Këtë të enjte, më 23 tetor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mbajt seanca e radhës për shqyrtimin e kërkesës së ish-presidentit Ilir Meta për lirimin nga qelia
Këtë të enjte, më 23 tetor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mbajt seanca e radhës për shqyrtimin e kërkesës së ish-presidentit Ilir Meta për lirimin nga qelia.
Apeli i Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta, duke e lënë atë në burg
Sjellim ndërmend se seanca e mëparshme u shty pas kërkesës së avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i cili pretendoi se në njoftimin zyrtar të gjykatës nuk ishte specifikuar emri i gjyqtares që do të shqyrtonte çështjen.
Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik dhe në fund të gushtit e dërgoi dosjen për gjykim, duke bashkuar në një çështje të vetme hetimet për aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së (sot Partia e Lirisë) në SHBA dhe pasurinë e padeklaruar.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, GJKKO rrëzoi kërkesën tjetër të Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi “arrestin me burg”. Ish-presidenti pretendoi se prokuroria kishte tejkaluar afatin ligjor të 12 muajve për dërgimin e çështjes në gjykatë, por gjyqtarja Irena Gjoka e cilësoi këtë pretendim të pabazuar në ligj.
Pas vendimit, avokati Cakrani reagoi ashpër, duke e cilësuar procesin “të padrejtë” dhe duke akuzuar sistemin gjyqësor se nuk respekton më parimin e prezumimit të pafajësisë. Ai njoftoi se mbrojtja do të paraqesë një tjetër kërkesë për revokimin e masës së sigurisë, duke theksuar se Meta nuk përbën rrezik për prishje provash apo ndikim tek dëshmitarët.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 nga agjentët e BKH-së pranë “Kthesës së Kamzës”, ndërsa po shkonte drejt selisë së Partisë së Lirisë. Në të njëjtën dosje hetimore është përfshirë edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e akuzuar për pastrim parash.
Gjatë një viti paraburgim, Meta ka bërë disa herë kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë, por të gjitha janë rrëzuar nga gjykatat e të gjitha niveleve, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, e cila më 16 tetor konfirmoi mbajtjen e tij në burg.