Për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Kosovë, që mbahet më 9 nëntor, nuk do të ketë një proces të ri regjistrimi për votuesit nga jashtë.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë Valmir Elezi sqaroi se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale do të mund të votojnë vetëm të regjistruarit e raundit të parë. Sipas KQZ-së më 9 nëntor, nga jashtë Kosovës mund të votojnë rreth 30 mijë shtetas që i përkasin 18 komunave ku do të zhvillohet balotazhi.
“Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, të drejtë vote jashtë Kosovës do të kenë vetëm votuesit që janë regjistruar me sukses gjatë periudhës së aplikimit për raundin e parë dhe vetëm për komunat ku do të zhvillohet raundi i dytë. Nuk do të hapet një periudhë e re për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, pasi do të përdoret e njëjta listë votuesish e miratuar më herët. Numri i përgjithshëm i shtetasve që janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, në rundin e parë është 43,933. Nga ky numër do të zbriten votuesit e regjistruar në komunat në të cilat nuk do të ketë raund të dytë”, tha Elezi në një intervistë për KosovaPress.
Elezi konfirmoi se edhe për procesin e 9 nëntorit, KQZ, votuesve të regjistruar jashtë Kosovës, do t’ua dërgojë pakon me fletëvotime përmes postës, ndërsa sipas tij detyra e tyre është që pakon ta dërgojë në njërën prej kutive postare të hapur në 22 shtete të botës dhe në Kosovë.







