Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka konfirmuar se do të rikandiojë sërish për të qenë në krye të kësaj force politike në zgjedhjet e 2026.
“Sigurisht pyetje është kjo”, deklaroi Berisha, teksa shtoi se gara mes kandidatëve do të jetë e hapur.
Kryedemokrati theksoi se do të jetë anëtarësia e PD-së që do të bëjë interpretimin përfundimtar.
Berisha komentoi edhe Reformën Territoriale e Zgjedhor, duke u shprehur se PD ende nuk ka një ekip të mandatuar.
Berisha: Do jetë anëtarësia e PD ajo që do i bëjë interpretimin përfundimtar do të ketë garë për kreun e PD, e hapur ama.
Do kandidoni sërish në 2026?
Berisha: Sigurisht që do jem, pyetje është kjo. Por e hapur ama, cilido.
Kë ka mandatuar PD për të qenë në krye të Reformës Territoriale dhe Zgjedhore?
Berisha: Akoma nuk kemi, do të mandatohen. Po bëhen diskutime paraprake në Komisionin e Ligjeve, natyrisht po shqyrtohen rrethanat kriteret e me radhë. S’ka akoma një ekip të mandatuar nga ne. Sapo të qartësohet çfarë platforme do të zbatohet në punën e këtyre Komisioneve, do të marrim vendimet.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot më 22 tetor në një konferencë për mediat se “Aeroporti i Vlorës ka dështuar që pa filluar punën”, duke e cilësuar këtë si një aferë të tmerrshme.
Berisha u shpreh se procesi për ndërtimin e aeroportit filloi në vitin 2017, ku në tender u paraqitën katër kompani turke, por sipas tij, dy ministra në atë kohë, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, refuzuan të firmosnin kontratën pasi kompania kërkonte 120 milionë euro pagesa nga qeveria, edhe në rast se asnjë avion nuk fluturonte në këtë aeroport.
“Kjo përbën një ‘çmenduri’ dhe një ngarkesë të pajustifikueshme për buxhetin e shtetit”.
Ai shtoi se në vend të Ahmetajt dhe Gjiknurit, ministrja Belinda Balluku firmosi kontratën me vlerë prej 140 milionë eurosh. “Aeroporti duhej të bëhej sa më i madh, që të vidhej sa më shumë. Ky është krim ndaj qytetarëve”, tha ai.
“SPAK nuk do që të hetojë për Aeroportin e Vlorës. Dumani e katandisi edhe hetimin për djegësit tek pllakat e banjove të ish-bashkëshortes së Ahmetajt”.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe ministren Balluku “si emrat kryesorë të aferës në Aeroportin e Vlorës”.
Duke iu përgjigjur një deklarate të deputetit të PD-së, Besart Xhaferi, i cili tha se Berisha duhet të largohet nëse nuk fakton farsën elektorale, Berisha tha se farsa është vërtetuar tashmë.
“Çdo deputet është i lirë të flasë atë që dëshiron. Statusi bën fjalë për zgjedhje dhe jo për farsë. Anëtarësia e PD-së do bëjë interpretimin final. Do ketë një garë të hapur brenda Partisë Demokratike”.
Ai pohoi se sipas OSBE/ODIHR, zgjedhjet në Shqipëri janë zhvilluar në kushte të pabarabarta.
Në lidhje me emërimin e ish-deputetes demokrate Zheni Gjergji si drejtoreshë spitali në Elbasan, Berisha u shpreh se të gjithë ata që shkelmojnë me besimin e PD-së, do jenë jashtë kësaj force politike.
“Për mua, të gjithë ata që shkelmojnë mbi besimin që ju jepet, janë automatikisht jashtë Partisë Demokratike”
Në lidhje me përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe pranimin e Agron Shehajt në Komision, Berisha dha mendimin e tij.
“Për partitë e reja opozitare jemi të hapur. Zëri i tyre do mbahet shumë parasysh. Nuk kam paragjykim për asnjë forcë politike opozitare”, deklaroi Berisha.
Berisha u shpreh se mazhoranca frikësohet nga zëri opozitar dhe për këtë arsye i lejon forcat e vogla politike opozitare të flasin vetëm dy minuta në parlament.
/tvklan.al