Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar këtë të mërkurë, më 22 tetor, kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për ndryshim të masës së sigurisë “arrest me burg”.
Sipas mbrojtjes, SPAK e ka dorëzuar me vonesë kërkesën për gjykimin e tij në gjykatë, tej afatit 12 mujor nga nisja e hetimeve dhe kërkonte lirimin e kryetarit të Partisë së Lirisë. Pretendimi i Metës u rrëzua nga gjyqtarja Irena Gjoka.
Pas seancës gjyqësore, avokati i Metës, Kujtim Cakrani e konsideroi vendimin të padrejtë në një deklaratë për mediat. Ai u shpreh se në vendin tonë nuk po bëhet më drejtësi, sepse nuk respektohet prezumimi i pafajësisë.
“Është shumë e rëndë kjo që ka ndodhur sot me zotin Meta. Nesër do të shqyrtohet kërkesa për revokimin e masës së sigurimit, duke marrë parasysh faktin që ne i kemi bërë kërkesë prokurorisë për revokimin e masës së sigurisë edhe nisur edhe nga rasti i presidentit Berisha, kur gjykata vendosi shuarjen e masës, sepse nuk vazhdonin kushtet dhe kriteteret.
Nuk ka asnjë mundësi që z.Meta të prishë provat apo intimidojë dëshmitarët. Nuk ka as dëshmitare që të intimidojë, dhe nuk ka as priova që z.Meta. Kjo është një situatë shumë e rëndë sepse prezumimi i pafajësisë në këtë vend nuk ekziston më, kjo është kambanë alarmi. Ne nuk na duhen gjyqtarë të korruptuar, ne na duhen gjyqtarë që bëjnë drejtësi. Nuk e di me çfarë standardi i matin gjyqtarët këta nëse janë të ndershëm ose jo. I matin me standardet që nuk vjedhin, nuk mbajnë dashnore… Gjyqtari matet me standardin jep apo nuk jep drejtësi. Në këtë vend nuk ka dy gjëra, nuk ekziston prezumimi i pafajësisë dhe dhënia pafajësi. Këto gjykata janë toga pushkatimi!”, tha Cakrani.
Një vit pas arrestimit të tij për dosjen e bujshme CEZ-DIA dhe aferën e lobimit në SHBA, Meta vijon me kërkesat për të lënë qelinë. Pas disa kërkesash të rrëzuara, një ditë më parë Meta bëri një tjetër përpjekje në Gjykatën Posaçme.
Sjellim ndërmend se fundmi, më 17 tetor, edhe Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Metës, duke konfirmuar mbajtjen e tij në burg, ndërsa hetimet ndaj tij janë mbyllur nga SPAK prej muajsh.
Prokuroria e Posaçme akuzon Metën për tre vepra penale të rënda: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Akuza që lidhen me disa çështje të përfshira në një dosje të vetme.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, ndërsa SPAK ka dërguar dosjen për gjykim në fund të gushtit të këtij viti. Në të njëjtën dosje hetimore janë të përfshirë edhe emra të tjerë të njohur. Ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, akuzohet për pastrim parash.
Megjithëse kërkesat për lirim janë refuzuar njëri pas tjetrit, Meta vijon betejën ligjore për të ndryshuar masën e sigurisë.
NJOFTIM PËR MEDIAT
Kërkuesi Ilir Metaj me datë 21.10.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Shuarjen e masës së sigurimit personal të “arrestit në burg” për të pandehurin Ilir Metaj”, baza ligjore neni 263/1 “c” i K.Pr.Penale.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, bazuar në nenet 112, 228, 229, 238, 230, 249, 250, pika 1, 263, pika 1, gërma “c” të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 672, datë 22.10.2025, vendosi: Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit Ilir METAJ, me objekt “Shuarjen e masës së sigurimit personal të arrestit në burg për të pandehurin Ilir Metaj”, si të pambështetur në ligj.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.