LVV godet politikën e Tiranës: Kanë përgjegjësi që çështjen ta ngrenë në forume ndërkombëtare,
Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot, 16 tetor, mbështetjen e saj për qytetarët që do të protestojnë në Tiranë (më 17 tetor) për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Në një postim në faqen zyrtare, LVV thekson se qëndrimi i saj për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar. Rikujton se themelimi i Gjykatës Speciale nisi me një rezolutë në Këshillin e Evropës në vitin 2008 dhe u miratua më 2011.
Partia thekson se UÇK-ja ka qenë një ushtri e drejtë dhe e domosdoshme, duke mohuar ekzistencën e ndonjë grupi kriminal brenda saj, dhe shton se për krimet e luftës duhet të gjykohet Serbia.
Por nuk kursen sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit ka bërë thirrje për t’i bashkuar protestës dhe ka mbështetur vazhdimisht ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate“, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, fton institucionet e Shqipërisë dhe shtetet mike të Kosovës të veprojnë në forumet ndërkombëtare për të mbrojtur të vërtetën e luftës dhe për të çuar drejtësinë përpara, duke kujtuar gjithashtu rëndësinë e njohjes së gjenocidit dhe gjykimit të krimeve të luftës.
“Institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë“, përfundon deklarata.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas kritikave të Albin Kurit, në lidhje me qëndrimin e Ramës disa vite më parë për ngritjen e Gjykatës Speciale.
“Lëvizja më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se para 10 vitesh unë paskam qenë pro, kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kudo dhe kurdo që ka qenë rasti,” u shkruan Rama.
Kreu i qeverisë kujtoi se Gjykata Speciale u ngrit për çështjen e trafikut të organeve, dhe jo për, siç tha, “të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.
Rama gjithashtu kritikoi qëndrimet e kaluara të Vetëvendosjes ndaj figurës së Hashim Thaçit, duke nënvizuar se “atëherë Lëvizja nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë”.
Sa i përket protestës “Drejtësi për Çlirimtarët”, e paralajmëruar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Rama sqaroi se nuk është as organizator dhe as folës, por e mbështet me gjithë zemër.

Reagimi i Edi Ramës:
Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim. Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës. Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj.
“Vëllai im, Hashim Thaçi…”, qëndrimi i Ramës ndaj procesit
Kujtojmë se më 13 tetor, kreu i qeverise shqiptare përmes një postimi në rrjetet sociale shpërndau thirrjen për t’i bashkuar protestës mbarëkombëtare.
Ai nënvizoi se mijëra zemra do të bashkohen për të kërkuar drejtësi për krerët e UÇK-së. Procesin gjyqësor ndaj tyre, e ka cilësuar jo demokratik, duke nisur që nga marrja e një presidenti të zgjedhur nga zyra, e deri tek burgimi i tij me justifikimin e mundësisë së kërcënimit të dëshmitarëve. https://www.youtube.com/embed/tYQFxvxsJh4?si=qdSfin0uwW2ZB5aH
“Procesi nuk është demokratik, dhe kjo është shumë e rëndë. Që procesi gjyqësor nuk është demokratik, është shumë, shumë e rëndë”, është shprehur Rama më herët.
Kryeministri ka theksuar po ashtu se sistemi gjyqësor i Kosovës nuk duhej të rrinte duarkryq para një padrejtësie të tillë. Thuajse në çdo reagim publik, Hashim Thaçin e ka quajtur vëllaun e tij…
Kurti ka heshtur?
Vlen të thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rrallë ka folur për ish-Presidentin Thaçi, të cilin ndryshe nga shumë figura të tjera politike, nuk e ka vizituar në Hagë. Sipas tij nuk e ka bërë sepse nuk ka dashur që të ‘legjitimojë’ Gjykatën Speciale.
“Kam pasur ndërmend të shkoj, por nuk kam mendim aspak pozitiv për Gjykatën Speciale siç ka pasur Thaçi dhe kur kam marrë vesh që për të shkuar në Hagë duhet të mbushej një mori letrash, prandaj nuk kam shkuar. Se kjo i bie që unë duhet të pranoj Gjykatën Speciale. Duhet t’i bëj asaj një lloj legjitimimi, ndaj nuk kam shkruar se nuk dua të nënshkruaj letra me logo të Speciales”, ka deklaruar ai.
Tubim kombëtar
Protesta do të mbahet nesër, në orën 17:00 në kryeqytet në sheshin Skënderbej.
Ngjarja, e organizuar nga komuniteti i ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, synon të bëjë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Pjesëmarrës do të jenë edhe ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe lideri politik maqedonas, Ali Ahmeti.
Drejtuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, deklaroi dje, 15 tetor, në një intervistë ekskluzive për Klan News se kjo protestë ka karakter të qartë kombëtar. Ai tha se “60 mjete do të vijnë nga Kosova për të marrë pjesë në tubim”…