Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë që vendet kandidate si Ukraina, Moldavia dhe Mal i Zi të anëtarësohen në BE pa të drejtë të plotë vote ose vetoje në fazën fillestare të anëtarësimit, një hap që synon të zhbllokojë procesin e zgjerimit dhe të zbusë kundërshtimet nga vende si Hungaria, raportoi Politico.
Sipas burimeve diplomatike, ideja është që shtetet e reja anëtare të përfitojnë nga shumë avantazhe të anëtarësimit, por pa pasur mundësi të bllokojnë vendimet e përbashkëta të BE-së derisa të kryhen reformat institucionale që e bëjnë funksionimin e Unionit më efikas dhe më rezistent ndaj përdorimit të vetos nga shtete të vetme.
Propozimi, ende në faza fillestare dhe që duhet miratuar nga të gjitha vendet anëtare aktuale, është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të rigjallëruar procesin e zgjerimit, i cili prej vitesh është ngadalësuar për shkak të kundërshtimeve politike, shqetësimeve për sigurinë dhe frikës nga konkurrenca në tregjet vendore.
Sipas Anton Hofreiter, kryetar i Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestagun gjerman, “Anëtarësimi pa të drejtë vetoje do të mundësonte funksionimin e BE-së edhe pas zgjerimit, pa u penguar nga shtete të vetme që bllokojnë reforma të nevojshme.”
Ai shton se kjo qasje shihet si konstruktive edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë kohë që presin për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit.
Vendet kandidate, veçanërisht në Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, po shfaqin zhgënjim në rritje nga ngadalësimi i procesit të zgjerimit. Për shembull, Mal i Zi ka nisur negociatat për anëtarësim që në vitin 2012, por përparimi ka qenë i ngadaltë.
Presidenti malazez Jakov Milatović, në një intervistë për Politico, tha:
“Është koha për të rigjallëruar idenë e BE-së si një klub që ende ka fuqi tërheqëse.”
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Ukrainës, Taras Kachka, kërkoi “zgjidhje kreative” për të përshpejtuar procesin, duke theksuar se vendi i tij nuk mund të presë pafundësisht përballë një lufte që vazhdon dhe një Evrope të kërcënuar nga agresioni rus.
“Pritja nuk është një opsion,” tha ai. “Rusia po teston sigurinë evropiane jo vetëm me dronë, por edhe me përpjekje për të minuar unitetin e BE-së.”
Ndërkohë që Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përfshirë zgjerimin në agjendën strategjike të BE-së, shumë kryeqytete evropiane vazhdojnë të ngurojnë.
Përpjekjet për heqjen e vetos për vendimet më të rëndësishme të BE-së kanë hasur rezistencë, jo vetëm nga Hungaria, por edhe nga vende si Franca dhe Holanda.
Një diplomat i BE-së sugjeroi që Komisioni mund të përpiqet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit duke filluar negociatat me vendet kandidate pa pasur nevojë për aprovimin unanim të të gjitha shteteve anëtare në çdo hap, duke i hequr kështu kryeministrit hungarez Viktor Orbán fuqinë për të bllokuar procesin.
Udhëheqësit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të takohen me udhëheqësit evropianë të mërkurën në Londër për një samit të “Procesit të Berlinit” të fokusuar në nxitjen e integrimit midis këtyre kombeve si një pararendës i zgjerimit të BE-së.
