Në një panel të ndikimit të mbajtur në Chatham House, Kryeministri Edi Rama jo vetëm që konfirmoi, por edhe detajoi qëndrimin e tij të mëparshëm: Shqipëria është e gatshme të pranojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian me një “status të ndryshuar”, që do të thotë pa të drejtën e vetos apo votës, derisa BE të përfundojë reformën e vetë mekanizmave të saj vendimmarrës.
Deklarata, e cila thekson një kërkesë pragmatike për shmangien e bllokadave të ardhshme, u motivua nga dy shqetësime kryesore të Kryeministrit.
Rama theksoi se brenda BE-së ekziston një “dëshpërim shumë i qartë” sidomos mes anëtarëve të mëdhenj, për shkak të kërkesës që çdo vendim të arrihet me konsensus (veto) në tryezën me 27 anëtarë. Ai parashikoi se shtimi i anëtarëve pa zgjidhur këtë çështje vetëm do të shtonte numrin e atyre që mund të përdorin veton për të bllokuar procese.
“Për një kohë të gjatë kam thënë se marrja jonë si anëtar me një status ndryshe është mese e mirëpritur pa të drejtë për veto, pa të drejtë votimi, për aq kohë sa BE do të reformojë veten,” u shpreh Rama, duke pranuar se reforma e mekanizmave të Unionit ka qenë “kryefjalë për kaq shumë dekada” por shumë e vështirë për t’u realizuar.
Ai shtoi se Shqipëria, si një vend i vogël, e ka të qartë rolin e saj dhe përshtatet me frymën e NATO-s, duke ndjekur linjën e përbashkët kur vjen puna te vendimmarrja, por ky qëndrim i tij ka qenë “i vetëshpallur” dhe ka nxitur habinë tek kolegët e rajonit.
Arsyeja e dytë, dhe më praktike, që mbështet këtë qëndrim, lidhet me pabarazinë financiare dhe nevojën për progres të shpejtë. Rama vuri në dukje kontrastin drastik mes përfitimeve:
“Shtetet anëtare përreth nesh marrin nga BE kontribut prej 4500 euro për frymë ndërsa kur bëhet fjalë për ne, kontributi është rreth 160-170 euro për frymë. Kjo është e pamundur.”
Sipas tij, kjo shtysë e Tiranës për të pranuar një status të kufizuar në votim ka nxitur një rezultat pozitiv: “gjetjen e veshëve” për Planin e Ri të Rritjes dhe financimin e reformave, si dhe më shumë qasje në tregun e përbashkët dhe hapësirën e pagesave të përbashkëta.
Nga Londra, Kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur edhe politikanin britanik Nigel Farage, me të cilin ka pasur përplasje të përsëritura në distancë, lidhur me numrin e shqiptarëve të dënuar në Britani.
Kryeministri Rama bëri të ditur se Nigel Farage ka pranuar ftesën për të vizituar Shqipërinë, por kishte propozuar si datë 28 nëntorin, Ditën e Pavarësisë. Me ironi, Rama tha se e kishte refuzuar këtë datë, pasi Nigel do të dukej “shumë i vogël” përballë Heroit tonë Kombëtar.
“Kur bëhet fjalë për mikun tim të dashur, Ngel, e kam ftuar. Më ka premtuar edhe publikisht që do të vijë. Më kërkoi një datë që përkon me ditën tonë të pavarësisë dhe i thash: Nigel, më mirë të gjejmë një datë tjetër sepse në qoftë se vjen do të duhet të përballesh me Heroin tonë Kombëtar dhe dukesh shumë i vogël,” u shpreh Rama.
Duke folur për politikën britanike, Rama theksoi se nuk i takon Shqipërisë të gjykojë zgjedhjet e brendshme të vendeve të tjera, por vuri në dukje dallimin mes retorikës opozitare dhe përgjegjësisë qeverisëse.
“E kemi parë më shumë se njëherë që puna e qeverisë është diçka krejt ndryshe nga poezia në opozitë. Nuk shoh problem kur vjen fjala për të bashkëpunuar me këdo,” tha ai.
Në përfundim, Rama e cilësoi Farage-in si një figurë që pasqyron probleme më të thella në shoqërinë britanike.
“Farage nuk është problemi. Farage është një pasqyrë e problemeve, i cili ka një aftësi teatrale për të qenë tërheqës, por problemet qëndrojnë tjetërkund,” përfundoi Kryeministri.
Rama: Evropa po sillet mirë me ne, por ne po ecim më mirë se ajo
Nga Londra, kryeministri Edi Rama foli gjerësisht për sfidat e procesit të integrimit, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe rolin e rajonit në kontekstin e ri gjeopolitik pas luftës në Ukrainë.
Gjatë fjalës së tij në panelin e “Chatham House” me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”, Rama theksoi se ndodhemi në një periudhë kur Evropa po sillet më mirë me Ballkanin, por njëkohësisht nënvizoi se procesi i anëtarësimit mbetet i ndërlikuar, pasi është një kombinim i aspektit teknik dhe politik.
“Ne kemi shumë sfida, por, siç ju thashë, jemi në një periudhë kohe kur Evropa po sillet shumë mirë me ne. Është e vështirë të bësh biseda pikante dhe rreziku për të qenë i mërzitshëm është shumë i madh. Ajo që mund të them është se, në përgjithësi, besoj se në këtë pikë në kohë ne po ecim më mirë se Evropa”, tha Rama.
Ai tha se ka pasur gjithmonë besim në procesin e anëtarësimit, edhe në momentet kur ky besim dukej qesharak.
“Unë kisha besim edhe në kohën kur ishte qesharake për të pasur besim. Më shumë se 90% e shqiptarëve i besojnë anëtarësimit në BE, sepse për ne nuk është asgjë më pak se ajo që ishte për etërit themelues të Evropës. Më së fundi jemi në pozitën që të zgjedhim lirisht ku jemi, dhe për ne kjo është një bindje shumë e fortë dhe një besim i patundur. Çfarëdo që të duhet, ne do të jemi pjesë e betejës për të qenë pjesë”, tha ai.
Rama u ndal edhe tek ndryshimet që solli agresioni rus në Ukrainë, duke theksuar se pas këtij momenti Evropa kuptoi rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.
“Pas agresionit në Ukrainë, Evropa u zgjua me zhurmë dhe jo vetëm që po thotë sa e rëndësishme është gjeopolitikisht Ballkani, por edhe po e sheh realisht një gjë të tillë. Ne punonim fort edhe më parë, përmbushnim kriteret edhe më parë për nisjen e negociatave, por u refuzuam pikërisht sepse fjalët dhe veprat ishin larg njëra-tjetrës. Tashmë, Evropa është e tëra pro kësaj, për të arritur këtë gjë, dhe me shpresë do ta realizojmë këtë ëndërr. Më pas, një epokë e re do të zë fill, me sfida të reja”, tha Rama.
Komentet e Britanisë për emigrantët, Rama: Kërkon të gjejë “kokë turku” për vendimin fatal të Brexit

Kryeministri Edi Rama komentoi qëndrimet anti-emigracion të Britanisë së Madhe, duke theksuar se ata po kërkojnë “një kokë turku” për të justifikuar gabimin fatal të Brexit.
“Problemi nuk janë shqiptarët apo emigrantët e tjerë, por dëshira për të gjetur një ‘kokë turku’ për vendimin fatal që kanë marrë për t’u shkëputur nga Bashkimi Evropian”, tha Rama.
Duke folur në Londër, për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Rama e cilësoi atë si një proces binar, teknik dhe politik njëkohësisht. Ai u shpreh se në një periudhë të caktuar Bashkimi Evropian u tregua hipokrit, pasi fjalët nuk përputheshin me faktet.
“Procesi është binar, nga njëra anë është tërësisht teknik dhe nga ana tjetër është tërësisht politik, megjithatë është e qartë që nuk mund të kesh asnjë mbështetje politike nëse nuk përmbush aspekte teknike të procesit. Por mund të plotësosh të gjitha aspektet teknike dhe të përballesh me mungesë mbështetje politike. Kjo është që në një moment të caktuar në kohë e bëri BE të shfaqej si një hipokrite e madhe pasi nuk përputhje me artilerinë e fakteve ajo që ato thonin. Nuk po jenin rezultate sepse Evropa është një pacientë me 27 doktorë, ku njeri nga doktorët u çmend dhe iu desh të merrte një tjetër kurë. Të tjerat ranë dakord më vonë dhe për tre herë me rashë pak nga këto doktorë nuk an lanë të ndërmerrnim hapat e nevojshëm”, tha Rama.
Rama shtoi se çdo vend duhet të ketë mundësinë të përmirësohet pa paragjykime apo etiketime, ndërsa theksoi se Ballkani sot është më i bashkuar se kurrë më parë.
“Çdo vend duhet të ketë mundësinë të përmirësohet pa etiketime je në ballë apo në fund të garës. Jemi Ballkan pa xhelozi e mëri ndaj njëri-tjetrit nuk do të ishim këta që jemi, por lajmi i mirë është se nuk jemi më vetëm në këtë botë. Një herë e një kohë ishim ne që luftonin e përçanin e nuk gjenim kompromis, ndërsa sot kemi klubin ballkanas dhe është kaq i madh”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër, ku pritet që gjatë ditës së sotme të zhvillojë takime të nivelit të lartë me homologun e tij britanik Keir Starmer dhe përfaqësues të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Ditën e nesërme (22 tetor), Kryeministri Rama do t’i bashkohet Samitit të Procesit të Berlinit bashkë me liderët e rajonit dhe ata të Bashkimit Evropian.
Mbretëria e Bashkuar do të presë më 22 tetor udhëheqësit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqës të tjerë evropianë për samitin e Procesit të Berlinit, me qëllim stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon.