Në konferencën që u zhvilua të martë me 21 tetor, në Tiranë në kuadër të 30-vjetorit të partneritetit të Shqipërisë me Këshillin e Europës dhe 35-vjetorit me Komisionin e Venecias, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi renditi çështjet kyçe që sipas tij duhet të adresohen urgjentisht në reformën e ardhshme zgjedhore.
Celibashi përmendi votimin për personat me pamundësi, riorganizimin e komisioneve dhe rregullat për referendumet.
“Për të nxitur debatin, po bëj një listë të atyre çështjeve që ne mendojmë se duhet të adresohen në kuadër të reformës së ardhshme zgjedhore. Duke filluar me organizimin e komisioneve të palëve të treta. Mendoj se vetëm përbërja politike partiake e këtyre komisioneve nuk kontribuon në integritetin e procesit zgjedhor, në mirëadministrimin e tij, në transparencë dhe në elementë të tjerë që duhet t’i gëzojë një proces i drejtë, i barabartë dhe i ndershëm.
Nuk jam dakord me propozimin e maxhorancës, ku anëtarët e komisionit të jenë të gjithë nëpunës të shërbimit civil. Mendoj se nuk është koha që partitë politike të përjashtohen plotësisht, por roli i tyre nuk duhet të jetë parësor, por dytësor. Mendoj se ka ardhur koha që Kolegji Zgjedhor nuk ka më arsye pse të jetë instanca që merret me hetimet zgjedhore; mund të jetë Gjykata e Apelit apo Gjykata e Lartë.
Organizimi dhe funksionimi i KQZ-së, duke qenë në konflikt të hapur interesi, edhe pse s’kam asnjë të tillë brenda vetes, do doja që partitë politike të vendosin për këtë.”, tha Celibashi.
Po ashtu gjatë fjalës së tij, kreu i KQZ-së ngriti shqetësimin dhe për qytetarët me probleme shëndetësore që nuk mund të votojnë, ndonëse kanë të drejtë. Apo për kategori të tjera si gazetarët dhe punonjësit e policisë së shtetit, që duhet të jenë në krye të detyrës ditën e zgjedhjeve.
“Duhet të zgjidhet çështja e votuesve që s’mund ta ushtrojnë këtë të drejtë për arsye objektive; pra, e kanë të drejtën e votës, por nuk mund të dalin. Kjo është e papranueshme kur tanimë ia kemi dorëzuar fletën e votimit atyre në Australi dhe vende të tjera të botës, por personat që janë këtu në Shqipëri nuk e ushtrojnë dot të drejtën e tyre për shkak të problemeve shëndetësore. E njëjta gjë vlen për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe gazetarët.
Kjo nuk e nderon Shqipërinë si vend kandidat në Bashkimin Europian.”, tha Celibashi.
Ai foli edhe për rregullat për referendumet: “Ne nuk i bëjmë dot referendumet në Shqipëri. Duhet t’i adaptojmë rregullat. Rezultatet duhet të vendosim: do t’i numërojmë në qendrën e votimit apo në qendrat e caktuara?”
Propozimet e ngritura sot nga Celibashi, janë të njëjtat me 14 pikat e ngritura nga ai më 9 shtator.
Tryeza për reformën zgjedhore, Gjiknuri: Shqipëria ka nevojë për ligj më të mirë për financimin e partive
Në kuadër të 30-vjetorit të partneritetit të Shqipërisë me Këshillin e Europës dhe 35-vjetorit me Komisionin e Venecias, u zhvillua sot një tryezë e përbashkët mbi reformën zgjedhore, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare.
Në këtë takim, nënkryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Damian Gjiknuri, theksoi rëndësinë e një reforme të mirëfilltë që adreson financimin e partive politike në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Ka ardhur momenti që Shqipëria të ketë ligj të standardeve më të mira sa i përket financimit të partive politike”, u shpreh Gjiknuri, duke vënë theksin tek domosdoshmëria e transparencës dhe llogaridhënies në këtë proces jetik për demokracinë.
Ai shprehu besimin se ndihma e institucioneve ndërkombëtare do të jetë vendimtare për realizimin e kësaj reforme, që duhet të përmbyllet shumë kohë përpara zgjedhjeve të ardhshme.
“Shpresojmë që të kemi mbështetje nga ODIHR, edhe nga Këshilli i Europës apo Komisioni i Venecias, që në kohë të kemi një produkt që i shërben stabilitetit zgjedhor”, tha Gjiknuri, duke nënvizuar se reforma duhet të mos jetë e nxituar, por e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e një qasjeje graduale, ku çdo hap përpara në drejtim të përmirësimit të sistemit zgjedhor është i rëndësishëm për konsolidimin demokratik të vendit.
“Ne duhet ta nisim edhe me një hap të vogël. Kauza më e madhe është stabiliteti i vendit dhe bërja përpara hapa në demokraci”, u shpreh ai.
Tryeza përmbylli punimet me angazhimin për të vijuar dialogun politik dhe teknik për të garantuar një proces zgjedhor më të drejtë, më transparent dhe të besueshëm për qytetarët shqiptarë.
Tryeza për reformën zgjedhore, Bylykbashi: Sistemi zgjedhor aktual ka dështuar
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, gjatë tryezës për reformën zgjedhore, theksoi se “sistemi zgjedhor ishte imponuar, që të fitojë njëra palë” dhe nënvizoi se “sistemi zgjedhor aktual ka dështuar”.
Ai kujtoi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke cituar raportin e OSBE-ODIHR, sipas të cilit “partia-shtet po përfiton nga ligji zgjedhor, e se jemi kthyer 35 vite pas”.
Bylykbashi shtoi se problem i rëndësishëm mbetet edhe vota e diasporës, duke theksuar se “vota e diasporës është problem tjetër që duhet trajtuar me seriozitet”.
Ai theksoi më tej se “me këtë reformë zgjedhore, ne nuk kemi asnjë standard që kërkon Bashkimi Evropian sot”, duke vënë në dukje nevojën urgjente për ndryshime, që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Sipas Bylykbashit, vetëm përmes një reforme gjithëpërfshirëse mund të arrihet besimi i qytetarëve dhe integrimi i Shqipërisë në standardet demokratike europiane.
Ai theksoi se sistemi aktual pengon pluralizmin dhe përfaqësimin e drejtë, duke dëmtuar besimin e publikut në procesin zgjedhor.







