HomeOP EDOpozita shqiptare, nga maska te mashtrimi. Si u shndërrua në një industri...

Opozita shqiptare, nga maska te mashtrimi. Si u shndërrua në një industri të iluzionit!

Advertismentspot_img

Nga Arian Galdini

(Si u shndërrua opozita shqiptare në një industri të iluzionit)

Kur mungon doktrina, lulëzon simulimi…

Kriza e opozitës shqiptare nuk është krizë votash, është kolaps vizioni.

Ajo që dikur quhej përfaqësim politik është shndërruar në performancë, ku në vend të bindjes kemi simulim, në vend të doktrinës, improvizim, në vend të strategjisë, spektakël.

Kështu u ngrit industria e iluzionit, forma që mbulon përmbajtjen, simulakri që zë vendin e së vërtetës.

Rënia në derexhenë e “kinse kandidatit të pavarur” është vetëm akti i parë i një rituali pseudo-autonomie.

Rreziku më i madh nuk është mashtruesi që gënjen për të fituar, rreziku i madh është kur aktori fillon të besojë pseudologjinë e vet.

Kriza e opozitës shqiptare nuk matet me diferencën e votave apo mandateve, por me zbrazëtinë e horizontit.

Kur mungon vizioni, politika nuk tërhiqet, ajo shndërrohet në skenë.

Konferenca shtypi që përsërisin shabllone, forma të reja koalicioni pa përmbajtje, profile “të pavarura” që lindin në zyra partie e shpallen në studio televizioni, të gjitha dëshmojnë kalimin nga përfaqësimi te performanca.

Dhe konsakrohet gjendja ku në vend të ideve e vlerave na prodhohet simulim.

Në vend të doktrinës, na shfaqet improvizim. Në vend të strategjisë, na plasin spektaklin.

Kështu këto muaj e javë të të fundit kemi parë e dëshmuar të gjithë sesi u ngrit një industri e iluzionit me zinxhir të plotë furnizimi, agjenci imazhi, surrogatë partiakë, panelistë të gatshëm, sondazhe si dekor, peticione si rekuizita.

Simulakri zë vendin e fjalës së përmbajtur; etiketa “i pavarur” funksionon si pseudo-autonomi, një kukull e re brenda kukullës së vjetër.

Fakti që formularët për “pavarësinë” shpërndahen nga të njëjtat korridore që kontrollojnë fushatën nuk është detaj teknik, por prova e mekanizmit, forma mbulon burimin, fasada fsheh kontrollin.

Rreziku nuk qëndron vetëm te mashtrimi i paramenduar.

Rreziku fillon kur aktrimi kthehet në besim, kur aktori e përthith pseudologjinë e vet dhe nuk dallon më kostumin nga lëkura.

Atëherë fjala humb peshën, ritmi i ditës zëvendëson drejtimin, dhe e gjithë opozita rrëshqet nga roli i autorit te roli i aktorit, që vetëm reciton, por nuk ndërton.

Kjo është arsyeja pse çdo “zgjidhje” që afishohet si risi, por ushqehet nga i njëjti produksion, nuk përbën garë idesh, por surrogaci, riprodhim i së njëjtës skemë me emra të tjerë.

Në këtë gjendje, qytetari nuk sheh më zgjedhje, por ritual.

Ai e kupton se pavarësia s’blihet me firma, por fitohet me guxim, se doktrina nuk zëvendësohet me slogane, por me busull morale. Dhe e kupton se kriza e sotme nuk është te vota që mungon, por te vizioni që s’guxon.

Nga revolucionarizmi triumfalist te dështimi moral

Revolucionarizmi triumfalist politik i shpallur si ultimatum nuk është program, është presion.

Në çastin kur revolucioni dhe fitorja e tij si donosdoshmëri shpallet si detyrë metafizike, jo si rrugë e arsyeshme me hapa të matshëm, opozita braktis rolin e autorit dhe vesh kostumin e aktrimit.

Retorika “do të fitojmë”, “do ta rrëzojmë”, “do ta shporrim”, “protestat do sjellin fitoren”, etj, etj, zëvendëson pyetjen themelore “pse duhet të fitojmë?”, dhe me të shuhet i vetmi mekanizëm vetërregullues i një organizmi politik, debati i brendshëm.

Kur fuqizohet slogani, kritika shpallet sabotim, kur rritet toni, ulen argumentet, kur rreshtimi bëhet provë besnikërie, doktrina degradohet në surrogaci.

Ky është momenti kur energjinë normative e zëvendëson logjika e mobilizimit urgjent. Sallat mbushen me duartrokitje, por boshatisen nga kundërpyetjet, postimet shumëfishohen, por heshtja e brendshme thellohet.

Mbi tavolinë kalojnë skenarë marketingu, jo tezë politike, statistika të informatizuara, jo vizion i tokëzuar në ide, doktrina, ligje e institucione.

Shfaqja i paraprin substancës, dhe simulakri i fitores e paraprin vetë fitoren.

Kjo është formula e dështimit moral, objektivi i shpallur zëvendëson arsyetimin, konformizmi i përshpejtuar zëvendëson karakterin.

Në këtë pikë vlen paralajmërimi i Ernst Troeltsch, i cili ka shkruat se epokat që rrokin vetëm teknikën, dhe jo thelbin moral, shterojnë shpejt, aty nis surrogacia, zëvendësimi i esencës me trajta, i doktrinës me dekor, i bindjes me spektakël.

E njëjta logjikë e çon opozitën të ngrejë figura “të pranueshme” në vend të përfaqësuesve që mbajnë peshën e së vërtetës publike.

Shfaqen etiketa pseudo-autonomie që kërkojnë të shmangin përplasjen me përgjegjësinë, ndërkaq brenda organizmit politik ngurtësohen dy mekanizma, frika nga kritikët dhe premtimi i shpejtë i shpërblimit për të bindurit.

Kështu rikrijohet rrethi vicioz i formës pa përmbajtje.

Për pasojë, vetë liria e brendshme kolektive, ajo që garanton autokorigjim përmes debatit, zëvendësohet nga një disiplinë e heshtur e paradës.

Aty ku dikur lexoheshin variante programi, tani lexohet uniformitet, aty ku kërkohej gjykim, tani kërkohet thjesht radhitje.

Dhe ndërsa gjuha e fitores së revolucionit e protestave të ardhshme, bëhet gjithnjë e më e sigurt, harta e së nesërmes mbetet pa topografi, pa prioritet ideor, doktrinor, ligjor, pa instrument burokratik, pa matje të drejtësisë dhe efektit social.

Triumfalizmi i rrejshëm e përshpejton humbjen jo sepse mungojnë votuesit, por sepse largohet kostoja morale e fitores.

Kur mungon doktrina, edhe fitorja, nëse vjen, vjen si fitore e jashtme mbi një boshësi të brendshme.

Atëherë rezultati nuk e tejkalon dot momentin, thjesht e stolis.

Dhe çdo stoli, pa esencë, është prova e parë e dështimit të nesërm.

Mungesa e kandidatit, lindja e simulakrit

Kur një trup politik heziton të marrë një vendim të dukshëm, instinkti i parë nuk është reflektimi, por kozmetika.

Aty ku duhej të dilte një emër me program, me barrë mbi shpatulla dhe me rrezik të pranuar, u shfaq etiketimi “i pavarur” si zëvendësim komod.

Jo se pavarësia është e keqe në vetvete, por sepse këtu ajo paraqitet si pseudo-autonomi, shfaqje e një neutraliteti të deklaruar, ndërsa koreografia e mbështetjes vjen prej të njëjtave kanale që, zakonisht, imponojnë disiplinë.

Formularët për firma qarkullojnë nga të njëjtat duar (formularët e mbledhjes së firmave për Kandidatët e Pavarur, i merr përsipër Flamur Noka dhe struktura e PD), logjistika, mjetet, sinjalet mediatike, të gjitha sillen si një fasadë që mban në këmbë simulimin.

Kjo është arsyeja pse kjo lëvizje nuk krijon besim. Sepse qytetari lexon marrëdhënien më shpejt se sloganin, e njeh gjuhën e patronazhit, avatarit e përkohshëm të konsensusit, thirrjet e dykuptimta që kërkojnë firmë për “të pavarurin” pa e emërtuar dot padronin e vërtetë.

Në këtë koreografi të kujdesshme, pavarësia nuk rrezikon asgjë, prandaj nuk fiton asgjë.

