Është mbajtur këtë të martë (21 tetor) takimi i parë i kandidatit të pavarur për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës me përfaqësuesit dhe koordinatorët e opozitës. Në një deklaratë për shtyp, Florjan Binaj e cilësoi takimin si shumë të frytshëm dhe paralajmëroi një seri takimesh gjatë ditëve në vijim.
“U zhvillua takimi i parë me përfaqësuesit, të dërguarit dhe koordinatorët e opozitës dhe ishte një takim shumë i frytshëm dhe besoj është takimi i parë i një serie takimesh që na pret ditët në vijim për t’u koordinuar edhe më mirë me njëri-tjetrin”, deklaroi Binaj.
Ai bëri thirrje për mbështetjen e qytetarëve pa dallim partie.
“Mesazhi im është që ne jemi të gjithë së bashku dhe unë si kandidat i pavarur, falë mbështetjes së opozitës, u bëj thirrje qytetarëve që të na mbështesin pa dallim partie, sepse kjo është një çështje që u vlen të gjithë qytetarëve”, shtoi ai.
Pyetur mbi programin elektoral, Binaj theksoi se është duke e punuar në bashkëpunim me një ekip jopartiak.
“Jemi duke punuar me një ekip jopartiak që brenda një kohe të duhur të dalim dhe të tregojmë programin për gjithë qytetarët”, tha Binaj.
Binaj bëri të qartë se në fushatë do të jetë pa praninë e kryetarëve të partive opozitare, ndërsa shprehu gatishmërinë për t’u takuar me ta.
“Nuk kam folur me z. Berisha. E kam thënë që në daljet në terren, në fushatë, do të jem pa përfaqësimin e kryetarëve, por pa dyshim jam i gatshëm të takoj çdo kryetar të partive të opozitës”, deklaroi Binaj.
I pyetur se sa besim ka që mund t’i fitojë zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, Binaj deklaroi se bashkimi me të gjithë përfaqësuesit e partive është tregues i jashtëzakonshëm i asaj që pritet të ndodhë.
“Jam një kandidat i pavarur i mbështetur nga partitë e opozitës. Nëse e shihni si një lloj varësie faktin që mbështetja vjen jo vetëm nga Partia Demokratike, por nga gjithë partitë e tjera, po jam i varur dhe nga “Partia Mundësia”, “Shqipëria Bëhet”, “Nisma Thurje”, nga të gjitha…” përfundoi Binaj në deklaratën e tij.
Kujtojmë se një muaj më parë, Qeveria “Rama 4” firmosi shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas një mungese 7-mujore në detyrë, duke qenë nën arrest me burg nga SPAK për disa akuza. Qeveria i dërgoi më pas presidentit Bajram Begaj për dekretim datën e zgjedhjeve në 6 bashkitë e vendit dhe kreu i shtetit dekretoi datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.
Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të presidentit për Bashkinë e Tiranës, bashki e cila drejtohej nga Erion Veliaj.
/rtsh.al/