HomeRajoniNis rinumërimi i votave në 3 komuna dhe i atyre me kusht...

Nis rinumërimi i votave në 3 komuna dhe i atyre me kusht në Kosovë

Advertismentspot_img

Rinumërimi në disa vendvotime dhe numërimi i votave me kusht për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka filluar të martën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi përfundoi numërimi i votave me postë nga jashtë Kosovës, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës përfundoi të hënën rreth mesnatës, sipas KQZ-së.

Mbi 44.000 votues kishin të drejtë të votojnë me postë nga jashtë vendit dhe patën një muaj kohë ta bënin këtë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

Ndërkohë, rinumërimi ka nisur në tri komuna pas urdhrit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa.

Rinumërim do të ketë në dy vendvotime në Mitrovicën e Jugut, në të cilën nuk pati fitues në raundin e parë, pasi kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, zhvilluan një garë të ngushtë kokë me kokë dhe do të përballen në balotazhin e 9 nëntorit.

Javën e kaluar, autoritetet njoftuan se kishin nisur mbledhjen e të dhënave lidhur me dyshimet për keqpërdorime të mundshme të votave në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Për këtë komunë pati dallime të mëdha mes sondazheve fillestare, të publikuara menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatit preliminar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në Kamenicë do të ketë rinumërim në një vendvotim, i cili nuk pritet të ketë ndikim në rezultat, pasi kandidati i LVV-së, Kadri Rahimaj e fitoi garën qysh në raundin e parë me mbi 51 për qind të votave të fituara.

Gjithashtu rinumërim do të ketë në një vendvotim në Podujevë, ku garën e fitoi bindshëm po ashtu një kandidat i LVV-së qysh në raundin e parë, Shpejtim Bulliçi.

KQZ-ja tha në njoftim se të martën do të nisë edhe numërimi i votave nga procesi i votimit me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.

Votim me kusht ka pasur në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve, tha ajo.

Sipas të dhënave të KQZ-së, janë 2.119 zarfe me fletëvotime me kusht, ndërsa 3.467 njerëz ishin regjistruar si votues me nevoja të veçanta.

Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën më 12 tetor, por në shumicën e komunave do të ketë një raund të dytë më 9 nëntor, pasi ato nuk arritën t’i zgjidhnin kryetarët e tyre në raundin e parë.

Në ditën e zgjedhjeve votuan 39.58 për qind e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit.

Sipas KQZ-së, në 21 komuna është zgjedhur kryetari në raundin e parë, ndërsa në 17 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, do të mbahet edhe raundi i dytë.

Praktikat e mëparshme kanë treguar se fitorja në raundin e parë nuk garanton fitoren përfundimtare edhe në raundin e dytë në rastet kur ka balotazh.

Nga komunat me shumicë serbe, vetëm në Kllokot do të ketë raund të dytë, ndërsa në nëntë të tjerat ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Marrë nga Radio Evropa e Lirë

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular