ANDI MUSTAFAJ
Ngjarjet e këqija në përgjithësi funksionojnë si zinxhir. Në këtë zinxhir, derisa të thyhet një hallkë, fenomeni negativ vazhdon të prodhojë hallka njëra pas tjetrës. Pasojat e komunizmit dhe vazhdimi i tij në një formë të re prodhoi kompleksin e inferioritetit, i cili prodhoi dembelizmin intelektual, i cili prodhoi ndarjen midis shtetit real dhe shtetit formal, i cili në thelb na pamundësoi që gjatë këtyre 30 viteve ne të gjenim modelin tonë, modelin institucional dhe politik që i përshtatet popullit tonë. Ç’është e vërteta, ne nuk kemi marrë kurrë kohën e nevojshme që të ulemi e të pyesim veten: kush jemi ne si shoqëri dhe si mund të funksionojë një sistem i përshtatur për vendin tonë? Çfarë përmasash duhet të ketë ai që të mos mbetet vetëm në letra, por të marrë frymë në realitetin shqiptar? Ne, për shembull, vazhdojmë të kemi pritshmëritë e vendeve të zhvilluara të BE-së, ndërkohë që ato kanë ndjekur secila rrugën e vet. Një rrugë e gjatë, me përparime dhe kthime mbrapa, me kthesa dhe përshpejtime derisa kanë krijuar sisteme që u ngjajnë. Jo më kot, “të bashkuar në diversitet” është slogani i Bashkimit Europian.
Gjatë përvojës sime profesionale, kam parë pa fund raste të tipit: “ta bëjmë kështu se kështu e bën Franca, Italia apo SHBA-të”. Por një mënyrë e tillë veprimi harron një të vërtetë themelore: këto sisteme janë fryt i zhvillimeve shumëqindvjeçare. Në to gërshetohen filozofia, luftërat, kultura, shoqëria. Ato nuk kanë ardhur nga hiçi. Një normë juridike, institucionale apo politike nuk mund të kuptohet dot nëse nuk e lidh me shoqërinë ku zbatohet. Disa shtete prenë koka mbretërish për t’i zëvendësuar më pas, disa krijuan bashkime principatash, disa kërkonin perandorë, disa presidentë e kështu me radhë. Disa janë shtete unitare, disa federale, disa mbajtën ligje të pashkruara, disa kode të sistemit romak. Lista është e gjatë, por përfundimi i njëjtë: vendet që ne marrim për shembull ndoqën rrugën e tyre për të gjetur në fund veten e tyre. Pikërisht mungesa e këtij reflektimi na ka çuar drejt krijimit dhe ushqimit të një fiksioni të madh: iluzionit të ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme dhe ndarjes së pushteteve.
Një iluzion i dëmshëm, sepse debatet tona bëhen gjithmonë në një nivel të gabuar, të shkëputur nga toka ku jetojmë. Në çdo shoqëri funksionale, fiksionet janë të domosdoshme. Pa to, nuk ka bashkëjetesë. Fiksionet juridike dhe politike janë ato ide të mëdha, besime të përbashkëta që e bëjnë një numër të madh njerëzish të bashkëpunojnë: ndarja e pushteteve, demokracia, ligji. Por tek ne, këto fiksione janë kthyer në syze verbuese. Ne nuk i shohim si instrumente që duhen mbushur me përmbajtje reale, por si të vërteta absolute që nuk lëvizin. Kemi mbërritur në një pikë ku njerëzit besojnë thellë absurditetin: se institucionet ekzistojnë, sepse shkruhen në kushtetutë, edhe pse në praktikë janë në kolaps total. Institucionet tona nuk janë të dështuara sepse janë “të këqija” në vetvete, por sepse nuk janë ndërtuar për vendin tonë. Ato nuk i përgjigjen nevojave të kulturës sonë, historisë sonë, mënyrës se si jemi formuar si shoqëri. Në vend që të ngremë struktura që lindin natyrshëm nga përvoja shqiptare, ne kemi marrë modele të huaja dhe i kemi vendosur si fasada, si një qytet Potemkin.
Ne i marrim si të mirëqena këto praktika, vetëm sepse funksionojnë diku tjetër. I përkthejmë mekanikisht dhe i vendosim në Shqipëri, duke menduar se kjo është “modernizim”. Në fakt, kjo sjell disbalancë, ngatërron sistemin tonë dhe cungon zhvillimin tonë historik e kulturor. E keqja nuk ndalet këtu. Ne bëjmë edhe kolazhe sistemesh. Për një çështje marrim një copë nga sistemi anglez, për një tjetër një copë nga ai gjerman. Por kush i njeh këto vende e di se shpesh këto sisteme janë konceptualisht kundër njëri-tjetrit. Ato funksionojnë në kontekstin e tyre, por të bashkuara në një mjedis krejt tjetër si Shqipëria, prodhojnë vetëm kaos. Ky kolazh është një vazhdimësi e dembelizmit intelektual, një pasojë tjetër e tij, që duke dashur të marrë “më të mirën” nga gjithçka, në fakt krijon një përzierje që nuk funksionon askund. Shembujt janë pa fund. Mjafton të kujtojmë ndarjen tonë administrative në bashki, prefektura e qarqe.
Ky është një sistem i importuar nga Franca, i bazuar mbi logjikën e kohës së revolucionit francez, ku komunikimi i shtetit duhej të shpërndahej brenda një dite udhëtimi me kalë. Prandaj, më 26 shkurt 1790, Asambleja Kombëtare Konstituente dekretoi sistemin modern të rretheve. Kufijtë e tyre kishin dy qëllime themelore: të shpërbënin rajonet historike të Francës për të zhdukur dallimet kulturore dhe për të ndërtuar një komb më homogjen, të siguronin që çdo vendbanim të ishte brenda një dite udhëtimi nga kryeqyteti i departamentit, për ta mbajtur gjithë territorin nën kontroll të ngushtë. Ky model, i krijuar për një kontekst krejt tjetër, është transplantuar në Shqipëri pa marrë parasysh kulturën, historinë dhe nevojat e vendit tonë. Si pasojë, ne kemi institucione të bukura në letër, të huazuara nga një e shkuar e huaj, por të cilat nuk reflektojnë kulturën, historinë dhe veçoritë e popullit shqiptar