Ajo që i ofrohet publikut nuk është dot “përfaqësues me fytyrë”, por simulakër që ushqehet nga e njëjta enë, një kukull e re brenda kukullës së vjetër.

Konservatorizmi moral na mëson se vendimmarrja e hapur, me emër, përgjegjësi dhe kufij, është akt që ngre standard.

Anasjelltas, shmangia e emrit është shenjë e krizës së ndërgjegjes, të duash të marrësh mandat pa marrë barrë.

Kur ky model përhapet, ndodh zhvendosja e rrezikshme, nga politika si autori i rendit, te politika si aktor i skenarit të tjetrit.

Vlerat reduktohen në dekor, programi në zëvendësim, dhe shpresa në retorikë.

Skena e përditshme e kësaj logjike është e thjeshtë.

Me dosje e formularë në duar, militantët e PD shpërndahen në të 6 Bashkitë, ku mbështesin të njëjtët Kandidatë që për çudi i mbështet edhe Adriatik Lapaj, edhe Endri Shabani edhe Agron Sheha, e ta zemë se nëse ndodh që të dalin në rrugë, pra jashtë strukturave të mbyllura të PD dhe Flamur Nokës, nëse ndodh rastësia që një qytetari ti thonë “firmos për të pavarurin”.

Nëse, ai qytetari pyet: “Për kë saktësisht? Për cilin të Pavarur e kërkon firmën militanti i Flamur Nokës?”.

Dhe këtu maska bie.

Ky ritual i vogël, i panumërueshëm, dëshmon të madhen të vërtetë, surrogacinë e gjasmezgjedhjes me iluzionin e zgjedhjes.

Paradoksi i kohës është ky, në emër të pavarësisë projektohen kandidatë që përshtaten me mekanizmin, jo që e sfidojnë atë.

Maskat ndërrohen, skenari mbetet.

Një opozitë që do të ringrihet nuk ka rrugë tjetër veçse të braktisë pseudo-autonominë, të emërtojë kandidatin e vet, të deklarojë burimet, të mbajë derën hapur për llogaridhënie dhe të pranojë rrezikun e humbjes për hir të së vërtetës.

Sepse vetëm vendimi me fytyrë e shndërron politikën nga pasqyrë në busull.

Dhe vetëm busulla, jo pasqyra, e gjen rrugën në errësirë.

Surrogatot e sistemit, “të rinjtë” që ushqejnë të vjetrën

Në horizontin e zhgënjimit publik, “partitë e reja” u shfaqën si antitrupa.

Por, sapo u vendosën në qarkullim, u zbërthyen e u demaskuan për atë që janë në të vërtetë, pra në surrogato, trupëzime të përkohshme që imitojnë alternativën, por ushqejnë mekanizmin që thonë se e sfidojnë.

Skema është e njëjtë, hyrje në skenë e media me fjalor moral e kinse antisistem e antioligarki e kinse anti të vjetërve, e kinse antikorrupsion, etj, etj, ndjekur nga lëvizje pseudo-autonomie, ulërima e përbetime moraliste e akuzative, dhe, në fund, rreshtim orbital rreth qendrës së vjetër gravitacionale.

Adriatik Lapaj e nisi si “Shqipëria bëhet” dhe përfundoi në pajtueshmëri të plotë me skenarin (Lapaj tha të shpallen të Pavarurit në Opinion tek Fevziu, dhe Berisha mbështeti të gjithë tě Pavarurit që përzgjodhi të mbështeste i pari Lapaj… Pea vetë një i metë mendor nuk e kupton që loja ka mbaruar e është kryer para se të aktrohej në Opinion e më pas).

Endri Shabani, “zë qytetar”, u kthye në riciklues reciprok (Flamur Noka e riktheu në Tryezë e Lojë, pasi sherri me Lapajn e kishte margjinalizuar Shabanin. Kësisoj, Noka riktheu Shabanin si faktor, e Shabani u kthye në ornament të Flamur Nokës, në këmbim). Agron Shehaj, sipërmarrës i ftohtë, e këmbeu vlerën e Mundësisë që e krijoi me paratë e tij, me pragmatizëm të lehtë (Shehaj ishte ai që ia hapi lojën dhe pasoi topin PD, që PD të vinte maskën e Kandidatit Jopolitik e të Pavarur…).

Kjo nuk është lindje epoke, është “negative mimesis”, imitimi i së keqes në emër të shmangies së saj.

Pse ndodh? Sepse sistemi ka zhvilluar një ekonomi të vogël të shpresës, u jep oksigjen mediatik dhe logjistikë minimale atyre që premtojnë shumë, me kusht që të mos prekin themelet.

“Të rinjtë” pompohen si “fig leaf moral – gjethe fiku morale” (për të mos u dukur si vazhdimësi), ndërsa regjia mban në dorë dritat, skenarin, ritmin.

Në këtë model, partia e re nuk artikulon doktrinë që kundërshton, por gjuhë që pajton, nuk ndërton kornizë institucionale, por përforcon dekorin, nuk rrezikon humbje parimore, por siguron mbijetesë personale.

Për pasojë, zhgënjimi publik derdhet jo drejt një kantieri vlerash, por drejt një korridori të njohur, ku dora e vjetër hedh e pret e valëvitet me buzëqeshje të re.

Konservatorizmi moral e lexon këtë si krizë karakteri, pra kur mungon busulla e parimeve, gjenerohen zëvendësues, parti që të qetësojnë, jo të korrigjojnë.

Tocqueville do të paralajmëronte se kjo është tirani e butë, qytetari ndihet i lirë sepse lejohet të zgjedhë midis versioneve të së njëjtës dorë, ndërsa Troeltsch do të vinte gishtin te mungesa e thelbit normativ, që e bën çdo novacion fasadë.

Nga këtu rrjedh paradoksi ynë, sa më shumë “risi” shfaqen, aq më pak ndryshon bota reale.

Si dallohet një surrogat nga një alternativë?

Alternativa bën tri gjëra të pakëndshme, (1) shpall doktrinë (jo slogan), (2) prish komoditetin e skemës (nuk bën asnjë kompromis e nuk e lë të paprekur), (3) pranon rrezikun e humbjes për hir të së vërtetës (nuk kërkon fitore pa barrë, kosto e përgjegjësi).

Surrogati, përkundrazi, shmang përkufizimet, e shet unitetin si zëvendësim të parimeve dhe, në fund, ulet në vendin e caktuar nga graviteti i vjetër.

“Partitë e reja” që po i shohim çdo ditë në sinfoni e sinkronizim të plotë duke mbështetur të njëjtat kandidatura të pavarura që mbështet edhe Sali Berisha me Flamur Nokën, nuk janë ura drejt të nesërmes.

Ato janë thjesht nyje që e mbajnë të djeshme të lidhur e fshehur apo rimeluar pas fytyrave të reja.

Dhe aty ku simulakri bën rolin, e ardhmja nuk lind, riciklohet e vjetra, vazhdon e qetë dhe e patrazuar e vjetra.

Simulimi si strukturë e re pushteti

Kur Hannah Arendt vëren se e pavërteta, sapo futet në protokoll, kthehet në normë, ajo përshkruan pikërisht këtë skenë, jo një gënjeshtër e rastit, por një procedurë e mbyllur.

Te ne, “i pavaruri” është standard simulakër për të mbuluar rreshtimin real, qartësisht një gjethe fiku morale që mban në jetë mekanizmin e vjetër nën emër të ri.

Vetëm imagjinoni pak sesi po ndodh realisht proçesi: Mbrëmjeve, zyra e një selie të PD. Kanë ardhur udhëheqësit, të deleguarit e dërguar me porosi nga Sali Berisha dhe Flamur Noka. Brenda, tavolina të ngjeshura, dosje plastike me etiketa “Formularë – Qarkullim”.

Drejtuesi i strukturës lexon udhëzimin e ardhur nga lart: “Asnjë logo. Asnjë shenjë partie. Termi kyç kandidat i pavarur. Çdo anëtar partie firmos si qytetar i pavarur.”

Formularët shpërndahen te degët, grupseksionet e seksionet.

E për çdo ditë, formularët kthehen të plotësuar brenda strukturave, verifikohen nga të njëjtët njerëz, futen në dosjet “Protokoll – Kandidati i Pavarur”.

Rrethi mbyllet aty ku nisi.

Asnjë takim publik.

Asnjë debat i hapur.

Pavarësia ngjitet në fletë me gjasme pavarësie në seksioje partie, jo në ndërgjegje.

Kjo nuk është rastësi, është arkitekturë simulimi, çdo gjë ndodh brenda, por shitet si akt “nga jashtë”.

Kjo mënyrë punon sepse ndërton një ekonomi simbolesh, firmat si fasadë, thirrjet si dekor, “nismat qytetare” si surrogaci të vullnetit.

Sikurse e thamë më lart, Tocqueville do ta quante tirani të butë, qytetari ndihet i lirë sepse i lejohet të përfytyrojë lirinë, ndërsa zgjedhjet realisht kontraktohen në dhoma të mbyllura. Nga jashtë, duket si shfaqje pavarësie, nga brenda, standard partie.

Ky dualitet është zemra e pseudo-autonomisë.

Pasojat janë të matshme, kur firmat mblidhen në brendësi të një partie, me urdhër nga Sali Berisha dhe Flamur Noka, për të certifikuar “pavarësinë”, kemi legjitimuar një kukull brenda kukullës (matryoshka), formë që i shpëton gjykimit publik dhe barrës së transparencës.

Më shumë se një manovër taktike, kjo është morfologji pushteti, simulimi nuk mbështet vetëm kandidaturën, ai formëson perceptimin se politika është çështje formularësh, jo e të vërtetave që mbajnë peshë.

Antidoti i vërtetë nuk është as moralizim abstrakt, as nihilizëm, por është praktika e së vërtetës (Havel) dhe tokëzimi institucional i saj. Tre rregulla të thjeshta e prishin ciklin:

1. Proçes i hapur e publik i mbledhjes së firmave dhe i mbështetjes (burime, strukturë, logjistikë).

2. Zgjedhje të hapura brenda partive për kandidaturat (primare reale, jo kurse formalitetesh).

3. Subsidiaritet, pra çdo hap i rëndësishëm të kalojë nga forume lokale me procesverbal të publikuar.

Sepse në fund, çdo firmë ka prapa një emër, dhe çdo emër ka një ndërgjegje.

Kur ndërgjegjja e qytetarit reduktohet në fletë të mbyllura në një zyrë pa dritare, humbja nuk është elektorale, është ekzistenciale, humbja e aftësisë për të dalluar fytyrën nga fasada, lirinë nga simulakri, politikën nga dekoracioni.

Vetëm të vërtetat që durojnë dritën e publikut e thyejnë këtë qark të mbyllur.

Dhe vetëm aty, pavarësia pushon së qenuri etiketë, dhe bëhet akt.

Histori që nuk fal, vetëm autenticiteti mbetet.

Autenticiteti është prova e vetme që koha nuk e korrupton dot.

Ai s’është një dekor i fjalës, por një mënyrë të qenuri, ose je në anën e të vërtetës edhe kur rruga zbrazet, ose bëhesh instrument i rastit, dhe historia të lë në prag.

Mit’hat Frashëri e kuptoi këtë shumë herët. Ai zgjodhi të jetë shërbestar i idesë, jo i rreshtimit.

Kur turma kërkonte flamuj për t’i mbuluar boshllëqet, Mit’hati kërkonte mendje për t’i mbushur.

Nuk kërkoi rehati fizike, por rregull të brendshëm.

Ai e dinte se pa kulturë qytetare, politika kthehet në tregti fjalësh, pa ndërgjegje, liria është vetëm etiketë.

Alcide De Gasperi e ngriti të njëjtin bosht në lartësinë e shtetit, në vend të kompromisit që josh shpejt, ai vendosi virtytin që ngre ngadalë.

Nuk kërkoi fitoren e ditës, por rindërtimin e një Evrope me rrënjë morale, familjen si qeliza rendi, ligjin mbi vullnetet, punën si dinjitet, kujtesën si garanci kundër përsëritjes së gabimeve.

Në të, konservatorizmi nuk ishte këmishë e vjetër, ishte arkitekturë e së mirës së përbashkët.

Václav Havel e bëri këtë parim jetesë, e vërteta mund të mos fitojë sot, por pa të nuk fitohen kurrë epokat.

Ai nuk bëri strategji për të qetësuar sistemin, por praktikoi të vërtetën derisa sistemi ra nga pesha e vet.

Aty ku propaganda ndërtonte fasada, Havel ndërtonte besë.

Aty ku gjuha përdorej si mjegull, ai e ktheu në dritare.

Këta të tre, në kohë e kontekste të ndryshme, kanë të përbashkët jo stilin, por substancën, nuk hynë në marrëveshje me gënjeshtrën, as kur gënjeshtra u premtonte kthim të shpejtë.

Dhe për këtë arsye mbetën.

Sepse autenticiteti kushton, të mohon privilegje, të humb vota të shpejta, të vendos në vetmi e braktisje totale e madje shpesh nën mohim, shpërfillje, e harresë.

Por zgjat sespse ai hyn në kujtesë si moral i jetuar, jo si slogan i radhës.

Popujt që e zëvendësojnë autenticitetin me pseudologji fitojnë arena, por humbasin njerëz, humbasin qytetarin që beson, prindin që edukon, të riun që guxon.

Mësimi është i kthjellët, politika e vërtetë s’ngrihet mbi brohoritje, por mbi vendi­me rrënjësore, s’mbijeton me neutralitete të rehatshme, por me qëndrime që mbajnë peshë.

Dhe kur epokat mbyllen, ato nuk numërojnë mandatet, por fytyrat që nuk u shitën.

Vetëm ato mbeten udhëzues, jo sepse ishin të pagabueshme, por sepse ishin të vërteta. Në këtë kuptim, autenticiteti nuk është luks i karakterit, është kriter i historisë.

Opozita si aktor që ka harruar të jetë autor

Në politikën klasike, udhëheqësia është autorësi. Udhëheqësi harton busulla, ndërton urëza, vë themele.

Kur ky rol braktiset, politika shndërrohet në aktrim, recitim i teksteve të tjetrit, i thjeshtuar në gjeste, slogane dhe pamje.

Kjo ka ndodhur me opozitën shqiptare prej vitit 2013 e këndej. Ata aty në PD por edhe aleatët e tyre gjithashtu, nga hartues programi janë kthyer në interpretues skeme, nga krijuese botësh në menaxhere të ndikimit ditor.

Ortega y Gasset na ka paralajmëruar se kur mungon boshti moral, politika humb peshë dhe zbret në skenë si spektakël.

Sot, në vend të kantierit të ndërgjegjes kemi skenografinë e radhës, në vend të zërit të drejtësisë, kemi heshtjen dhe pacipësinë e rreshtimit.

Në Selitë ku dikur hartoheshin platforma, tani shkruhen “mesazhe kyçe”.

Aty ku njëherë mateshin kosto e përfitime, sot maten klikimet.

Në vend të draft-ligjeve me arsyetim, shohim njoftime me ton ceremonial.

Edhe “bashkimi” vetë pompohet e shpallet si zgjidhje magjike, pa u bërë pyetja bazë, halli i kujt bashkohet dhe për çfarë doktrine?

Pa përgjigje, bashkimi bëhet formë, jo substancë, marifet, jo realitet, mjet i marrëveshjes, jo i drejtësisë.

Aktorët më të suksesshëm të kësaj trupe janë ata që bëjnë përshtypje, jo ata që mbajnë peshë.

Kjo shpjegon pse dalin kaq natyrshëm “zgjidhjet e gatshme”, kandidatë pseudo-të pavarur, që japin siguri estetike dhe shmangin rrezikun e llogaridhënies, salla e struktura partiake që aprovojnë me unanimitet, por nuk sfidojnë asgjë, primare të shpallura si relike premtimesh politike e nenesh statutore, por jo të zhvilluara. Shfaqja fiton, leximi i tekstit humbet.

Autorësia politike, me traditë konservatore, nuk është poezi e vullnetit, është arkitekturë e kufijve.

Ajo kërkon të peshohen interesat me parime, të shpjegohet pse një rregull apo proçes, ligj apo parim, respekton dinjitetin dhe si një reformë mbrohet nga korrupsioni, të pranohet humbja kur e vërteta nuk blen shumicë, që nesër humbja të bëhet kapital moral.

Autori e pranon rrezikun e të qenurit i pakëndshëm, sepse vetëm e vërteta e pakëndshme ndryshon rendin, aktori shmang rrezikun, sepse i duhet duartrokitja.

