Ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme, 24 tetor, në QSUT 6-vjeçarja e djegur nga zjarri në Maliq, prej të cilit humbën jetën edhe nënë e bir, më 19 tetor 2025.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 të asaj dite, gjatë kohës kur nëna bashkë me dy fëmijët e saj ndodheshin në shtëpi.
Të tre u dërguan në spital. Fillimisht ndërroi jetë 40-vjeçarja Merjeme Azisllari, ndërsa më pas edhe djali i saj 14-vjeçar. Sipas policisë, ata humbën jetën nga asfiksia. Në gjendje të rëndë shëndetësore u dërgua drejt Tiranës edhe vogëlushja, që fatkeqësisht nuk arriti dot të mbijetonte.
Dy fëmijët u gjetën në ambientet e jashtme të banesës, ndërsa nëna në kuzhinë. Siç dukej edhe nga pamjet, çdo gjë brenda shtëpisë ishte shkrumbuar, ndërsa shkak mendohet të jetë bërë soba me dru.
Nga soba, sipas grupit hetimor, ka rënë thëngjill, duke përfunduar në një dyshek sfungjeri që ishte vendosur aty pranë, çka bëri që flakët të përhapen menjëherë.
Të parët që kanë tentuar t’i vijnë në ndihmë nënës me dy fëmijët kanë qenë fqinjët.
“Familje e urtë e punëtore, nga ekonomia ishin dobët”
Një fqinje e familjes, ku ndodhi tragjedia, në një prononcim për mediat më herët tregoi se ishin familje e urtë dhe punëtorë.
“Ishte familja e urtë dhe punëtorë. Ishin nga ekonomia dobët, por punonte babai i fëmijëve. Shkonte në punë, në ndërtim punonte. Ajo mbante dy fëmijët aty. I ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia e ndihmonte jashtë mase, muaj për muaj u jepte dhe ndihmë. Fëmijët ishin autikë. Të dy fëmijët ishin autikë, vajza më e vogël se djali.
Djali rrinte në këmbë, vajza jo dhe aq. Ajo ishte për fëmijët, nuk kujdesej dhe shumë. Ne të lagjes, e ndihmonim. Nuk i binte në qafë askush. Ata kanë një krevat me sfungjer aty. Fëmijët trazonin zjarrin dhe rënë zjarri aty, djegur sfungjeri dhe dihet se sfungjeri vetëm tym bën. Vajza doli nga dritarja, e shpëtoi një zonjë aty”, deklaroi ajo ditën e ngjarjes së rëndë.







