Një grua që u qëllua për vdekje në një parking të një qendre tregtare në Brampton të Kanadasë, pasditen e së martës, është identifikuar nga familjarët si Savannah Kulla, 29 vjeç me origjinë shqiptare.
Të afërmit kanë konfirmuar se Kulla ishte nënë e katër fëmijëve të vegjël – tre djem dhe një vajzë njëvjeçare. Vajza u bë objekt i një Amber Alert (alarm emergjent për fëmijë të zhdukur) pasi dyshohet se u mor nga babai i saj, 38-vjeçari Anthony Deschepper, menjëherë pas ngjarjes tragjike.
Policia ka bërë të ditur se foshnja u gjet e sigurt pak kohë më vonë, pasi u la tek të afërm në rajonin e Niagarës.
Deschepper, i cili është identifikuar si i dyshuari kryesor për vrasjen e Kullës, humbi jetën të mërkurën në mëngjes pas një përplasjeje me forcat e policisë në një pikë karburanti në Niagara Falls.
Një grua tjetër, e cila po e drejtonte automjetin ku ndodhej Deschepper në atë moment, pritet të përballet me akuza, sipas Njësisë së Hetimeve Speciale të provincës.
Në vendin ku ndodhi vrasja, në kryqëzimin mes Queen Street East dhe Airport Road, janë vendosur buqeta me lule në nder të viktimës.
Policia e Peel e ka cilësuar ngjarjen si një vrasje të lidhur me dhunën në marrëdhënie intime.