Kreu i qeverisë, Edi Rama, së bashku me ministrin e Financave, Petrit Malaj, ishin në një takim këtë të premte, 24 tetor 2025, me ekspertë të financave mbi prioritetet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ndau pamje nga ky takim, si dhe pjesë të fjalimeve që mbajti ai dhe ministri Malaj.
Kryeministri u shpreh se zbatimi i planit “Paqja Fiskale” do të nisë vitin e ardhshëm. Rama u shpreh gjithashtu se ky plan mund të rrisë të ardhurat për arkën e buxhetit të shtetit, ndersa synim është ulja e informalitetit në ekonomi.
“Është shumë e rëndësishme që “Paqja Fiskale” të hartohet dhe të përmbyllet me sukses në aspektin konceptual deri në fund të këtij viti në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojmë me zbatimin e saj. Unë kam shumë besim që nëse “Paqja Fiskale” konceptohet dhe planifikohet ashtu siç duhet, do të jetë një mesazh shumë pozitiv për sipërmarrjen, por besoj do të mund të rrisë edhe të ardhurat për arkën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që pika kyçe mbetet rritja e performancës në tërësi dhe ulja e informalitetit“, tha Rama.
Nga ana tjetër, Malaj u shpreh se kjo “Paqe Fiskale” do të sigurojë një zhvillim të qendrueshëm ekonomik.
“Qëllimi ynë është i qartë dhe ambicioz. Përmes kombinimit të politikave të shëndosha fiskale dhe monetare, reformave strukturore të thella dhe investimeve strategjike, ekonomia shqiptare do të garantojë një trajektore të re zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik“, tha Malaj.
“Paqja Fiskale”, premtim i fushatës socialiste
Por, “Paqja Fiskale” nuk është një koncept i ri. Ai është një premtim i dhënë nga vetë Rama përgjatë kohës së fushatës para zgjedhjeve të 11 majit, si një përpjekje për të ndryshuar nivelin e administratës shtetërore.
Rama cilësoi se kjo “Paqe Fiskale” do të sjellë avantazhe të shumta për subjektet, por dhe qeverinë. Ndaj, kreu i qeverisë theksoi aso kohe se nuk do të ketë rritje të presionit përmes inspektorëve, por sipërmarrësit mund të bëjnë një vetë-deklarimi përpara, 60% në përiudhën e pikut dhe 30% në periudhat e tjera.
Në muajin prill 2025, Rama u shpreh se deri në atë kohë kanë aplikuar 600 subjekte si të gatshme për të nënshkruar këtë marrëveshje me qeverinë.







