Një shtetas shqiptar është ndaluar në pikën kufitare të Kroacisë pasi u kap duke tentuar të kalonte një shumë të konsiderueshme parash pa deklarim.
Gjatë kontrollit të automjetit që ai drejtonte, autoritetet kroate zbuluan 702,435 euro të padeklaruara, të fshehura me kujdes në pjesë të ndryshme të makinës.
Sipas ligjit kroat dhe rregullave të Bashkimit Evropian, çdo shumë mbi kufirin e lejuar duhet të deklarohet, qoftë në formë të shkruar apo elektronike, gjë të cilën drejtuesi i mjetit nuk e kishte bërë.
Paratë u sekuestruan menjëherë në vendngjarje, ndërsa shtetasi shqiptar u arrestua dhe iu dorëzua autoriteteve përkatëse, me dyshimin për kontrabandë financiare. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.