Kjo shumë është dhënë pasi Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 reformat e planifikuara nga dhjetori 2024 deri në qershor 2025
Bashkimi Evropian ka disbursuar (dhuruar) 100 milionë euro për Shqipërinë si shpërblim për përparimin që ka bërë në zbatimin e Reformave të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Kjo shumë është dhënë pasi Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 reformat e planifikuara nga dhjetori 2024 deri në qershor 2025, pra rreth 51% e tyre dhe është vendi më i suksesshëm në rajon për këtë periudhë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi për këtë mbështetje, gjatë vizitës së saj në Tiranë javën e kaluar.
Ajo theksoi se fondet tregojnë se Shqipëria ka ndërmarrë reforma të qëndrueshme në fusha si energjia, dixhitalizimi, konkurrueshmëria, zhvillimi i qëndrueshëm dhe integrimi ekonomik.
Si do të shpërndahen fondet?
46.2 milionë euro janë kredi të dhëna direkt në Thesarin e Shtetit për zbatimin e reformave.
54.1 milionë euro (prej të cilave 28.5 milionë janë grante dhe 24.6 milionë kredi) do të përdoren për projekte infrastrukturore përmes kuadrit të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se Plani i Rritjes po jep rezultate konkrete dhe përmendi disa nga arritjet: sistemi bankar shqiptar ka pranuar standardet SEPA (që ulin kostot e transaksioneve) dhe vitin që vjen do të përfundojë instalimi i Wi-Fi falas në të gjitha bashkitë dhe do të hiqen tarifat e roaming-ut me BE-në.
Koordinatorja Kombëtare për Planin e Reformave, Eridana Cano, theksoi se ky financim tregon se po përmirësohen planifikimi, transparenca dhe bashkëpunimi me Komisionin Evropian, hapa të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Çfarë është Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor?
Është një iniciativë e nisur në vitin 2023 nga Komisioni Evropian për të ndihmuar vendet e Ballkanit të afrohen më shpejt me BE-në, duke ofruar deri në 6 miliardë euro për rajonin (dhe deri në 1 miliard euro për Shqipërinë) për periudhën 2024–2027.
Plani mbështet reforma në fusha si tranzicioni energjetik, dixhitalizimi, sundimi i ligjit, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.
Raportimi për reformat bëhet çdo 6 muaj. Shqipëria do të dorëzojë raportin e radhës në fillim të vitit 2026 dhe më pas Komisioni Evropian do të vlerësojë nëse ka arritur objektivat për të marrë financim të mëtejshëm në pranverën e ardhshme.