Dr. Zef Preçi, ekspert i ekonomisë dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike ka analizuar në detaje Draft-Ligjin e mbetjeve që pritet të miratohet nesër në Kuvend. Disa nga problematikat e shtjelluara janë ; mungesa e transparencës dhe konsultimit publik.Nenet e projektligjit i hapin shteg për korrupsion të zyrtarëve, paqartësia me agjencitë që do krijohen, ku flitet për monopolizim të trajtimit të mbetjeve në Shqipëri.
Shmangia e gjykatës në rastet problematikave midis palëve duke u dhënë përparësi gjobave administrative, që në kushtet e mungesës së kritereve të njohura publikisht përbëjnë një burim për korrupsion dhe janë jo-efektive në parandalimin e ndëshkimin e shkeljeve në menaxhimin e mbetjeve.
Ja analiza e plotë se pse miratimi i këtij projektligji duhet të bëhet mbas përgatitjeve të një pakete të plotë ligjore për menaxhimin e integruar të mbetjeve, e cila përveç ligjit bazë do të përfshije edhe rishikimin /amendimin/plotësimin e akteve ligjore të lidhur të gjitha nivelet e qeverisjes.
Analiza është hartuar bazuar në Metodologjinë e propozuar për Vlerësimin Preventiv për Korrupsionin dhe me ekspertizën e Fondacionit Westminster për Demokraci (WFD) në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një Parlamenti më reagues”
Shkurtime
AKEM Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve
AKM Agjencia Kombëtare e Mjedisit
Informacion i përgjithshëm
Siç dihet, menaxhimi integral i mbetjeve në BE është një qasje gjithëpërfshirëse e bazuar në direktivat e BE-së, duke theksuar parimet e hierarkisë së mbetjeve si parandalimi, ripërdorimi, riciklimi dhe rikuperimi, me objektiva specifikë për riciklimin dhe reduktimin e vend-depozitimeve (landfill-eve). BE kërkon që Shtetet Anëtare të zbatojnë mbledhjen e ndarë dhe të zhvillojnë plane kombëtare për menaxhimin e mbetjeve, megjithëse zbatimi ndryshon për shkak të parimit të subsidiaritetit.Aspektet kryesore të menaxhimit të mbeturinave në BE janë:
- Hierarkia e mbetjeve: (Qasja e BE-së i jep përparësi parandalimit të mbetjeve, e ndjekur nga ripërdorimi, riciklimi, rikuperimi tjetër (siç është energjia nga mbetjet) dhe së fundmi, asgjësimi (depozitimi në land-fill)).
- Direktivat e BE-së: (Direktivat e fundit, siç është Direktiva 2018/851 , kanë forcuar objektivat, duke përfshirë shkallën e riciklimit prej 55% deri në vitin 2025, 60% deri në vitin 2030 dhe 65% deri në vitin 2035 për mbetjet e ngurta komunale, si dhe një ulje të mbetjeve të deponuara në më pak se 10% deri në vitin 2035).
- Zbatimi kombëtar: (Shtetet anëtare të BE-së janë përgjegjëse për zbatimin e direktivave përmes planeve të tyre kombëtare të menaxhimit të mbetjeve. Këto plane duhet të përfshijnë mbledhjen e ndarë në të gjitha komunat për të arritur objektivat e përcaktuara).
- Implementim i ndryshëm: (Parimi i subsidiaritetit do të thotë që shtetet anëtare kanë njëfarë autonomie, duke çuar në një miratim heterogjen të strategjive dhe shkallë të ndryshme të zbatimit në të gjithë BE-në).
- Llogaritja e standardizuar: (BE-ja ka zhvilluar një metodë unike dhe të standardizuar për llogaritjen e objektivave për të siguruar matje të qëndrueshme në të gjitha shtetet anëtare).
- Mbështetja e ekonomisë qarkulluese.
- Instrumente plotësuese: (Skemat e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit dhe instrumente të tjera ekonomike përdoren gjithashtu për të inkurajuar praktika më të mira të menaxhimit të mbetjeve).
Ashtu si ligji aktual në fuqi mbi menaxhimin e mbetjeve ky projekt-ligj është në vazhdën e përafrimit pjesërisht të direktivës 2008/98/KE të Parlamentit dhe Këshillit Evropian, datë 19 nëntor2008 “Mbi mbetjet”, e cila shfuqizonte disa direktiva të mëparshme. Nisur nga ky qëllim kryesor, projekt-ligji synon të sjellë disa elemente të përvojës evropiane për rregullimin ligjor në fushën e menaxhimit të mbetjeve, duke marrë parasysh sfidat e sotme të sigurisë mjedisore dhe nevojën për të kaluar në një ekonomi qarkulluese. Vëmendja kryesore i kushtohet transpozimit së Direktivës 2008/98/KE mbi mbetjet dhe ndikimit të saj në formimin e politikës mjedisore në një vend kandidat për antarësim në BE siç është Shqipëria. Ndër elementet përcaktues të kësaj politike konsiderohet zbatimi i parimit të hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve, si dhe përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit. Duke tentuar promovimin e konceptin e “zero mbetje”, i cili zbatohet në kuadër të politikës së ekonomisë qarkulluese, politika mjedisore që ofron projekt-ligji që po analizojmë mbështetet në modelin e ripërdorimit, riciklimit dhe minimizimit të gjenerimit të mbetjeve.
Gjate shqyrtimit të projekt-ligjit, relacionit përkatës, dokumenti të vlerësimit RIA, informacionit mbi konsultimin publik, etj., u identifikuan një numër problemesh që kërkojnë rregullim të mëtejshëm rregullator, në veçanti në aspektin e zhvillimit të akteve nënligjore të nevojshme për zbatimin e plotë të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, krijimin e një sistemi të unifikuar informacioni për menaxhimin e mbeturinave dhe sigurimin e kontrollit dhe monitorimit efektiv.
Një analizë e këtij projekt-ligji tregon se Shqiperia, ashtu si vendet antare të BE, synon të rritë shkallën e riciklimit të mbetjeve duke forcuar kërkesat për mbledhjen dhe riciklimin dhe duke zbatuar kontrollin, duke prezantuar edhe stimuj financiarë që inkurajojnë sjelljen e përgjegjshme mjedisore të prodhuesve dhe konsumatorëve. Ndonëse mungojnë sqarimet e hollësishme, këto mund të imagjinohen si përfitime tatimore për përmbushjen e kërkesave për klasifikimin ose prodhimin e produkteve miqësore me mjedisin, ashtu edhe gjoba për shkeljen e tyre. Në këtë kontekst, është prezantuar edhe parimi i përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, i cili sipas një projekt-ligji të posaçëm të përgatitur nga qeveria e mëparshme, përfshin pjesëmarrjen e tij në riciklimin e produkteve pas përdorimit të tyre.
Projekt-ligji përcakton përparësinë e ripërdorimit dhe riciklimit të produkteve. Sipas kësaj qasjeje mundësohet zvogëlimi i sasisë së mbeturinave ndihmon për ruajtjen e burimeve. Për këtë qëllim është prezantuar koncepti i parandalimit të gjenerimit të mbetjeve duke krijuar produkte të ripërdorshme dhe duke zbatuar teknologji për përpunimin e mbeturinave në lëndë të para dytësore. Kështu duke zbatuar parimet e ekonomisë qarkulluese mendohet se do të gjejë zgjid je edhe problemi i rritjes së mbeturinave në dobi të një gjendjeje të përmirësuar të mjedisit natyror dhe standardit të jetesës së qytetarëve shqiptarë. Një koncept i tillë mendojmë se është efektiv dhe i nevojshëm për krijimin e një modeli të konsumit dhe prodhimit të përgjegjshëm ndaj mjedisit dhe që kontribuon në ruajtjen e burimeve natyrore duke siguruar një qëndrim më të ndërgjegjshëm të shoqërisë ndaj mjedisit.
Në Europën Perëndimore, vendin e fundit në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve e zënë metoda të tilla si djegia dhe depozitimi në landfill-e, të cilat përdoren vetëm pasi të jenë shteruar mundësitë e parandalimit, ripërdorimit dhe riciklimit, pasi ato krijojnë rreziqe mjedisore. Direktiva 1999/31/KE mbi depozitimin e mbetjeve përcakton kërkesa të rrepta për funksionimin e vend-depozitimeve ose landfill-eve, duke përfshirë kategorizimin e tyre (për mbetje të rrezikshme, inerte dhe mbetje të tjera), parametrat teknikë të rregullimit (hidro-izolimi, kullimi, filtrimi, mbledhja e bio-gazit), si dhe procedurën për lëshimin e lejeve dhe pranimin e mbetjeve. Depozitimi në landfill patrajtim paraprak është i ndaluar. Ajo gjithashtu parashikon përgjegjësinë financiare të operatorëve në rast mosrespektimi. Objektivi kryesor i direktivës është të minimizojë efektet e dëmshme të landfill-eve dhe të zvogëlojë gradualisht depozitimin në landfill të mbetjeve të përshtatshme për riciklim ose rikuperim. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka histori suksese në asnjë nga landfill-et e saj dhe pritej që projekt-ligji që po shqyrtojmë të ofronte një rrugëdalje nga kjo situatë.
Çështja e menaxhimit të paketimit dhe mbetjeve të paketimit, e cila në vendet e BE rregullohet nga Direktiva 94/62/KE mbi paketimin dhe mbetjet e paketimit, në projekt-ligjin që po analizojmë parashikon disa masa për të zvogëluar ndikimin e paketimit në mjedis, dhe synon krijimin e një sistemi efektiv për mbledhjen, riciklimin dhe rikuperimin e energjisë së mbetjeve të paketimit, etj.
Projekt-ligji gjithashtu parashikon krijimin e një infrastrukture të specializuar për mbledhjen e mbetjeve, raportet dhe përgjegjësitë ndërmjet institucioneve qendore dhe lokale, përfshirjen e tyre në rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve, etj. Gjithashtu, ky dokument ofron edhe rregullimin përkatës për menaxhimin e mbetjeve të pajisjeve elektrike dhe elektronike, për menaxhimin e baterive dhe akumulatorëve, makinave në fund të jetës, etj.
Përfundimet në lidhje me hapësirat për korrupsion të mbështetura në metodologjinë e WFD theksojnë nevojën për të forcuar mekanizmat ligjorë dhe organizativë për zbatimin e parimeve të ekonomisë qarkulluese në Shqipëri, respektimin e hierarkise së mbetjeve dhe përmirësimin e sistemit të klasifikimit dhe mbledhjes së tyre dhe sigurimin e mbikqyrjes efektive nga institucionet shtetërore në qendër dhe ato lokale mbi pajtueshmërinë me legjislacionin mjedisor nga sipërmarrjet private.
Vlerësimi i hapësirave për rrezik korrupsioni
Në përputhje me Udhëzimin e Ministrit të Drejtësisë Nr. 6, datë 29.04.2022 “Për përcaktimin e metodologjisë së unifikuar për hartimin e akteve normative, vlerësimi i hapësirave ligjore për korrupsion duhet të kryhet në të gjitha fazat e procesit legjislativ. Bazuar në këtë rregullim si dhe në Metodologjinë e Vlerësimit Parandalues për Korrupsion nga Kuvendi i Shqipërisë, të ofruar nga Fondacioni Westminster për Demokraci (WFD) të gjitha projekt-ligjet e paraqitura në Kuvend për miratim, duhet t’i nënshtrohen vlerësimit për hapësira të mundshme për korrupsion.
Mbështetur në dokumentet e mësipërme në vijim të analizojë ekzistencën e rreziqeve të korruptimit të procesit legjislativ nga këndvështrimi:
- Respektimit të standardeve të transparencës dhe konsultimit publik,
Pavarësisht paraqitjes se projekt-ligjit për konsultim publikë regjistrin elektronik të njoftimit dhe konsultimit publik (RENJKP) nga data 20.8.2024 deri më datën 17.9.2024, vlerësohet se ky proces ka qene i pamjaftueshëm. Për më tepër që janë realizuar vetëm 4 konsulta me donatorët, bashkimin e prodhuesve dhe me përfaqësuesit e qeverisjes vendore, si dhe jane ofruar vetëm 21 komente.
- Qëllimit të deklaruar dhe real të projektligjit. Identifikimit të qëllimeve të fshehura e të padeklaruara,
Në një vlerësim të përgjithshëm, shihet se përmbajtja e këtij projekt-ligji ka një shkalle të lartë të përputhjes së qëllimit të deklaruar dhe qëllimit real të përgatitjes së tij. Ndërkaq, nga analiza e neneve të projekt-ligjit rezultojnë një numër problemesh që ngrenë pikëpyetje mbi zbatueshmërinë e tij dhe lenë hapur shtigjet për korrupsion të zyrtarëve dhe bizneseve të përfshira. Në mënyrë të grupuar këto probleme janë si vijon:
- Pushtet discrecional shumë i madh i ministrit përgjegjës
- Paqartësi në lidhje me nevojën dhe modelin e agjencive të reja që duhet të krijohen.
- Diapazoni i gjerë i vetë ligjit,
- Implikimet që lidhen me reformat e shpallura/në proces të qeverisë.
- Pushtet discrecional shumë i madh i ministrit përgjegjës
Në projekt-ligjin që po analizojmë janë parashikuar një numër shumë i madh rastesh kur për zbatimin e këtij ligji do te nevojitet që te nxirren aktet perkatese te legjislacionit sekondar nga Këshilli i Ministrave, mungesa e të cilave pengon zbatimin e ligjit, por edhe le hapësira për paligjshmëri. Në tërësinë e akteve që pritet të mirarohen nga Këshilli i Ministrave disa janë akte që vijnë nga përvoja e vendeve të BE, disa të tjera nga përvoja e vendit ndërsa një grup i tretë janë aktet që duhen hartuar rishtazi.
- Paqartësi në lidhje me nevojën dhe modelin e agjencive të reja që duhet të krijohen.
Projekt-ligji parashikon ngritjen e AKEM – Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, me përgjegjësi kryesore për infrastrukturën fundore të trajtimit të mbetjeve, që kjo agjenci do të ketë në administrim. Kësaj agjencie i njihet e drejta të krijojë shoqëri dhe degë, një tipar ky i mirëfilltë i sipërmarrjeve të biznesit Neni 22, pika 2). Ndërsa kur përcaktohen kompetencat e AKEM, projekt-ligji i ngarkon detyra që, si rregull, janë funksione administrative të vetë ministrisë përgjegjëse për mjedisin, si vijon:
- Bashkërendon me institucionet e administratës publike, në nivel qëndror -vendor, me partnerët ndërkombëtarë, investitorët dhe palët e interesuara për zbatimin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, për planifikimin territorial të infrastrukturës së mbetjeve dhe funksionimin e tyre në përputhje me parashikimet e këtij ligji;
- Zhvillon, koordinon dhe administron infrastrukturën e rrjetit kombëtar të impianteve të trajtimit (rikuperimit dhe asgjësimit) të mbetjeve gjatë fazave të ndërtimit, operimit dhe mbylljes të tyre;
- Realizon projektet për ngritjen e infrastrukturës fundore të menaxhimit të mbetjeve;
- Monitoron zbatimin e planeve e të programeve për menaxhimin e integruar të mbetjeve në nivel qendror dhe vendor;
- Organizon punën për edukimin mjedisor, promovimin dhe nxitjen e zbatimit të hierarkisë së mbetjeve, për realizimin e grumbullimit të diferencuar të mbetjeve dhe rikuperimin e tyre në shkallë të gjerë në territorin e Republikës së Shqipërisë;
- Monitoron zbatimin e detyrimeve për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve nga bashkitë dhe të objektivave të tjerë të menaxhimit të integruar të mbetjeve;
- Koordinon me bashkitë iniciativat dhe veprimet, përfshirë ato ekonomike, për të favorizuar riciklimin dhe rikuperimin e mbetjeve, si dhe për të promovuar tregun e produkteve të rikuperuara dhe përdorimin e tyre nga administrata publike, subjektet tregtare dhe konsumatorët.
(Shih Neni 22, pika 5)
Gjithashtu Bashkitë ngarkohen të raportojnë te AKEM të dhënat “…në lidhje me menaxhimin e mbetjeve në territorin e bashkisë, përfshirë të dhënat në lidhje me vendndodhjen e infrastrukturave të menaxhimit të mbetjeve, të dhëna për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, të dhëna për sasinë e rrymave të caktuara të mbetjeve të grumbulluara dhe të trajtuara në territorin e bashkisë, si dhe çdo të dhënë tjetër të parashikuar në këtë ligj dhe të domosdoshme për realizimin e funksioneve të menaxhimit të mbetjeve nga bashkia. (Neni 24, pika ë dhe “f) Raportimin pranë AKEM-it të statistikave vjetore të mbetjeve të krijuara në territorin e tyre”. (po aty, pika f).
Projekt-ligji parashikon që për bashkëpunimin ndërvendor, “1.Bashkitë, që përfshihen në një zonë të menaxhimit të mbetjeve, dhe AKEM-i nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi ndërvendor…” (Neni 26, pika 1) dhe sipas kësaj marrëveshjeje, AKEM bashkëfinancon “…kostot e investimit të zonës së menaxhimit të mbetjeve në përputhje me parashikimet e marrëveshjeve ndërvendore, sipas nenit 26, të këtij ligji, dhe kompetencave dhe përgjëgjësive të tyre” (Po aty, Neni 5). Dmth një institucion që formohet fillimisht nga qeveria (Ministria e Mjedisit), merr formën e një shoqërie anonime (dmth sipermarrje publike), përmbush funksione të mirëfillta të ekzekutivit qendror (6.AKEM-i planifikon, projekton, koordinon dhe administron rrjetin kombëtar të impianteve, të trajtimit dhe asgjësimit të mbetjeve, në të gjitha fazat e zhvillimit të tij që përfshijnë ndërtimin, operimin, administrimin dhe mbylljen e tyre. (Neni 27, pika 6) dhe në fund me ngritjen e AKEM Sha kthehet në një shoqëri publike, e cila duhet t’u nënshtrohet rregullave përkatëse si çdo shoqëri anonime me kapital shtetëror në vend (Neni 81, pika 4)?!
Në vlerësimin tonë, duke mos qenë kundër a priory për ngritjen e kësaj agjencie, mendojmë se kjo pjesë, së bashku me analizën e implikimeve fiskale dhe buxhetore ka nevojë të re-elaborohet më tej. Më konkretisht mënyra se si është parashikuar ngritje e kësaj agjencie (që në thelb monopolizon trajtimin e mbetjeve në Shqipëri) duket si një lëvizje e sforcuar për një kalim të butë dhe jotransparent nga situata e menaxhimit të mbetjeve gjatë dekadës së fundit kur jane shpenzuar qindra milionë Euro, investimet e koncesionarëve të PPP-ve janë nën një hetim të zgjatur, ndërkohë që institucioni suprem i auditit të jashtëm (KLSH) ka ofruar ekspertizë profesionale që mund të ishte çuar në minimizimin e risqeve financiare e buxhetore qysh prej fillimit të tyre. Dmth projekt-ligji në fjalë mundëson njëlloj “shtetëzimi të butë” të land-filleve ekzistuese së bashku me implikimet financiare dhe buxhetore që janë krijuar me këtë rast, si dhe tenton të ofrojë një model të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve nën optikën e direktivave të BE për këtë qëllim.
- Diapazoni i gjerë i vetë ligjit
Projekt-ligji në fjalë tenton të rrokë të gjitha llojet e mbetjeve pavarësisht nga fakti se nisur nga zhvillimet e tri dekadave të fundit në ekonominë shqiptare, kuadri rregullator dhe institucional i tyre gjendet në shkallë të ndryshme të zhvillimit. Duke përfshirë të gjitha llojet e mundshme të mbetjeve nga mbetjet “tradicionale” urbane deri tek ato që nuk janë ende prezent në Shqipëri, projekt-ligji bën të detyrueshme hartimin, amendimin, apo rishikimin e një numri të pafundëm aktesh ligjore të lidhura të nevojshme për të mundësuar zbatimin e tij.
Nëse marrim në konsideratë problematikën e akumuluar në fushën e menaxhimit të mbetjeve, lehtësisht mund të dallojmë çështje të tilla si: mungesa e ndarjes në burim të mbetjeve të ngurta urbane, ndikimet e dyshimta të biznesit privat me synim shtimin e fitimeve të tij (rasti i “tarifës së dherave” në landfill-in e Tiranës), mosrespektimi i kuadrit ligjor në fuqi për mbetjet e rrezikshme deri tek eksporti dhe tranzitimi i mbetjeve të rrezikshme (rasti i KURUM-it, etj). Mirëpo trajtimi en block i tyre nuk ofron zgjidhje të drejtpërdrejtë të asnjerit nga problemet e mësipërme. Përpjekjet për t sjell n legjislacionin e brendshëm të parashikimeve të direktivave të BE janë të lavdërueshme nëse mundësojnë përmirësimin e gjendjes aktuale.
Mirëpo duke analizuar mënyrën se si këto direktiva janë transpozuar në legjislacionin e vendeve kandidate të BE shihet që një peshë të rëndësishme zenë edhe aspektet që lidhen me transparencën e shpenzimeve buxhetore, më konkretisht pjesa për kontabilitetin.
Siç dihet, ky element është problematik në tërësi në ekonominë shqiptare dhe mungesa e trajtimit të tij në mënyrë të drejtpërdrejtë (pjesërisht mund të mendohet se do të trajtohet në nenet që lidhen me kostot e menaxhimit të mbetjeve (Neni 27) nuk lejon rritjen e transprencës ndaj qytetarëve, për rrjedhojë as menaxhimin efektiv të taksave të tyre.
- Implikimet që lidhen me reformat e shpallura/në proces të qeverisë.
Ndër reformat e shpallura të maxhorancës është edhe reforma territoriale për të cilën Kuvendi i Shqipërisë është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë qysh në ditët e para të kësaj legjislature.
Duke qenë se reforma territoriale nuk mund të mos çojë në rishikimin e kufinjve hapësinore të njësive të qeverisjes vendore, atëhere lehtësisht mund të arrijmë në përfundimin që kapitujt përkatës të ligjit me rolin e Bashkive dhe të marrëdhënieve ndërbashkiake në menaxhimin e mbetjeve mbeten të pazbatueshëm, ose edhe nëse fillojnë të zbatohen, mund të krijojnë implikime serioze ligjore dhe financiare sidomos në lidhje me operatorët ekonomikë që pritet të përfshihen në këtë proces.
Një reformë tjetër e shpallur nga qeveria shqiptare është edhe reforma e inspektorateve. Eksperimentet e kryera gjatë dekadës së fundit në organizimin dhe riorganizimin e tyre kanë qenë përgjithësisht të dështuara, të paktën sa u takon mbetjeve. Ndonëse mungojnë indiciet zyrtare e refomës së ardhshme të inspektorateve, është e dëshirueshme që të ketë një ndarje më të qartë të roleve të institucioneve të përfshira, forcim të ndeshkimeve ligjore, gjurmim me të mirë të shkelësve të ligjit, etj. Por në çdo rast, parashikimet ligjore në ligjin që po shqyrtojmë mbi rolin e qeverisë, bashkive, inspektorateve, operatorëve ekonomike, familjeve, agjencive qeveritare ekzistuese dhe atyre që do te krijohen të reja nuk mund të mos ndikohen edhe nga kjo reformë e afërt e qeverisë.
Një grup më vete problemesh, të cilave projekt-ligji në fjalë nuk u jep dot një përgjigje shterruese janë implikimet ligjore dhe financiare te implikimet që vijnë nga kontratat ekzistuese të inceneratorëve për marrjen në dorëzim të tyre (Elbasan, Tiranë, Fier, Vlorë, etj.) si dhe kontratat me kompani vendase dhe të huaja të përfshira për periudha kohe deri në 100 vjet siç është rasti i kompanisë ECO Albania e Bashkisë së Tiranës.
- Disa çështje tëe tjera tëe lidhura me projekt-ligjin.
Në projekt-lìgjin që po shqyrtojmë, janë dhenë disa përcaktime që meritojnë debat më të gjerë. Të tilla janë:
- Shmangeja e gjykatës në rastet problematikave midis palëve duke u dhënë përparësi gjobave administrative, që në kushtet e mungesës së kritereve të njohura publikisht përbëjnë një burim për korrupsion dhe janë jo-efektive në parandalimin e ndëshkimin e shkeljeve në menaxhimin e mbetjeve.
- Publikimi i katalogut të mbetjeve dhe çdo rishikim i tij në faqen zyrtare të Ministrisë dhe jo në gazetën zyrtare Duke qenë një akt kushtetuese indvidual duhen detyrimisht të publikohet atje.
- Mungesa e standartizimit të dokumentacionit për raportim, gjë që lejon voluntarizëm, mungese tranparence dhe potencialisht mundësi për korrupsion; frekuenca e parregullt informacionit (3 muaj, 6 muaj apo vjetore) që nuk ndjek rregullat “klasike” të raportimeve statistikore (çdo tre muaj) si dhe destinacioni i këtij të fundit. Eshtë e paqartë përse ligji nuk parashikon raportimet te të njejtëve tregues si në vendet e BE dhe këto përmes agjensive shtetërore përgjegjëse (INSTAT) por mjaftohet me statistikat e brendshme të ministrisë. Edhe pranimi i dokumentacionit elektronik për transferimin e mbetjeve të parrezikshëm, në një kohë kur përzjerja e tyre dhe emërtimi qëllimisht gabim rezulton si mënyrë trafikimi jashtë vendit, apo asgjësimi brenda tij, mendojmë se pengon transparencën dhe mund të jetë pengesë për hetimet në rastet e dyshuara për korrupsion dhe një burim abuzimi nga operatoret ekonomike dhe zyrtarët e korruptuar të lidhur me ta.
- Koha e ruatjes se informacionit psh për mbetjet e rrezikshëm duket jorealiste (Neni 45, pika 5) në një kohë që hetimet penale për raste të dyshuara për korruspion dhe shpërdorim detyre të zyrtarëve zgjatin dy-tre herë më shumë në kohë, parashikim që mundëson fshehjen e operacioneve të rrezikshme me to, ashtu sikurse parashikimi që operatorëve ekonomikë që operojnë me landfill-et sugjerohet që t’ju mbahet garancia për 30 vjet nga mbyllja e tyre (Neni 36, pika 3). Nuk besoj se kjo ndodh as me mbylljen e centraleve bërthamorë në vendet perëndimore.
- Kritere të paqarta për vend-ndodhjen e landfill-eve/zonimin e vendit. Mungesa e këtyre kritereve të lidhura me volumet e mundshëm të projektuara të mbetjeve, numrin e popullsisë, bizneset dhe karakteristikat e tyre, etj. Më bën që vendim-marrja të jetë voluntariste dhe që mund të çojë në përdorimin jo-efikas të burimeve në dispozicion dhe në korrupsion të zyrtarëve vendim-marrës.
- Interesat publike dhe private të avancuara nga projektligji,
Në tërësinë e tij, projekt ligji që po shqyrtojmë synon të avancojë interesat publike për një ndër problemet e mëdha ambjentale dhe shëndetësore të lidhura me qytetarët e vendit dhe i shërben gjithashtu edhe procesit të antarësimit në BE. Ky synim i shpallur nuk e fsheh faktin që megjithëse problemet e mëdha të akumuluara që lidhen me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe në nivel bashkie në menaxhimin e mbetjeve nuk pritet të shënojë shkëputjen nga praktikat e derisotme që e krijuan këtë situatë. Madje, edhe hapat e sugjeruara për krijimin e një agjencie të re siç u analizua më sipër (AKEM), rrezikon të rrisë koston në tërësi buxhetin e qeverisë dhe të familjeve shqiptare, ndërhyrjet mbi buxhetet e bashkive duke cënuar kështu autonomine lokale të këtyre të fundit, por edhe shpenzimet e menaxhimit të mbetjeve në tërësi, gjë që do të përkthehet edhe në përfitime më të mëdha të operatorëve ekonomike private të përfshirë apo që pritet të përfshihen në të ardhmen. Ndërsa paaftësia, politizimi, dhe keq-administrimi i buxhetit rrezikon të vazhdojë të ushqejë korrupsionin në këtë fushë.
- Implikimet financiare të projektligjit.
Në ndryshim nga pritshmëritë në rastin e një ligji të ri, por që mbështetet në një ligj të hartuar një dekadë më parë, projekt-ligji në relacionin e tij nuk ofron asnjë të dhënë serioze mbi implikimet eventuale financiare, gjë që të shtyn e mendosh se më shumë se të krijojë premisat për dhënie zgjidhje të një problemi shumë të rëndësishëm për ekonominë dhe familjet shqiptare, bën të mundur vetem raportimin formal për plotësimin e njerit nga qindra ligjet e nevojshme për të cilat qeveria ka marrë angazhim në kuadrin e kapitujve për procesin e integrimit Europian së bashku me përgatitjen e terrenit për shtetëzimin de facto të inceneratorëve jofunksionale e të munguar duke mbyllur kështu këtë kapitull të errët të qeverisjes së dekadës së fundit sëbashku me dritëhijet që e kanë shoqëruar që nga dita e parë.
- Rekomandime bazë:
- Shtyrja e miratimit të ligjit me të paktën për gjashtë muaj të nevojshëm për përgatitjen e të gjitha akteve sekondare të parashikuara për zbatimin e tij.
- Përgatitja dhe miratimi me përparësi i një akti të posaçëm vetëm për mbetjet e ngurta.
- Ndërmarrja e fushatë te diskutimi të gjerë publik rreth direktivave përkatëse të BE dhe problematikës së vendit tonë, linjave kryesore të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, etj.
- Miratimi, mbas përgatitjeve të mësipërme, i një pakete të plotë ligjore për menaxhimin e integruar të mbetjeve, e cila përveç ligjit bazë do të përfshijë edhe rishikimin /amendimin/plotësimin e akteve ligjore të lidhura me të gjitha nivelet e qeverisjes.