Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi sot në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se sulmi në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe ai në Ibër Lepenc nuk ishin incidente të izoluara, por akte të qarta agresioni të organizuara nga Serbia kundër Republikës së Kosovës.
Gjatë fjalimit të saj, ajo akuzoi Beogradin për qëllime hegjemoniste dhe kërkoi presion më të madh nga Bashkimi Evropian ndaj Serbisë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Në fjalën e saj, Gërvalla prezantoi një fotografi nga një ndeshje futbolli në Beograd, ku një grafit i madh shpaloste mesazhin agresiv: “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Ajo theksoi se ky mesazh, i cili nuk thotë “nëse” por “kur”, tregon qartë synimet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës.
“Ata nuk e fshehin qëllimin e tyre, janë të hapur për këtë. Ne jemi në favor të dialogut, por na duhet një dialog i vërtetë, jo mashtrim nga Vuçiqi,” tha Gërvalla.
Gërvalla akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq për mbështetje të drejtpërdrejtë të sulmit në Banjskë, ku grupe paramilitare të armatosura nga Serbia, të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, tentuan të merrnin nën kontroll me dhunë veriun e Kosovës.
“Vuçiqi mund të pengohet, jo të bindet. Radoiçiq, dora e djathtë e Vuçiqit për Kosovën, trajtohet si mysafir nderi në Serbi pas sulmit. BE-ja duhet të vendosë presion të vërtetë ndaj Serbisë, përndryshe ata do të vazhdojnë të eskalojnë, sepse nuk kanë nga kush të frikësohen,” shtoi Gërvalla, duke përmendur edhe një takim të ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, me Radoiçiq pas sulmit.
Gjithashtu, Gërvalla reagoi ashpër ndaj përdorimit të termit “Kosovë e Metohi” nga homologu i saj serb, Marko Gjuriq, gjatë fjalimit të tij në seancë.
“Më lejoni ta bëj të qartë: nuk ka ‘Kosovë e Metohi’. Kjo është një shprehje e vjetër shoviniste e Sllobodan Millosheviqit, një shprehje e ambicieve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës,” tha Gërvalla.
Ajo shtoi se Kosova u mbrojt nga gjenocidi serb falë ndërhyrjes së NATO-s dhe SHBA-së dhe se vendi është i përkushtuar ndaj integrimit euroatlantik, ndryshe nga Serbia, e cila, sipas saj, po lëviz drejt Rusisë.