HomeAktualitetGjenerali i parë shqiptar që hyn në “Hall of Fame” të U.S....

Gjenerali i parë shqiptar që hyn në “Hall of Fame” të U.S. Army War College: Një moment historik për Kosovën dhe shqiptarët

Advertismentspot_img

Një arritje historike dhe një nder i jashtëzakonshëm për shtetin e Kosovës dhe gjithë kombin shqiptar. Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Gjeneral Ejup Maqedonci, është përfshirë në “Hall of Fame” të U.S. Army War College, duke u bërë kështu gjenerali i parë shqiptar që merr këtë vlerësim të lartë nga një prej institucioneve më prestigjioze ushtarake në botë.

Ky është një nga nderimet më të mëdha që Kolegji Ushtarak i Luftës i Ushtrisë Amerikane i jep personaliteteve ndërkombëtare që kanë dhënë kontribute të shquara në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe udhëheqjes strategjike.

Ceremonia zyrtare e përfshirjes në “Hall of Fame” u mbajt në Washington D.C., në prani të Gjeneralit Randy A. George, Shef i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-ve, si dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve ushtarake amerikane. Me këtë nderim, Gjeneral Maqedonci u rendit përkrah liderëve më të njohur ushtarakë e diplomatikë nga e gjithë bota, duke vendosur Kosovën dhe shqiptarët në hartën e ekselencës ndërkombëtare të mbrojtjes.

Në një publikim në rrjetin e tij social Facebook pas ceremonisë, Ministri Maqedonci u shpreh se ky vlerësim është më shumë se një arritje personale dhe është një nder për të gjithë ata që kanë ndërtuar me përkushtim dhe profesionalizëm Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Ky nderim i përket çdo ushtaraku, çdo oficeri dhe çdo qytetari që ka besuar në misionin tonë për ndërtimin e një ushtrie profesionale dhe moderne. Falënderimet e mia më të sinqerta i drejtoj Kolegjit të Luftës së Ushtrisë së SHBA-ve për këtë vlerësim, si dhe të gjithë kolegëve, mentorëve dhe familjes sime për mbështetjen e tyre të vazhdueshme”, u shpreh Gjeneral Maqedonci.

Ai theksoi se ky moment e forcon më tej besimin në fuqinë e shërbimit, udhëheqjes dhe mësimit të përjetshëm, vlera që bashkojnë të gjithë ata që i shërbejnë me nder dhe përkushtim vendit të tyre.

Ky nderim historik e pozicionon Ushtrinë e Kosovës në një nivel të ri të respektit ndërkombëtar, si partnere e besueshme në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit strategjik me aleatët e saj, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular