Teksa numërimi mbrapsht ka nisur dhe stafi organizativ ka nisur përgatitjet për Festivalin e fundvitit, drejtoresha artistike e Fest 64, Elhaida Dani, e ftuar në emisionin “Çasti i Duhur” në RTSH ka zbuluar detaje të reja për sa i përket këtij edicioni.
Për herë të parë, artisten Elhaida Dani do ta shohim edhe në rolin e prezantueses, pasi shumë shpejt do të nis podkasti më i ri dedikuar Festivalit, ku të gjithë artistët do të intervistohen nga Elhaida për sa i përket këngës me të cilën garojnë në Festival, emocioneve, punës së tyre dhe jo vetëm. Drejtoresha artistike zbuloi gjithashtu se të ftuarit e parë do të jenë grupi Shkodra Elektronike, fituesit e edicionit të 63-të të Festivalit, pas një suksesi të jashtëzakonshëm vitin e kaluar.
Një element tjetër që Dani zbuloi në emisionin “Çasti i Duhur” është edhe formula e televotimit që do të ndiqet këtë vit, ku 25% të peshës do ta ketë televotimi me SMS nga të gjitha trevat shqiptare dhe Shqipëria, 25% do të jetë nga aplikacioni më i ri “FIK”, që publiku do të ketë mundësi ta shkarkojë së shpejti, ndërsa 50% të peshës do ta ketë juria, e cila në përbërjen e vet do të ketë poetë, kompozitorë, showgirl etj.
Për sa i përket rrymave muzikore, Dani tha se këtë vit në Festival do të kemi larmi këngësh, nga modernia, roku e deri te folku, kështu që publiku do të shijojë një buqetë të larmishme këngësh. Ashtu sikurse është paralajmëruar nga stafi drejtues i Festivalit, 28 këngët në garë pritet që në muajin nëntor të publikohen në faqen zyrtare të Radio Televizionit Shqiptar në YouTube, kjo për t’i dhënë mundësinë publikut që të njihet me këngët më herët.
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar nga stafi i Fest 64, tashmë në faqen zyrtare të Festivalit në Instagram kanë nisur të prezantohen një nga një artistët pjesëmarrës në festival, së bashku me titullin e këngës së tyre përkatëse.
Deri më tani janë prezantuar grupi “2 Farm”, artisti Alis dhe Endri Kaçaçi ndërsa në ditët në vijim do të prezantohen të gjithë artistët pjesëmarrës në garën e këtij edicioni, ndërkohë që në muajin nëntor, 28 këngët konkurruese do të publikohen të plota në faqen zyrtare të RTSH në YouTube, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar për Fest 63, për t’i dhënë mundësinë publikut të gjerë që të njihet dhe familjarizohet me këngët dhe po ashtu për t’i dhënë kohën e mjaftueshme publikut për të votuar në fund për të preferuarën e tyre.
Edicioni i Fest 64 do të vijë me një identitet të ri artistik nën konceptin “Neo Albanian Future”, një vizion që synon të ndërthurë rrënjët tradicionale me frymën bashkëkohore.
Në emisionin “Çasti i Duhur” në RTSH, drejtoresha artistike e Fest 64, Elhaida Dani, u shpreh se ky koncept do t’i japë festivalit një identitet më modern, pa humbur autenticitetin, duke u bazuar në punë të fortë dhe ruajtjen e vlerave, që e kanë bërë atë unik ndër vite.
“Vizioni im për këtë vit është që të mos humbasim autenticitetin, të rritemi, të bëjmë gjëra të reja, sepse një artist i mirë nuk kopjon asnjëherë nga një sukses i dikujt tjetër apo qoftë edhe i veti,” tha ajo.
Teksa premtoi serish një edicion të paharrueshëm krah një ekipi profesionistësh, të cilët tashmë kanë nisur përgatitjet për Festivalin e fundvitit, Dani zbuloi po ashtu se shumë shpejt do ta shohim edhe në rolin e moderatores në podkastin që do t’i dedikohet Fest 64, ku të gjithë artistët do të kenë mundësi të tregojnë më tepër për sa i përket këngëve të tyre dhe jo vetëm. RTSH







