Në kuadër të fushatës për Bashkinë e Tiranës, kandidatja socialiste Ogerta Manastirliu ka intensifikuar takimet me qytetarët dhe grupet e interesit.
Gjatë turit “PërTiranën2030”, ajo u ndal në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, duke vijuar angazhimin e saj në çdo lagje të kryeqytetit për të fituar besimin e votuesve.
Ajo theksoi se qëllimi i këtij takimi ishte të mësonte një tjetër qasje mbi problematikat që prekin kryeqytetin, përmes dialogut me aktorët që janë më pranë komuniteteve dhe që kanë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e politikave sociale.
“Ky komunikim nuk e kemi nisur sot. Besoj dhe jam e sigurt që në përpjekjen e përbashkët për të arritur një vizion që është i të gjithëve – vizioni ‘PërTiranën2030’, dhe Shqipërinë në 2030 pjesë e Bashkimit Europian .Kur flas për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kam parasysh edhe kontributin tuaj si shoqëri civile – një kontribut i pazëvendësueshëm për të ndërtuar institucione më të forta dhe politika më të ndershme,” u shpreh Manastirliu.
Ajo ka theksuar se dialogu me komunitetin dhe me grupet e interesit është themeli për hartimin e politikave të drejta dhe të qëndrueshme.
“Na duhet të hartojmë politikat tona bazuar në statistikë, në nevojën reale të komuniteteve – aty merr dhe rezultatin më të mirë të mundshëm,” theksoi ajo.
Në fokus të programit të saj “Tirana 2030” janë shërbimet sociale, strehimi i përballueshëm, mbështetja për familjet e reja dhe për personat me aftësi të kufizuara.
“Do të kemi një plan konkret për shërbimet rezidenciale dhe ato në familje, duke garantuar akses, arsim, punësim dhe integrim në jetën sociale dhe ekonomike,” deklaroi Manastirliu.
Kandidatja socialiste, theksoi se është bërë shumë deri tani, por ka ende nevojë për të buxhetuar më mirë iniciativat e shoqërisë civile, veçanërisht për ngritjen e mekanizmave të qëndrueshëm si strukturat për mbrojtjen e fëmijëve.
“Së bashku mund të bëjmë më shumë që shoqëria civile të rritet në funksion të shërbimeve që ofron, dijeve që përthith, dhe praktikave të mira që ju mund të përcillni, duke garantuar së bashku shërbime të qëndrueshme në hapësirën e re që po ndërtojmë, duke përfituar më shumë nga fondet strukturore të BE-së,” tha ajo.
Manastirliu u ndal edhe te buxhetimi i planeve sociale dhe nevoja për instrumente të reja që lidhen me pushtetin vendor dhe atë qendror.
“Këtu duhet të kemi një vëmendje shumë të veçantë për t’u përbashkuar për një qëllim. Dhe fondi social i qeverisë, së bashku me fondet e bashkisë, mund të jetë një mënyrë shumë më e mirë dhe një instrument për t’i intensifikuar ato,” u shpreh ajo.
Kandidatja socialiste ndau disa nga pikat kyçe të planit të saj për mbështetjen e familjeve të reja dhe fëmijëve, duke theksuar se programi “Tirana 2030” nuk është një strategji afatshkurtër, por një vizion afatgjatë për një qytet më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
“Strehimi social është një prej kolonave të planit tim përsa i përket familjeve të reja, për personat që nuk kanë mundësi financiare, apo edhe për ata që janë pjesë e shtresës së mesme, por kanë nevojë të mbështeten nga programi i strehimit të përballueshëm,” deklaroi ajo.
Manastirliu përmbylli takimin me angazhimin për të siguruar një qasje më të madhe për mundësi dhe kujdes për çdo banor të kryeqytetit, duke e konsideruar shoqërinë civile si një partner të domosdoshëm në këtë rrugëtim.
“Ne mundet që të bëjmë hapa përpara sa i përket zhvillimit të dimensionit social, në funksion të zhvillimit social të qytetit, me fokus fëmijët, me fokus të rinjtë, me fokus personat me aftësi të kufizuar, me fokus gratë, vajzat, me fokus punësimin, mbështetjen, dhënien e shanseve të barabarta për çdo qytetar, me fokus komunitetet, të cilët kanë nevojë të përfshihen dhe kanë nevojë të integrohen në jetën sociale të kryeqytetit”, u shpreh Manastirliu. /rtsh.al/