e zemrës së poetit dhe e përjetësisë. Kjo e fundit është një hapësirë me kufij të papërcaktuar, e pranishme në të gjitha zonat e tjera, sepse përjetësia prek poetin, jetën e tokës, jetën qiellore dhe vdekjen. Vendosja e këtyre zonave mbi dy boshte themelore “zemër” dhe “valle”, siguron lëvizjen e tyre harmonike, ndërsa paraqitja grafike e ndërlidhjes së tyre ndihmon në deshifrimin e simbolikës. Këto shenja, sipas autorit, projektohen në sistemin poetik në një gjendje të dyfishtë, në lëvizje dhe në qetësi, duke ruajtur harmoninë universale dhe duke shpalosur dimensionin metafizik të tyre. Ky model interpretimi shfaq thelbin filozofiko-estetik të Poradecit, i cili ushqehet nga njohuri erudite dhe përvoja studimore në universitete prestigjioze të Evropës. Në kapitullin “Vështrim hermeneutik mbi poezinë filozofike”, autori sjell risi, duke trajtuar marrëdhënien midis “poezisë filozofike dhe filozofisë si poezi” dhe duke deshifruar nyje të tilla si “Vallja”, “Zemra e përjetësisë”, “Lënda dhe jeta”, një vizion dihotomik që lidhet me konceptet e “Frymës” dhe “Qëllimit”, apo “Ndjenja dhe njeriu – homo duplex”. Kapitulli pasues, “Paradigmat e pulsioneve të jetës”, është një analizë e hollësishme e erotikës lasgushiane, ku shpalosen motive si malli i miturisë, kronotopi i dashurisë, heshtja dhe muzika, si dhe karakteri onirik i poezisë erotike. Studimi vijon me kapituj të tjerë që ndriçojnë anë të pashkelura të krijimtarisë: “Vizioni poetik i vdekjes”, “Poeti dhe piktura”, “Paradigma e mallit” dhe “Vlera stilistike e fjalës”. Në to analizohet në mënyrë shkencore mekanizmi i gjuhës poetike lasgushiane, magjia e kombinimeve të saj dhe fuqia sugjestive e imazheve. Vepra mbyllet me kapitullin “Lasgush Poradeci dhe ligjërimi modern i poezisë shqipe”, ku Topçiu e pozicionon poetin në rrjedhat më të rëndësishme të modernitetit letrar shqiptar. Me këtë studim Topçiu n aka hapur horizonte të reja mbi leximin dhe interpretimin e Poradecit. Preokupimi i studiuesit mbetet teksti poetik, si një e dhënë e qëndrueshme dhe e përhershme, si bazë e sigurt për reflektim. “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci (Tekstualizëm dhe stil)” është një ftesë për të lexuar me kënaqësi jo vetëm përmbajtjen, por edhe mënyrën se si kjo përmbajtje është ndërtuar, duke u ofruar lexuesve një përvojë të dyfishtë: kënaqësinë estetike dhe kënaqësinë e mendimit.  

Studimi i kësaj vepre më të fundit të Topçiut ngulit në mendjen e lexuesit idenë se poezia e Lasgushit nuk është vetëm një krijim gjuhësor, por një fenomen estetik multidimensional. Gjithashtu, ai sjell një studim të hollësishëm të vlerës stilistike të fjalës, ku analizohen polivalenca kuptimore, neologjizmat, përsëritjet, pasthirrmat, strukturat grafike dhe simbolizmi i natyrës dhe botës shtazore. Ky studim gjuhësor nuk qëndron thjesht në nivelin formësor, por lidhet me dimensionin filozofik dhe ekzistencial të poezisë, duke treguar se gjuha është në vetvete një mjet për të shprehur obsesionin, mallin dhe përjetimin e përjetësisë. Një tjetër meritë e librit është qasja krahasuese dhe ndërkulturore. Duke vendosur Poradecin në dialog me poetë evropianë të shekullit XX, Topçiu evidenton modernitetin e tij, pasionin për sintezat tematike dhe intensitetin lirik, duke e vendosur poezinë shqipe në një kontekst universalisht letrar. Në përfundim, mund të themi me plot gojën se “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci” është një vepër studimore e rrallë për shkallën e detajimit, qasjen ndërdisiplinore dhe metodën hermeneutike. Ai shfaq Lasgushin jo vetëm si poet të madh, por edhe si një krijues që ndërthur ndjeshmërinë estetike, filozofinë, muzikën, pikturën dhe gjuhën në një organizëm poetik të unifikuar. Ky libër përfaqëson një referencë të domosdoshme për studiuesit e letërsisë shqipe dhe për këdo që kërkon të kuptojë thellësinë dhe kompleksitetin e një poeti të vërtetë modern. Kështu, libri “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci” nuk është vetëm një akt kritik, por edhe një ftesë për të rishijuar dhe rishkruar në mendjen tonë kuptimin e botës sipas muzës lasgushiane, gjuhës universiale të artit të tij, ku fjala shndërrohet në muzikë, muzika në vizion e, vizioni, në një përjetim estetik të papërsëritshëm… 

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular