Këshilli për Legjislacion, nën drejtimin e kryesueses Aulona Bylykbashi, zhvilloi sot mbledhjen e radhës për të shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Në qendër të diskutimit ishin qëndrimet e dy relatorëve, Ivi Kaso (PD) dhe Damian Gjiknuri (PS), të cilët paraqitën argumentet e tyre pro dhe kundër shkarkimit.
Akuzat e opozitës për shkelje
Relatori Ivi Kaso parashtroi akuzat e opozitës, duke theksuar se kërkesa bazohet në “shkelje të rënda të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit,” veçanërisht veprimet e Peleshit gjatë seancave të datave 16 dhe 18 shtator.
Sipas Kasos, shkeljet ishin konkrete dhe të rënda:
Shkelje në mënyrën e thirrjes së mbledhjes plenare, si dhe futja dhe shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar i ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, të propozuara nga PS-ja.
Kaso argumentoi se këto veprime i pamundësuan opozitës parlamentare dhe qytetarëve shqiptarë një debat thelbësor mbi ndryshimet dhe mbi prezantimin e prioriteteve të Qeverisë. Ai e akuzoi Kryetarin e Kuvendit se “zgjodhi të vinte interesin partiak të mazhorancës, përkundrejt interesit të qytetarëve,” duke dhunuar të drejtat e opozitës.
Kundërshtimi i maxhorancës
Nga ana e tij, relatori Damian Gjiknuri shprehu qëndrimin e mazhorancës, duke kërkuar rrëzimin e kërkesës.
Gjiknuri theksoi se kërkesa e opozitës nuk ka thelb dhe se nuk përmban elementë kushtetues që të justifikojnë një akt kaq të rëndë si shkarkimi i Kreut të Kuvendit.
“Aspekti shtatëditor nuk është fare shkelje e karakterit kushtetuese që të motivojë këtë kërkesë për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit. Pretendimi nuk qëndron dhe duhet rrëzuar,” u shpreh Gjiknuri.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi t’u japë kohën e nevojshme palëve për përgatitjen e raporteve përfundimtare, me shqyrtimin që do të vijojë në mbledhjen e radhës.