Një opozitë që të kthehet autor duhet të bëjë tri gjëra, të shpallë doktrinën (jo thjesht etiketa e slogane), të shkruajë instrumentet (jo thjesht synimet) dhe të pranojë provën publike (jo thjesht ceremoninë e gjasmerinë).

Përndryshe, do të mbetet trupë që luan drama të bukura në skenë ndërsa realiteti kryesor shkruhet diku tjetër.

Politika nuk mbahet mend për rolet e luajtura, por për botët e ndërtuara.

Dhe vetëm autorët ndërtojnë botë.

Aktorët… zhduken me dritat.

Molekula e doktrinës ose tokëzimi konservator moral

Kritika pa tokëzim vlerash është retorikë, vetëm doktrina e kthyer në rregull, në procedurë dhe në instrument, bëhet politikë që mban peshë.

Prandaj “molekula” nuk është listë e bukur parimesh, por arkitekturë morale që i jep politikës drejtim, qytetarit dinjitet dhe shtetit kufij.

1) Dinjiteti i personit si burim i ligjshmërisë. Çdo akt publik duhet ta kalojë provën e dinjitetit njerëzor, si prek privatësinë, lirinë e ndërgjegjes, pronën, fjalën?

Një politikë që nuk e mat veten te personi, bëhet teknikë pa shpirt.

Dinjiteti është jo slogan, por standard matjeje.

2) Familja si qeliza morale e rendit. Politika familjare nuk është “bonus social”; është vetë boshti i rendit civil.

Regjimet që e shpërfillin familjen përfundojnë duke administruar pasojat, arsim të dobët, kriminalitet, vetmi.

Sa herë politika favorizon mjedisin ku prindi është prind dhe fëmija rritet i sigurt, i ka shërbyer shtetit më shumë sesa me njëmijë reklama.

3) Sundimi i ligjit mbi vullnetet. Drejtësia është ekuilibër i së vërtetës me detyrën, s’ka reformë pa parashikueshmëri, s’ka barazi pa procedurë, s’ka liri pa kufij të qartë të pushtetit.

Gjykimi duhet të jetë i kuptueshëm, jo spektakolar, ligji, mbi preferencat.

4) Subsidiariteti. Vendimi sa më afër qytetarit, zyra e bashkisë para zyrës së selisë. Sa më lart ngjitet vendimmarrja, aq më i ftohtë bëhet pushteti.

Subsidiariteti ul arrogancën e qendrës dhe rrit përgjegjësinë lokale.

5) Merita & puna si kriter shpërblimi.

Një shtet që shpërblen lojalitetin në vend të aftësisë, zhduk shpresën dhe nxit cinizmin. Meritokracia morale nuk favorizon të fortin, por të zellshmin, konkurs real, jo ndërmjetës, kualifikim e standard, jo ndërhyrje e telefon.

6) Kujtesa kombëtare si busull. Pa rrënjë, reformat kthehen në plasaritje.

Historia nuk është nostalgji, por imunitet i arsyes, ajo i tregon shoqërisë gabimet e shtrenjta dhe rrugët që s’duhen riprovuar.

Kjo molekulë është e thjeshtë në formulim dhe e kërkuar në zbatim.

Tocqueville paralajmëroi se demokracitë plaken kur formën e vënë mbi përmbajtjen, lirinë mbi komoditetin e numrave.

Pikërisht këtu qëndron dallimi, bashkimi pa doktrinë është surrogaci, qetësia pa drejtësi është fasadë, gënjeshtra për fitore pa parime është simulim.

Doktrina, tokëzuar në rregulla e institucione, kthen politikën nga gjest i ditës në kujdestari të së përhershmes.

Dhe vetëm aty shpresa pushon së qenuri retorikë, dhe bëhet rend.

Nga simulimi në ndërgjegje

Çdo epokë që lodhet nga vetja mbyllet me një dritë që nuk vjen nga skena, por nga brendia e njeriut.

Pas paradave të fjalëve dhe lojërave të imazhit, qytetari fillon të kërkojë jo figurë, por fytyrë, jo lëvizje, por drejtim, jo llogari për të tjerët, por përgjegjësi për veten.

Ky është çasti kur politika kthehet nga spektakël në shërbesë.

Kandidati i së ardhmes nuk lind nga marrëveshja e hedhur në errësirë, por nga drita e të vërtetës që pranon barrën e çdo fjale dhe koston e çdo premtimi.

Ky kandidat nuk vjen me produksion e patronazh të fshehtë, as me retorikë të përtypur.

Ai del me program, me kohë matjeje, me procedura dhe me një kod nderi: të mos fitojë me atë që do ta turpëronte po të humbiste.

Kjo është gjuhë e vjetër si vetë ndërgjegjja, por e re si çdo mëngjes që ringjall besimin.

Ajo nuk premton mrekulli, premton punë, nuk thërret për shpëtim, thërret për pjekuri, nuk kërkon turmë, kërkon qytetarë.

Rikujtojmë këtu paralajmërimet, ku Tocqueville pa se demokracitë bien jo nga mungesa e ligjeve, por nga vesi i komoditetit, kur forma zëvendëson përmbajtjen dhe numri e mbyt lirinë e fjalës.

Troeltsch na ka treguar se rendet që mbijetojnë nuk fshihen pas teknikës, por ushqehen nga një thelbi moral që ngulitet në institucione.

Arendt na ka mësuar se e pavërteta, kur formalizohet, kthehet në normë, prandaj e vërteta nuk duhet folur si slogan, por praktikuar si rregull.

Havel e bëri këtë praktikë, duke jetuar sipas asaj që shkroi se “të jetosh në të vërtetën”, bëhet, jo si heroizëm i rastit, por si ushtrim i përditshëm i dinjitetit.

Kalimi nga simulimi në ndërgjegje nuk shpallet me kushtrime as me strategji komunikimi publik e marketingu politik, por ndërtohet me një ekonomi të re besimi ku politika i jep qytetarit jo fjalë, por llogari.

Aty ku regjistri publik i mbështetjes dhe interesave bëhet dritare e hapur, qytetari mëson se kujt po ia dorëzon fuqinë dhe pse, aty ku kriteret, standartet, proçeset e parimet e hapura dhe procesverbalet e debateve mbahen si dëshmi e prova të së vërtetës, ideja nuk bredh si retorikë, por ngulitet si program, e si mënyrë natyrale të të kuptuarit dhe sjellurit.

Besimi rritet kur subsidiariteti kthen vendimin sa më afër jetës, shteti e kombi para selisë, komuniteti para xhepave e përfitimeve personale, dhe kur sundimi i ligjit gjykon ligjërimin jo me pëlqimin e çastit, por me efektin mbi njeriun, duke e matur qëllimin me dinjitetin.

Rendin e mban merita me punë, që ngre shtresën e mesme si themel të republikës e jo si dekor të saj, e mbron kujtesa kombëtare, që ruan Arsyen nga modat që konsumojnë vetveten dhe i jep çdo reforme rrënjë për të mos u kthyer në plasaritje.

Këto nuk janë teza të bukura në mur, janë parime drite, të hapura, të shqyrtueshme, të matshme, të jetueshme.

Sepse vetëm aty ku llogaria jepet, fjala peshohet, aty ku procesi është i ndershëm, përfundimi pranohet, dhe aty ku historia mbahet mend, e ardhmja udhëhiqet.

Kështu del politika nga maskat, kur besimi nuk fiksohet në forma, por mishërohet në zakone të së vërtetës.

Nuk kërkohet një popull i përsosur, por një rend që e nderon njeriun edhe kur gabon, sepse e korigjon me rregull dhe e ngre me drejtësi.

Aty ku qytetari gjen fytyrën e përfaqësuesit dhe trupin e ligjit, nuk ka nevojë për maska, e vërteta mban skenën e vetë.

Prandaj, le të thuhet qartë, opozita pa moral është fjalë pa jehonë, hije që shfaqet në skenë, por nuk ndriçon kurrë në ndërgjegje. Politika pa nder fiton arena, por humb njerëz. Më mirë pak e vërtetë e humbur, se shumë mashtrime të fituara. Maska fiton skenën, ndërgjegjja fiton historinë.

Sepse kandidati i vërtetë nuk është i pavarur, është i lirë.

Dhe liria nuk është kostum neutraliteti, është akt i ndërgjegjes. Në këtë akt fillon fitorja që nuk vjetrohet.

Arian Galdini

Autor i librit Neoshqiptarizmi

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular