Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka zhvilluar sot një seancë ku ka shqyrtuar dhe miratuar disa vendime kyçe në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme për kryetarë bashkie, që do të mbahen në datën 9 nëntor 2025.
Miratimi i fletëve të votimit
Një vendim i rëndësishëm i sotëm ishte miratimi i sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi.
Bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet janë Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat. Bazuar në të dhënat e Gjendjes Civile, rezulton se në këto pesë bashki numri i përgjithshëm i zgjedhësve është 334,559.
Në përputhje me Kodin Zgjedhor, KSHZ vendosi të prodhohen 335,199 fletë votimi, duke shtuar 2\% mbi numrin total të zgjedhësve. Gjithashtu, Komisioneri caktoi edhe vendndodhjen e disa qendrave të votimit në ndërtesa private, si pjesë e masave organizative për zhvillimin e procesit zgjedhor të pjesshëm të datës 9 Nëntor.
Regjistrimi i Subjekteve
KSHZ vendosi edhe regjistrimin si subjekte zgjedhore të dy partive kryesore të opozitës: Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë. Këto dy parti do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme të pesë bashkive ku do të zhvillohet votimi.
“Votat do numërohen me inteligjencë artificiale” – Celibashi: E testojmë në 9 nëntor, por nuk do zëvendësojë procedurën manuale
Numërimi, vlerësimi i fletëve të votimit dhe nxjerrja e rezultateve, në zgjedhjet e pjesshme për kryetarë bashkie të 9 nëntorit do të bëhet përmes inteligjencës artificiale”. Gjithçka është bërë me dije nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, gjatë konferencës rajonale mbi Digjitalizimin e Proceseve Zgjedhore, por sipas tij për momentin kjo metodë vetëm do të testohet.
“Më 9 nëntor të këtij viti do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme për kryetarë të disa bashkive të vendit. Stafi i KQZ-së po punon për të aplikuar, për herë të parë, përdorimin e AI-së në numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit dhe në nxjerrjen e rezultateve. Ky projekt do të shërbejë si test dhe, për momentin, nuk do të zëvendësojë procedurën manuale të numërimit dhe vlerësimit të votave, e cila mbetet mënyra zyrtare e referimit”, – tha Celibashi.
Ai u ndal dhe te degjitalizimi i proceseve të tjera, sikur është identifikimi apo votimi elektronik, që sipas tij kanë rritur efikasitetin në administrimin e proceseve zgjedhore. Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë Silvio Gonzato theksoi rëndësinë që kanë proceset e digjitalizimin në drejtim të transparencës dhe proceseve demokratike zgjedhore.
“Mirëqenia digjitale është qendrore sa i përket axhendës së refromave. Do të thotë, për t’u siguruar që fushata online, reklama politike, përdorimi i të dhënave janë transparente, të verifikueshme dhe objekt i monitorimit të pavaruar. Reforma zgjedhore dhe digjitale janë pjesë e angazhimeve që ka marrë Shqipëria për t’u bërë shtet anëtar, pjesë e Grupkapitullit I – Çështjet Themelore dhe kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike, që theksojnë rëndësinë e zgjedhjeve transparente, qeverisjen, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen e qytetarëve”, – tha Gonzato.
Gjatë konferencës u theksua domosdoshmëria që autoritetet zgjedhore të zhvillojnë mekanizma bashkëpunues midis autoriteteve evropiane për t’iu përgjigjur kërcënimeve dixhitale, që mund të vijnë në këtë drejtim. Konferenca u organizua nga Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (International IDEA), në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë.