Bashkia e Vlorës synon të ndërhyjë në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha në rrugën Transballkanike për të shmangur përmbytjet, të cilat, sipas raportit teknik, janë bërë të shpeshta sa herë ka përkeqësim të motit.
Konkretisht, një procedurë prokurimi që ka në objekt “KUB Vlorë (Kanalizimet e Ujërave të Bardha) – Rindërtimi, ridimensionimi dhe rehabilitimi i kolektorëve kryesorë përgjatë rrugës Transballkanike, sipas loteve: nga rruga e Skelës deri te rruga Hasan Kushta (Albano dhe Romina) dhe rruga Odise Grillo”, parashikon këtë ndërhyrje. Fondi limit i saj është 230 milionë lekë, ose rreth 2.3 milionë euro.
“Bazuar në vlerësimet dhe rivlerësimet e gjendjes ekzistuese të KUB, si dhe gjendjet e përmbytjeve që po bëhen të zakonshme në zonën objekt të këtij projekti, arritëm në konkluzionet e mëposhtme: Sistemi i KUB i Vlorës duhet të studiohet si një i tërë dhe nuk mund të rehabilitohen vetëm pjesë të veçanta të tij për arsyet e mëposhtme; kapacitetet e linjave të sistemit të KUB janë llogaritur sipas normave dhe standardeve ekzistuese të viteve 1976-1977, pra para daljes së Standardeve zyrtare të vitit 1978; në qytetin e Vlorës kanë ndodhur ndryshime të mëdha, si në urbanizim ashtu edhe në përdorimin e tokës së basenit ujëmbledhës, dhe si rrjedhim kanë ndryshuar koeficientët e rrjedhjes sipërfaqësore,” nënvizon raporti.
Dokumenti thekson se gjendja aktuale e KUB është pothuajse plotësisht e amortizuar, me bllokime të pjesshme dhe të plota nga mbushjet me aluvione dhe mbeturina të qytetit. Ndërkohë, kapacitetet transportuese të prurjeve janë të reduktuara për shkak të bllokimit të disa seksioneve.
Po ashtu, sistemi i KUB në disa nyje rezulton të jetë i shkëputur, duke bërë që një pjesë e linjave, për mungesë të shkarkimit në tubacionet pasardhëse, gjatë kohës së shirave të dalë në sipërfaqe dhe të përmbytë rrugët dhe sheshet.
Bashkia vlerëson se nga i gjithë sistemi i KUB i Vlorës, për pjesën qendrore të qytetit që shkarkon në kanalin e fushës drejt Hidrovorit, duhet respektuar kuota e fundit e kanalit të fushës. Pra, i gjithë sistemi i ri i KUB për zonën qendrore të Vlorës duhet të shkarkojë në një pikë dhe në një kuotë fikse absolute, që është -2.93 m (kuota e fundit e kanalit të fushës).
“Në funksion të vlerësimeve të mësipërme, është ndërtuar një model hidraulik në ambientet e StormCad, duke bërë dimensionimin e rrjetit të KUB dhe projektimin e tij. Zëvendësimi i tubit DN 400 mm prej çeliku nga rruga e Cipajve te Rotondo e Aviacionit, me gjatësi L=2050 ml.
Detyra e projektimit të këtij objekti do të plotësohet me saktësimin e seksioneve të fillimit dhe fundit të ndërhyrjes, saktësimin e tipit të tubacionit në këto seksione dhe mënyrën e lidhjes së pjesës së re me atë ekzistuese,” nënvizon dokumenti.