HomeEkonomiZjarrfikësit do të marrin 1 deri 2 paga shpërblim, 154.6 milionë lekë...

Zjarrfikësit do të marrin 1 deri 2 paga shpërblim, 154.6 milionë lekë shtesë bashkive për mbrojtjen nga zjarri. Ja si ndahen

Advertismentspot_img

Qeveria ka vendosur të rrisë me 154.6 milionë lekë transfertën e pakushtëzuar sektoriale për funksionin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si mbështetje buxhetore për bashkitë e vendit që u angazhuan në mënyrë intensive gjatë sezonit të verës në përballimin e zjarreve. Shtesa buxhetore është parashikuar në ndryshimet e fundit të buxhetit të shtetit për vitin 2025, të botuara në Fletoren Zyrtare nr. 194.

Sipas relacionit shpjegues, 16 bashki, në të cilat u regjistruan zjarre me intensitet të lartë dhe kohëzgjatje të madhe, do të marrin fonde për dy paga shpërblim për punonjësit e Mbrojtjes nga Zjarri, ndërsa bashkitë e tjera do të përfitojnë fonde për një pagë shtesë.

Në këtë mbështetje buxhetore nuk përfshihet Bashkia Tiranë, me argumentin se ajo ka potenciale të mëdha fiskale për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme nga taksat dhe tarifat vendore. Vetëm në tre vitet e fundit, të ardhurat e Tiranës kanë përbërë rreth 58% të totalit të të ardhurave të 61 bashkive të vendit.

Mbështetje shtesë për bashkitë me të ardhura të ulëta

Përveç fondeve për sektorin e zjarrfikësve, buxheti parashikon edhe një rritje prej 75 milionë lekësh të transfertës së pakushtëzuar të përgjithshme, për të ndihmuar disa njësi të vetëqeverisjes vendore (NJVQV) që nuk kanë arritur të realizojnë të ardhurat e planifikuara.
Kjo masë synon të garantojë që edhe bashkitë më të vogla të mund të mbulojnë kostot bazë të funksioneve dhe të mos cenohet ofrimi i shërbimeve publike jetike për qytetarët.

Fonde të reja për arsim parashkollor dhe mbrojtje civile

Në të njëjtin relacion parashikohet një tjetër shtesë buxhetore prej 44 milionë lekësh, si transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet: arsimit parashkollor, dhe të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi,me qëllim përmbushjen e standardeve kombëtare të shërbimeve në këto fusha.

Sipas tabelës zyrtare, fondet janë shpërndarë në mënyrë proporcionale midis bashkive në varësi të nivelit të riskut, numrit të punonjësve aktivë dhe shpenzimeve operative që kanë pasur gjatë sezonit të emergjencave.

Një sinjal i qartë për forcimin e kapaciteteve vendore

Rritja e transfertës së pakushtëzuar për zjarrfikësit sinjalizon një angazhim konkret për forcimin e kapaciteteve të reagimit të bashkive ndaj fatkeqësive natyrore, në përputhje me prioritetet e qeverisë për menaxhimin e emergjencave dhe mbrojtjen civile.

Në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe shtimit të rasteve të zjarreve pyjore në vitet e fundit, fondet shtesë synojnë të përmirësojnë motivimin e forcave vendore dhe të garantojnë një reagim më të shpejtë e më efektiv në situata të rrezikut./ekofin.al

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular